Tekniku i pancerave ka deklaruar se do të vazhdojë projektin e tij, për të korrur edhe një tjetër sukses në Euro 2016
Lëv i uritur dhe tashmë synon Euro 2016-ën. Tekniku gjerman ka folur për herë të parë për vazhdimin e punës së tij me skuadrën që u shpall kampione e botës. Një ekip mjaft solid, me shumë të ardhme dhe e gjitha kjo ka ardhur falë punës dhe zgjedhjeve të bërë nga tekniku. Tenkiku i pancerave ka pranuar për mediat gjermane se do të vazhdojë të jetë trajneri i përfaqësueses edhe në të ardhmen. Në një intervistë të dhënë për “Bild”, 54-vjeçari ka pranuar vazhdimësinë e tij në krye të katër herë kampionëve të botës, madje duke pasur pritshmëri të mëdha për rezultatet në të ardhmen. Për të përditshmen e mirënjohur gjermane ai ka theksuar se ndihet i privilegjuar që do të vazhdojë bashkëpunimin me Federatën Gjermane të Futbollit dhe zërat për një largim të mundshëm të tij nuk kanë pasur asnjë bazë të vërtetë. “Jam dhe do të jem trajner i Gjermanisë. Kam pasur gjithmonë mbështetjen e Federatës edhe në momentet më të vështira. Pastaj do të ishte mëkat nëse nuk do të vazhdoja detyrën time, tani që u shpallëm kampion bote. Puna ime me kombëtaren nuk ka përfunduar ende. Gjëra të mëdha na presin në të ardhmen. Kemi përpara Evropianin dhe do të ishte bukur sikur të triumfonim edhe aty. Oreksi vjen duke ngrënë dhe këtë verë neve na u hap jo pak oreksi me fitimin e Botërorit”. Aktualisht, Lëv përfiton një pagë prej 3.5 milionë eurosh në vit, shumë më pak nga ajo që mund të përfitojë si trajner klubi, ndaj pas suksesit në Botëror, Federata po mendon dyfishimin e pagës së tij deri në vitin 2016 dhe tashmë Lëv thjesht duhet të finalizojë me firmë marrëveshjen e re që do t’i ofrohet. Në tetë vjet në krye të përfaqësueses gjermane, Lëv ka fituar një titull Botëror, në 2008 ishte nënkampion Evrope, në 2012-ën arriti deri në gjysmëfinale të kompeticionit kontinental, ndërsa në Botërorin e 2010-ës e renditi Gjermaninë në vendin e tretë. Suksese këto që i japin teknikut arsye për të vazhduar edhe më tej. Tashmë është e rëndësishme që të ketë vazhdimësi te ekipi gjerman, pasi suksesi duhet ruajtur. Mosha e re ekipit që me dorëheqjen e Lamit tashmë bëhet edhe më e re, ka nevojë që të ruajë të njëjtin hap dhe të njëjtën mënyrë të të luajturit. Gjermani, i cili erdhi si zëvendës i Klinsmanit, tashmë është kthyer në një figurë të rëndësishme dhe jetike për pancerat. Futbolli sulmues dhe mjaft efektiv i ka dhënë një fytyrë tjetër ekipit që arriti ta tregonte këtë fakt mjaft mirë në Brazil 2014. Hoakim Lëv u përfol përpara përfundimit të turneut në Brazil se mund të transferohej te turqit Fenerbaçe dhe nëse do të fitonte titullin botëror me Gjermaninë. Mirëpo kjo nuk ka ndodhur dhe tashmë ka një punë të madhe përpara për eliminatoret që e çojnë në Euro 2016. Një detyrë jo e lehtë, pasi kësaj radhe vijnë me petkun e kampionëve të botës dhe u duhet të luftojnë shumë për të arritur rezultate pozitive.
