Rihana mund ta mbajë për një javë Romeron, nëse fiton Botërorin

ARCHI_224949Tashmë duket se gjithçka shkon mirë për Romeron. Jo vetëm në punën që ai bën, por edhe jashtë saj. Portieri ka marrë vëmendje edhe nga femrat, duke përfshirë këtu edhe Rihanën. Këngëtarja me famë botërore ka shfaqur interes për portierin e Argjentinës, Serxho Romero, heroi që dërgoi albiçelestët në finalen e Botërorit dhe tashmë është bashkëshortja e gardianit që i bën një premtim special këngëtares nga Barbados: “Nëse shpallemi kampionë bote, do të ta fal për një javë”. Në shaka e sipër, Eliana Guersio, gruaja e portierit të Monakos, ka reaguar ndaj tweet-it të Rihanës për portalin argjentinas “TN”. Gjatë ndeshjes Argjentinë-Iran, Rihana shprehej për Romeron me fjalët: “Romero is on point”.

 

Bashkëshortja ngushëllon Shnajderin

Holanda pardje pësoi eliminimin nga penalltitë dhe Shanjderi ishte një nga dy lojtarët që gaboi nga pika e 11-metërshit. Fantazisti tulipan është gjithmonë i saktë nga ky pozicion, mirëpo presioni i ushtruar dhe nga humbja e parë e penalltisë nga Vlari, bëri që futbollisti i Gallatasarajit të humbte toruan. Një penallti që hodhi poshtë shpresat dhe solli edhe largimin e Holandës, duke mërzitur jo vetëm futbollistin e Gallatasarajit, por të gjithë tifozët “tulipanë” në të gjithë botën. Por Jolante Kabau, bashkëshortja e mesfushorit, mendon krejt ndryshe. Ajo ndjehet krenar me kampionin e saj dhe për këtë arsye ka postuar në Whosay disa foto romantike me Shnajderin. Një gjest mjaft mbështetës për lojtarin që ndihet i trishtuar që la skuadrën e tij jashtë finales.

 

Tifozët brazilianë djegin fanellën e Nejmarit

Irritimi i brazilianëve pas humbjes turpëruese në gjysmëfinalen kundër Gjermanisë nuk njeh limite. Edhe pse ylli i skuadrës, Nejmar, nuk mundi të luante për shkak dëmtimi, disa tifozë të Seleçaos, shumë të mërzitur nga rezultati tenistik i “pancerave”, 7-1, kanë djegur fanellën e Nejmarit. Djegies nuk i ka shpëtuar as flamuri kombëtar brazilian. Gjermania arriti një rezultat historik, duke turpëruar Brazilin në shtëpinë e tij dhe duke prekur finalen e madhe të “Maracana”-së. Kjo ka shkaktuar edhe tërbimin e tifozëve që arritën deri aty sa dogjën edhe disa autobusë që gjendeshin në Sao Paolo. Një popull që njihet për dashurinë e futbollit ndërkohë që në këto momente po përjeton një zi, edhe pse ka mbetur edhe finalja e madhe për të luajtur.

 

Klinsman feston me pasta triumfin e Gjermanisë

Jurgen Klinsman u eliminua me Amerikën e tij nga Belgjika në fazën e parë eliminatore dhe u detyrua t’i thoshte lamtumirë Botërorit Brazil 2014. Mirëpo fitorja historike e Gjermanisë ndaj Brazilit në gjysmëfinalen e parë të Brazil 2014 ka bërë që në rrjetet sociale të plasë ironia kundrejt Seleçaos. Nga ky rast ka përfituar edhe tekniku gjerman i SHBA-së, Jurgen Klinsman. Ish-kampioni i botës në 1990 i ka bërë një reklamë të vogël pastiçerisë së tij në Shtutgart, teksa ka publikuar në profilin e tij në “Twitter” foton e një paste, e cila i dedikohej fitores 7-1 të “pancerave” në Belo Horizonte. Kujtojmë se lojtari ka qenë edhe një ndër lojtarët kryesorë të botërorit të 1990 teksa vendi i tij ndodhet pikërisht pas 24 vitesh në finale.

 

Share it :