Florenc Drizari
Strazimiri: Nuk kam garanci që Tahiri me këtë ligj do të bëjë punën e shtetit
Tahiri: Nuk janë të pakta praktikat kur ish-SHKB-ja është keqpërdorur si kamxhik politik
Komisioni i Ligjeve shqyrtoi dje në parim projektligjin “Për shërbimin për ankesat dhe çështjet e brendshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme” ose thënë ndryshe drafti i ri për SHKB-në. Diskutimi i kësaj nisme solli përplasje qëndrimesh mes pozitës dhe opozitës. Në këtë prezantim ishte i pranishëm edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e opozitës theksuan se projektligji i ri lë hapësira për përdorimin e shërbimit të kontrollit në polici për qëllime politike, ndërsa deputetët e mazhorancës, por edhe ministri i Brendshëm, theksuan risitë që sjell drafti në fjalë.
Në fjalën e tij, deputeti Gent Strazimiri shprehu qëndrimin kundër të opozitës për nismën e paraqitur në Kuvend, duke deklaruar se përmes këtij ligji i jepen më shumë kompetenca ministrit të Brendshëm për të kontrolluar policinë. “Unë nuk kam garanci që ky ministër do të zgjohet në mëngjes me këtë ligj dhe do të bëjë punën e shtetit. Jo, do bëjë vetëm punën e partisë, sepse edhe personelin e ka marrë për shërbim të partisë dhe asnjë prej rekordeve të tyre profesionale nuk janë nga ato që nderojnë Policinë e Shtetit. Në nenin 52, detyrohen organet e tjera që kanë kompetenca të Policisë Gjyqësore të njoftojnë SHKB-në nëse pikasin se një oficer policie ka kryer një vepër penale. Do të thotë në rastin konkret që Prokuroria paska detyrimin të njoftojë SHKB-në, ndërkohë që detyra e SHKB-së është parandalimi”, – tha Strazimiri.
Nga ana e tij, ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, deklaroi se ligji për SHKB-në vendos në qendër ankesat e qytetarëve dhe llogaridhënien e efektivëve të policisë. “Ne besojmë që efektiviteti në luftën kundër krimit të organizuar dhe mbi të gjitha kundër korrupsionit, varet më së pari nga garantimi i distancës klinike të punonjësve të Policisë së Shtetit nga praktikat korruptive apo nga lidhjet me botën e krimit. Në këtë kuadër, Shërbimi për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme është një mekanizëm i cili do të kontribuojë fuqishëm në mbajtjen dhe ruajtjen e standardeve të punës në Policinë e Shtetit dhe jo vetëm”, – tha Tahiri.
Relatorja e këtij projektligji, Ermonela Felaj, u shpreh se përmes këtij ligji zgjerohet fusha e veprimtarisë së SHKB-së, ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, u kërkoi deputetëve të opozitës që të mos përdorin projektligjet e qeverisë për të bërë politikë, por të shohin edhe interesin qytetar lidhur me vendimet në fjalë. “Duhet të jemi më të vëmendshëm ndaj ligjeve sepse në fund, pavarësisht interesave politike, pavarësisht gjykimeve partiake dhe personale politike, ligji ka një interes të veçantë publik, është në interes të qytetarit. Dhe qytetarët përtej gjykimeve të ngushta partiake, janë më shumë të interesuar për dobitë e ligjit. Gjuha denigruese me gjuhën konstruktive ka një dallim thelbësor. Themi se nuk duhet politizuar? Po deri dje i kujt ka qenë ai drejtori i SHKB-së? Më vjen shumë mirë që ju pretendoni ligje më të mira. Shumë mirë dhe ne ju garantojmë se do jua japim këtë gjë”, – theksoi Xhafaj.