Shaqiri i shkel syrin Juves, një opsion i mirë
Tashmë duket se telenovela “Shaqiri-Juvenutus” mund të shkojë drejt një fundi të lumtur. Këto ditë është raportuar se talenti që luan për helvetët kërkohet nga Masimiliano Alegri si përforcim i skuadrës bardhezi për sezonin e ri. Lojtari ka deklaruar se i pëlqen ekipit italian, por për momentin nuk ka asnjë kontakt me ta. “Juventusi është një opsion i mirë, ata janë një skuadër e madhe dhe nuk ka lojtar që nuk dëshiron të jetë pjesë e tyre”. Kështu është shprehur për të përditshmen italiane “Tuttosport” ylli i Bajernit të Mynhit, Xherdan Shaqiri, i cili po kërkohet ditët e fundit nga disa skuadra italiane. “Juventusi nuk do të ishte një hap prapa në karrierën time, por unë për momentin jam në pushime dhe vëllai im merret me të ardhmen time, unë nuk e di nëse Juventusi i ka bërë ndonjë ofertë Bajernit për mua”, – është shprehur Shaqiri.
Liverpuli në kërkim të Vidalit
Liverpuli është skuadra e fundit dhe më e re që është futur në garë për të transferuar superyllin e Juventusit, Arturo Vidal. Reali i Madridit dhe Mançesteri janë duke e monitoruar situatën e lojtarit për një kohë të gjatë, e ardhmja e të cilit është mjaft e lëkundshme. Sipas mediave angleze, të kuqtë janë skuadra më e re që është futur në garë për kilianin e Juventusit. Sidoqoftë, skuadra që dëshiron shërbimet e mesfushorit, duhet të paguajë më pak se 54.5 milionë euro, duke mos harruar këtu një pagë prej 250 mijë euro në javë për lojtarin. Vidal besohet se ka qenë një ndër arsyet e largimit të Kontes nga Juventusi, i cili nuk ka pranuar nga drejtuesit e skuadrës të lejojë shitjen e tij.
Pelegrini: Na duhen përforcime
Kiliani Manuel Pelegrini nuk ndihet i kënaqur me skuadrën e tij, sipas të cilit asaj i mungojnë edhe disa lojtarë për të cilët do të shikojë në vazhdim. Mançester Siti është momentalisht kampion i Premier Ligës, mirëpo këtë vit do të ketë më shumë rivalitet nga skuadrat tjera si Çelsi, Arsenali, Liverpuli dhe Mançester Junajtid, të cilët kanë bërë lëvizje gjatë merkatos verore. “Unë mendoj se skuadra ime ende nuk është e kompletuar. Pavarësisht nga kjo, ne kemi edhe gjashtë javë kohë derisa të mbyllet afati kalimtar veror. Ne e kemi si opsion të sjellim një apo dy lojtarë në skuadër, ndërsa nga skuadra mund të largohen një apo dy lojtarë tjerë. Ne do të mendojmë dhe do të konsiderojmë për më të mirën që është për skuadrën tonë”, – deklaroi tekniku i të kaltërve.
Samer: Riberi, i uritur për sukses
Drejtori i bavarezëve, Matias Samer, ka deklaruar se mesfushori francez Frank Riberi ndihet në formë të mirë dhe është më i uritur se kurrë për suksese. Riberi nuk ishte pjesë e skuadrës së Francës për Botërorin Brazil 2014, për shkak të një lëndimi, por tashmë ndihet mirë dhe më se i gatshëm për lojë. “Frank është më i uritur se kurrë. Ai është në një gjendje të mirë psikologjike. Jam me të vërtetë shumë i lumtur për të. Ai dëshiron t’u tregojë të gjithëve se mund të bëjë gjëra të tjera edhe më të mira, pavarësisht prej mungesës në Botëror për shkak të lëndimit. Ne do të shohim një Riberi shumë të fortë që nga fillimi i sezonit të Bundesligës”, – u shpreh Samer.
Konte shikon opsionin PSG
Antonio Konte po lidhet me postin e trajnerit të Paris Sent-Zhermenit, pas dorëheqjes nga Juventusi. Strategu italian i tronditi të gjithë kur dorëzoi dorëheqjen për largim nga “Zonja e Vjetër”, edhe pse e kishte rinovuar kontratën. Spekulohet se Lorant Blank mund të largohet nga kampioni i Francës dhe vendin e tij pritet ta zërë 44-vjeçari. Konte mori drejtimin e torinezëve në vitin 2011 dhe i fitoi tre tituj radhazi në Serinë A. Ai nuk ishte i suksesshëm në Evropë me “Zonjën e Vjetër” dhe këtë mund ta provojë me PSG-në, pasi aty ka më shumë yje dhe mundësi ekonomike për të bërë një merkato të mirë.




