Rrëfimi i “korrierit”/ “Drogën e morra në Lushnje, në kontakt me pilotin italian”

 Anxhela Tato

Dëshmia e Saimir Bajramit prova më interesante e prokurorisë, zbulon bashkëpunëtorët dhe trafikun

Transportuesi Bajrami: Më 7 maj mbërrita në Rinas, me 2 persona të tjerë pritëm avionin në pyllin e Divjakës

avioni i ngecur ne plazh divjake droga“Droga ishte bletë në Itali dhe e ngarkuam në makinë në një magazinë në afërsi të Lushnjes. Mu kërkua që të bëja transportin e drogës dhe në datë 7 maj kam mbërritur në aeroportin e Rinasit”, – pjesë e rrëfimit të të arrestuarit Saimir Bajrami. Dëshmia e tij ka zbardhur për prokuren detaje interesante rreth grupit të trafikut të lëndëve narkotike dhe formën sesi funksiononte ky rrjet. Për prokuroren e çështjes dhe oficerët e policisë gjyqësore i arrestuari ka zbuluar emrat e bashkëpunëtorëve, të cilat mbahen të fshehta për arsye hetimore. Saimir Bajrami ka shpjeguar se sasia e drogës ishte blerë në Itali dhe se piloti italian Giorgio Rifomato kishte mbërritur në Shqipëri vetëm për të marrë lëndën narkotike. Më tej në dëshminë e tij, Bajrami ka treguar se për transportimin e drogës, drejtuesit e grupit kishin premtuar dhënien si shpërblim të shumës prej 27 mijë euro, para këto që janë kapur nga agjentët e Policisë së Shtetit. Ndërkohë për sa i përket dëshmisë së shtetasit italian Giorgio Rifomato, ku i fundit nuk ka pranuar implikimin e tij në këtë trafik droge, duke pohuar se në Shqipëri ka qenë për turizëm. Ndërkohë që nga ana e organit të akuzës ka nisur verifikimi i të dhënave të Saimir Bajramit, e cila momentalisht konsiderohet si prova më e fortë për zbardhjen e rrjetit të trafikantëve të drogës. Ndërsa pritet kërkimi dhe zbardhja e të gjitha tabulateve telefonike të të arrestuarve dhe të personave të përmendur në dëshmi nga ana e Bajramit. Sipas akuzës ky rrjet ka funksionuar prej disa kohësh duke qenë aktive në raportimin e lëndëve narkotike në drejtim të Italisë. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka të prangosur vetëm dy korrierët e drogës, ndërsa organizatorët janë ende të lirë.

 

Dëshmia

Për orë të tëra drejtuesi i makinës “Mitsubishi” është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Në rrëfimin e Saimir Bajramit, tregohet se grupi kishte hyrë në dialog me pilotin italian që në Itali, dhe se për operacionin e trafikimit të drogës, ai kishte pranuar kundrejt shumës prej 27 mijë euro shpërblim. “Në këtë operacion jam përfshirë dhe unë dhe për këtë kam mbërritur në Rinas në datën 7 maj. Makinën e kam marrë borxh tek një kushëriri im, të cilën më pas e kam ngarkuar me drogë në një magazinë në afërsi të Lushnjës. Në orët e mesditës jam nisur në drejtim të pyllit të Divjakës, ku aty më prisnin dhe dy persona të tjerë, që janë pjesë e grupit. Kemi qëndruar mes pyllit në pritje të uljes së avionit, dhe pasi kemi parë afrimin e tij jemi afruar në zonë. Kur vumë re se avioni kishte pësuar defekt jemi larguar me shpejtësi. Gjatë rrugës, më është vënë në ndjekje policia, ndërkohë një pjesë të drogës e kam hedhur në pyll. Makina ka pësuar defekt, dhe aty jam arrestuar nga policia”, – ka deklaruar Saimir Bajrami gjatë momentit të marrjes në pyetje. Më tej Bajrami ka sqaruar se 27 mijë euro, do të paguheshin për llogari të pilotit të avionit.