Projektligji i ri për kontrollin e brendshëm në Policinë e Shtetit
Nëpërmjet projektligjit për “Për shërbimin për ankesat dhe çështjet e brendshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, Ministria e Brendshme thekson se synohet të zgjerohet jo vetëm objekti i veprimtarisë, por edhe subjekti, duke përfshirë si subjekt të mbikëqyrjes dhe kontrollit strukturat e Policisë së Shtetit, strukturën përgjegjëse për ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe objekteve të rëndësisë së veçantë, si dhe strukturën e mbrojtjes nga zjarri dhe për shpëtimin. Të tria këto struktura sipas MB-së janë struktura të zbatimit të ligjit, me status të veçantë në varësi nga ministri i Punëve të Brendshme dhe janë në shërbim të komunitetit dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me të. Qëllimi i këtij projektligji është përmirësimi, forcimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i kapaciteteve të këtij shërbimi, organizimi i tij sipas një modeli edhe më demokratik, në zbatim të parimeve të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të individit, transparencës, kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm civil, funksionimi i plotë i përqasjes proaktive, afrimi i tij më pranë qytetarit, aktivizimi i kontrollit civil ndaj Policisë së Shtetit, strukturës përgjegjëse për ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe strukturës së mbrojtjes nga zjarri dhe për shpëtimin, përshtatja e shërbimit me ndryshimet bashkëkohore të shërbimeve homologe, shtimi i veprimtarive dhe i kompetencave ligjore, instrumenteve, teknikave, formave dhe metodave ligjore për krijimin e produkteve antikrim e antikorrupsion.
Miratohet tek Siguria “Karriera në FA”/ Ndreu: Mazhoranca ka ngatërruar pjesën ushtarake me atë politike
Noka: Na paraqisni konsulencën me aleatët dhe me NATO-n
Braho: Doni të prishni mbledhjen e Komisionit
Mazhoranca miratoi në tërësi pasditen e djeshme në Komisionin e Sigurisë Kombëtare projektligjin për karrierën në Forcat e Armatosura. Drafti i qeverisë ashtu si në çdo mbledhje të fundit të këtij komisioni lidhur me tre projektligjet për ushtrinë, kaloi me debate mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës. Pas kundërshtimeve për mungesën e dokumentacionit të ardhur nga Ministria e Mbrojtjes, deputetët e pakicës parlamentare u larguan nga mbledhja, ndërkohë që punimet vijuan me shqyrtimin e draftit nen për nen.
Edhe pas largimit të opozitës, debatet në komision vazhduan mes përfaqësuesve të mazhorancës, ku socialisti Pjerin Ndreu e quajti “non sens”, që ministrit i janë dhënë kompetenca që nuk i takojnë për pezullimin e oficerëve. Deputeti i PS-së, Pjerin Ndreu theksoi se është ngatërruar pjesa ushtarake me atë politike, duke i dërguar kompetenca pa të drejtë ministrit dhe për këtë paraqiti edhe një propozim, por që iu rrëzua nga shumica në komision. “Keni ngatërruar pjesën ushtarake me politike. I keni deleguar kompetenca pa të drejtë ministrit. Shefi i Shtabit duhet të ketë më shumë kompetenca. Pezullimi i oficerit nga ministri më duket pa kuptim”, – deklaroi Ndreu.
Më herët demokratët nuk pranuan që Komisioni i Sigurisë të vijonte shqyrtimin nen për nen të projektligjit për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura, pa u njohur më parë me konsultat që Ministria e Mbrojtjes ka bërë me aleatët e Aleancës se Atlantikut të Veriut. Përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes e vlerësuan absurde kërkesën e opozitës, ndërkohë kryetari Braho e cilësoi si tentativë për të sabotuar komisionin. Para se të largoheshin si përpjekje te fundit demokratët i kujtuan kolegëve të tyre socialistë, që edhe aleati i i tyre Luan Rama i LSI-së kishte vërejtje për projektligjin në fjalë.
Për të qetësuar situatën kryetari Spartak Braho kërkoi 5 minuta pushim, por dhe pse mbledhja rinisi pa praninë e opozitës, debate pati edhe mes përfaqësuesve të mazhorancës.
Në mbledhjen e fundit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, edhe deputeti i LSI-së, Luan Rama ka kërkuar që ministria e Mbrojtjes të paraqesë referencat e konsultimeve me NATO-n, apo të ndonjë vendi të vetëm, pjesë e aleancës. Gjatë prezantimit në parim që iu bë draftit të qeverisë rreth dy javë më parë kur e pranishme në komision ishte edhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, kërkesës së LSI-së, por edhe të opozitës për të sjellë referencat nga konsultat e zhvilluara me NATO-në, iu dha përgjigje pozitive, por gjatë mbledhjeve pasuese, deputetët u ankuan për mungesën e dokumentacionit të kërkuar.




