Rregullat e reja/ Ndryshojnë kriteret për ndihmën ekonomike,  sa përfiton çdo familjar

 Florenc Drizari

qeveri 111 Vendimi i qeverisë: Për bashkëshortët shuma e përfituar është 3200 lekë në muaj

 Këshilli i Ministrave vendosi ndryshimin e kritereve dhe të masës së përfitimit të ndihmës ekonomike. Mbledhja e djeshme e qeverisë u drejtua nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi, ndërkohë që Kryeministri Edi Rama ndodhej për një vizitë zyrtare në Francë. Sipas vendimit, ndryshohet pika 18 e projektit të mëparshëm, që ka të bëjë me strukturën e familjes dhe rritjen e masës së përftimit me 600 lekë në muaj. Ndryshe nga vendimi i vitit 2011, në listën e përfituesve futet koncepti i bashkëshorteve si dhe përcaktohet se deri në ç’moshë fëmijët marrin një shtesë për çdo vit shkollor që ndjekin. Më herët kryefamiljari merrte 2600 lekë në muaj, ndërsa me vendimin e ri është përcaktuar që kjo shumë te jetë 3200 lekë.

 

Ndryshimet

“Masa e ndihmës ekonomike të plotë mujore nga fondet e buxhetit të shtetit përcaktohet në bazë të strukturës së familjes, si më poshtë vijon: a) Për bashkëshortët shuma 3200 (tre mijë e dyqind) lekë në muaj; b) Për anëtarët e familjes mbi moshë pune dhe për bashkëshortët e vetëm, shuma 2600 (dy mijë e gjashtëqind) lekë në muaj; c) Për çdo anëtar tjetër të familjes, në moshë pune, shuma 600 (gjashtëqind) lekë në muaj; ç) Për çdo anëtar tjetër të familjes, nën moshë pune (deri 18 vjeç), shuma 700 (shtatëqind) lekë në muaj. Për ata anëtarë të familjes, fëmijë, të cilët vërtetojnë që ndjekin arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar, deri në moshën 16 vjeç, marrin një shtesë në masën prej 300 (treqind) lekësh gjatë vitit shkollor. Për ata anëtarë të familjes, fëmijë, të cilët vërtetojnë që janë vaksinuar sipas kalendarit të vaksinimit marrin një shtesë në masën prej 100 (njëqind) lekësh, për çdo vaksinë të kryer”, – thuhet në pikën 18 të vendimit të Këshillit të Ministrave, ku specifikohet në fund se në mungesë dhe me porosi është firmosur nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi.

Ndërkohë, në vendimin e mëparshëm thuhej se “masa e ndihmës ekonomike të plotë mujore, nga fondet e buxhetit të shtetit, përcaktohet në bazë të strukturës së familjes, si më poshtë vijon: a) Për kryefamiljarin shuma 2600 (dy mijë e gjashtë qind) lekë në muaj; b) Për anëtarët e familjes në moshë pune e lart shuma 2600 (dy mijë e gjashtë qind) lekë në muaj; c) Për çdo anëtar tjetër të familjes, në moshë pune shuma 600 (gjashtë qind) lekë në muaj. ç) Për çdo anëtar tjetër të familjes nën moshë pune (deri 18 vjeç) shuma 700 (shtatë qind) lekë në muaj. 18.1 Masa e ndihmës ekonomike për viktimat e trafikimit është 3000 (tre mijë) lekë në muaj. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet pas daljes nga institucionet e përkujdesit shoqëror, deri në çastin e punësimit të tyre”, – shkruhet në vendimin e mëparshëm, ndryshimi i së cilit është bërë në muajin e parë të 2011-ës. Ndërkaq, një tjetër ndryshim bëhet në pikën gjashtë ku thuhet se për kushte të veçanta social-ekonomike dhe shëndetësore të familjes, administratorët shoqërorë duhet të kërkojnë dokumente shtesë, si: “raportin mjekësor, vërtetimin e gjykatës, i cili të dëshmojë që bashkëshortët janë në proces zgjidhjeje martese”, duke hequr vërtetimin për frekuentimin e shkollës.

 

Ndryshime të tjera për ndihmën ekonomike

 Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u miratua ndryshimi i vendimit “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 787, datë 14.12.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe të masës së ndihmës ekonomike”, të ndryshuar. qeveria argumenton se në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, 19, pika 3, 20, pika 2, 29, pika 10, dhe 35, të ligjit nr. 9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave, vendosi: Në vendimin nr. 787, datë 14.12.2005, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa: 1. Në pikën 2, fjalët “…duke deklaruar dhe personin madhor, që do të administrojë paratë…” shfuqizohen. 2. Pas shkronjës “dh”, të pikës 2, shtohen shkronjat “e” dhe “ë”, me këtë përmbajtje: “e) Vërtetimin për ndjekjen e shkollës lëshuar nga shkolla, i cili është i detyrueshëm për t’u dorëzuar dy herë brenda një viti shkollor; ë) Fotokopje të librezës së vaksinimit që provon vaksinimin sipas kalendarit të detyrueshëm për grup-moshat e fëmijëve”. 3. Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon: “Për kushte të veçanta social-ekonomike dhe shëndetësore të familjes, administratorët shoqërorë duhet të kërkojnë dokumente shtesë, si: raportin mjekësor, vërtetimin e gjykatës, i cili të dëshmojë që bashkëshortët janë në proces zgjidhjeje martese”. 5. Pas pikës 23/1 shtohet pika 23/2, me këtë përmbajtje: “23/2. Të drejtën për ta tërhequr dhe marrë në dorëzim ndihmën ekonomike e ka bashkëshortja”.

 

Rritet koha e aplikimit për ndihmën ekonomike në zonat pilot

 Në vendimet e djeshme të qeverisë u miratuan edhe disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 904, datë 12.12.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të përfitimit të ndihmës ekonomike në zonat pilot”. Qeveria argumenton se në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, pikat 1 e 6, 20, pikat 3 e 4, dhe 42 e 42/1, të ligjit nr. 9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave, vendosi në vendimin nr. 904, datë 12.12.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëjë këto shtesa dhe ndryshime: a) Pas shkronjës “b”, të pikës 5, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje: “c) Të drejtën për ta tërhequr dhe marrë në dorëzim ndihmën ekonomike e ka bashkëshortja”. b) Në pikën 9, fjalët “…brenda 10 (dhjetë) ditëve të para të çdo muaji…” zëvendësohen me “…brenda 20 (njëzet) ditëve të para, në dymujorin e parë, dhe brenda 10 (dhjetë) ditëve të çdo muaji në vazhdim”. Ndërsa në vendimin e mëparshëm udhëzimi ka qenë “pas plotësimit të formularit “Aplikim për ndihmë ekonomike”, administratori shoqëror në bashki/komunë, brenda 10 (dhjetë) ditëve të para të çdo muaji, hedh në Regjistrin Kombëtar Elektronik të dhënat e familjeve/individëve pretendues për ndihmë ekonomike, si dhe të dhënat e paraqitura nga vetë aplikuesi për të përfituar pagesën e aftësisë së kufizuar ose shërbime të përkujdesjes shoqërore, sipas dokumentacionit të parashikuar në legjislacionin në fuqi”. Ashtu si edhe në të gjitha vendimet e djeshme të qeverisë, në fund është firmosur nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi, në mungesë të Kryeministrit Rama, i cili ndodhej për një vizitë zyrtare në Francë.

 

Share it :