 

Kontrollohet banesa e prindërve të Bajramit

Pas arrestimit të Saimir Bajramit ose siç e kishte më parë “Bega”, i ditëlindjes 6 maj 1979, Policia e Durrësit ka ushtruar kontrolle edhe në banesën e prindërve të tij në lagjen numër 4. Kontrolli është ushtruar menjëherë pas arrestimit të tij në Divjakë. Forca të shumta të Policisë së Durrësit kanë shkuar në banesën prindërve, por siç bëhet e ditur në këto ambiente nuk është gjetur asnjë gjë kompromentuese. Familja e Bajramit kishte ardhur në Durrës në fillim të viteve 90 dhe mësohet se aty banonin vetëm prindërit e të arrestuarit, nëna dhe babai. Ata ishin nga fshati Mashë e Madhe e Krujës. Nga hetimet është mësuar se prej vitesh 35-vjeçari Bajrami jetonte në Bolonja të Italisë, ku ishte dhe i martuar. Ndërkaq makina e bllokuar sipas policisë i përket një kushëriri të të arrestuarit, i cili ishte nga Masha e Madhe.

 

Piloti italian/ “Itinerari i fluturimit Rinas-Durrës-Itali, morra leje që të kaloja nga bregdeti”

Merret në pyetje Giorgio Riformato: Pësova turbulenca në Divjakë, zgjodha të ulesha në plazh

Piloti italian mohon në mënyrë kategorike përfshirjen në rrjetin e trafikut të drogës dhe njohjen me të arrestuarin shqiptar. I marrë në pyetje nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore Giorgio Riformato ka deklaruar se itinerari i fluturimit të tij ishte Rinas-Durrës-Itali dhe ka vënë në dijeni aviacionin civil se donte të kalonte nga vija bregdetare. Më tej ka sqaruar se i është vënë në dispozicion 30 minuta kohë. Sipas tij shkaku i rënies kanë qenë turbulencat ajrorë në zonën e Divjakës, ku ka rënë. “Nuk kam lidhje me trafikun e drogës dhe akuzat që më janë ngritur. Unë kamë qenë kalimthi në Shqipëri dhe kisha për të kaluar nga Rinasi në Durrës dhe më pas për në Itali. Kur shkova në Durrës aty mora në telefon nga Aviacioni Civil dhe u thashë që dua të shkoj nga bregdeti i jugut se me pëlqen. Më dhanë në dispozicion vetëm 30 minuta dhe duhet të kthehesha sërish në Durrës. Pastaj kur shkova në Divjakë, aty pësova një turbulencë ajrore dhe e fika radion. Për shkak se avioni ka pësuar avari gjatë fluturimit kam zgjedhur të ulem në një vend të sheshtë, duke zgjedhur plazhin. Gjatë uljes është dëmtuar rrota e parë dhe kam mbetur në rërë”, – ka deklaruar Giorgio Rifomato për prokurorinë. Ky i fundit ka shtuar se nuk ka njohje me shtetasin shqiptar Saimir Bajrami.  Ndërkohë, policia sqaron se faktin që droga do transportohej me avionin e rrëzuar në rërë e konfirmojnë edhe fakte të tjera, siç janë edhe komunikimet mes kullave të komandimit të në Rinas-Korfuz dhe Pescara, që mendohet të ketë qenë edhe itinerari që të kryente avioni. Sipas bluve, droga merrej në Shqipëri me destinacion tregun jashtë, në rastin konkret Italinë. Të njëjtat burime sqarojnë se mbrëmjen e së shtunës, grupi hetimor i policisë është paraqitur në Rinas, ku janë sekuestruar dokumentet përkatëse të hyrje-daljeve të avionit, si dhe regjistri për këto lëvizje.

 

Takimi Nishani-Llalla/ Presidenti i kërkon kryeprokurorit angazhim maksimal

Presidenti Bujar Nishani i ka kërkuar kryeprokurorit Adriatik Llalla, të drejtojë hetimin dhe të angazhohet maksimalisht për të zbuluar “ngjarjen e rëndë të Divjakës”, siç thuhet në njoftimin e dërguar nga Presidenca. Gjatë ditës së djeshme, Nishani e thirri me urgjencë Llallën për ta vënë në dijeni rreth kapjes së avionit me drogë në Divjakë, por biseda e tyre nuk u bë publike. Dje, zyra e shtypit e Presidentit, njoftoi se “Nishani i kërkoi Kryeprokurorit Llalla angazhimin maksimal të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të drejtuar hetimin që në çastet e para deri në zbulimin e plotë të ngjarjes së paprecedent. Duke siguruar për mbështetjen e tij të palëkundur institucionale, Kreu i Shtetit shqiptar theksoi gjatë takimit me drejtuesin e organit të akuzës, Llalla, se hetimi i kësaj ngjarjeje duhet të jetë i gjithanshëm, me profesionalitet të lartë, transparent si dhe i besueshëm,” – përfundon njoftimi.

 

Share it :