Gëzim Saliu
Blend Klosi me mbështetje më të madhe nga “senatorët” e PS-së, Veliaj sponsorizohet nga “garda” e Ramës
Koalicioni i majtë do të mbyllë për dy ditë procesin e përzgjedhjes së emrave të kandidatëve për zgjedhjet vendore, ndërsa zyrtarizimi i tyre pritet në fundjavë. Ndonëse një pjesë e madhe e emrave janë vendosur, mbetet ende dilema për disa bashki të mëdha, ku më kryesorja duket gara e brendshme për kryeqytetin. Ndërsa fillimisht në këtë garë ishin përfshirë emrat e deputetëve socialistë Blendi Kolsi dhe Pandeli Majko, ministrit të Mirëqenies Sociale Erion Veliaj dhe ish-nënkryetares së Bashkisë Albana Dhimitri, javën e fundit rrethi u ngushtua. Sondazhet tek PS tashmë po zhvillohen vetëm për dy emra, ai i sekretarit organizativ të forcës kryesore politike, Blendi Klosi, dhe ministrit Veliaj. Burime brenda selisë rozë bëjnë të ditur se deri më tani nga sondazhet e brendshme, tek të cilët nuk ka munguar politika ndikuese nga rangjet e larta të partisë, më favoriti në garë është paraqitur Erion Veliaj. Por Blendi Klosi ka si avantazh kryesor të kandidimit të tij mbështetjen e një pjese të konsiderueshme të grupit parlamentar të PS-së si edhe “senatorëve” të saj. Ndërsa në këtë garë duket se krahas sondazheve, përcaktues do të jetë vendimi i Kryeministrit Rama, një fazë e ndërmjetme do të jetë vendimi i Kryesisë së PS-së. Mësohet se të gjithë kandidatët do të kalojnë në filtrin e Kryesisë, e cila pritet të bëjë një miratim formal të emrave tashmë të dakordësuar e ndërsa për garën e Tiranës pritet që të ketë diskutime në mbledhjen e forumit të lartë socialist.
Kryesia
Kryesia e Partisë Socialiste, e cila përbëhet nga 16 anëtarë, është një ndër forumet më të larta vendimmarrëse në forcën kryesore politike në vend. Në rastin e garës së brendshme për Bashkinë e Tiranës, së bashku me sondazhet, vendimmarrja e Kryesisë pritet të jetë përcaktuese për kandidatin final të koalicionit të majtë. Nëse shikojmë listën e anëtarëve të Kryesisë së PS-së vërejmë që më shumë se gjysma e tyre janë “senatorë” të kësaj force. Arta Dade, Ben Blushi, Erjon Braçe, Fatmir Xhafaj, Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Pandeli Majko dhe Valentina Leskaj janë ndër emrat e deputetëve tradicionalë të PS-së. Të gjithë këta emra në vendimmarrjen për Bashkinë e Tiranës janë në mbështetje të kandidatit Blendi Klosi, duke marrë parasysh relatat e vendosura prej kohësh mes tyre dhe deputetit socialist. Po ashtu tek “senatorët” e PS-së përfshihet vetë Pandeli Majko, i cili edhe aktualisht është ndër më të votuarit nga baza për t’u kandiduar në garën e Bashkisë së Tiranës. Por duket se veton kundër Majkos e ka vendosur Rama , i cili preferon në krye të Bashkisë më të madhe të vendit një person më shumë të kontrollueshëm prej tij, sesa një karakter si ish-kryeministrit, i cili shpeshherë nuk ka ngurruar të shprehë qëndrime të kundërta me kreun e partisë. Ndërkaq, duhet theksuar se ka një ndarje të thekuar në Kryesinë e PS-së, ku nëse vërejmë se deputetët tradicionalë janë në mbështetje të Klosit, “garda” e sjellë në PS nga Kryeministri Rama është në krah të ministrit të mirëqenies Veliaj. Ministrat Kodheli, Gjermeni dhe Nikolla duket se do të jenë në krah të kolegut të tyre në qeveri në këtë garë, ndërsa ministri i Brendshëm Tahiri duket në një pozicion të vështirë, pasi dihet miqësia e tij me deputetin Klosi. Tek të pavendosurit mund të përfshihen anëtarët e tjerë të Kryesisë si: Arben Isaraj, Niko Peleshi, Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini. Këta të fundit janë vetë pjesë e garës për zgjedhjet lokale, ku Dako do të kandidojë për të katërtën herë radhazi në Durrës e ndërsa Sejdini për të tretën herë në Elbasan. Por e gjitha kjo katërshe, së bashku me katërshen e ministrave, mbetet në mbështetje të qëndrimit final të Kryeministrit mbi kandidaturat. Deri më tani duket se Rama ka shfaqur një mbështetje më të madhe për kandidaturën e Veliajt, ndonëse rreth një vit më parë e kishte përjashtuar atë nga gara. Por vështirësia tek emri i Veliajt qëndron pikërisht tek “senatorët” e PS-së, të cilët kanë treguar historikisht, përmes vendimmarrjes së tyre, se mund të kritikojnë dhe madje të votojnë edhe kundër liderit politik.
Kryesia e PS-së
Kryetari Edi Rama
Anëtarët
Arben Isaraj
Arta Dade
Ben Blushi
Besnik Baraj
Eglantina Gjermeni
Erjon Braçe
Fatmir Xhafaj
Gramoz Ruçi
Lindita Nikolla
Mimi Kodheli
Namik Dokle
Niko Peleshi
Pandeli Majko
Saimir Tahiri
Valentina Leskaj
Vangjush Dako
Ngërçi me vendimmarrjen e Kryesisë së PS-së, tre anëtarë pa mandat deputeti
Një pikë ngërçi në vendimmarrjen e Kryesisë lidhur me emrat e kandidatëve për zgjedhjet vendore mbetet ajo që lidhet me anëtarët e këtij forumi që nuk e kanë më mandatin e deputetit. Ministrat Kodheli, Nikolla dhe Gjermeni kanë dorëzuar mandatin e deputetit dhe në bazë të statutit të PS-së nuk mund të jenë më pjesë e Kryesisë. Të tre ministrat janë bërë pjesë e Asamblesë Kombëtare të PS-së në 2011-ën, për shkak se ishin deputetë dhe tashmë që ata nuk janë të tillë, rrjedhimisht nuk mund të jenë më pjesë e Kryesisë së PS-së. Ndërkaq, ministri Sajmir Tahiri, pavarësisht se ka dorëzuar mandatin, është pjesë e Asamblesë së PS-së, për shkak të postit të tij si kryetar i degës së PS-së së Tiranës.
Gara për Tiranën/ Veliaj manipulon fotot e festës së Pashkëve, heq Klosin dhe Nikollën
Gara brenda radhëve të detyron ndonjëherë të “fshish” edhe kolegët. Ministri Erion Veliaj ka manipuluar fotot e festës së Pashkëve, duke hequr ato realet që e paraqisnin atë krah për krah me Blendi Klosin dhe Lindita Nikollën në vizitën tek imzot Rrok Mirdita. Në vend të këtyre fotove, Veliaj ka vendosur një foto të dhjetorit të vitit të kaluar, ku uronte imzot Mirditën për Krishtlindje. Me këtë lëvizje, ministri i Mirëqenies është munduar të shmangë publikimin në profilin e tij në rrjetin social “FB” të rivalit brenda radhëve Klosi për Bashkinë e Tiranës. Përzgjedhja e publikimit të një fotoje të thuajse 5 muajve më parë më vend të asaj aktuale nga ana e Veliajt vërteton se ky i fundit e ka marrë seriozisht kandidimin në kryeqytet dhe se për këtë nuk mund të lejojë “publicitet falas” për kandidatin tjetër Klosi.




