Këngëtarja Myfarete Laze, “sherr” me gratë e burgut
Violeta Murati
Gazetarët dhe kamerat sikur të kishin rënë në një pre ushqyese, ndiznin dritat, ngrinin lapsin dhe nisnin pyetjet pa shumë rezistencë të grave e vajzave të dënuara, të ulura në radhët e para të karrigeve në Teatrin Kombëtar.
Dy furgonë policie ishin në dyert e jashtme. Andej nga është hyrja e zakonshme në teatër, portat ishin të mbyllura. Hyrja bëhej nga pas, si çështje sigurie. Ulur, në dritën e pakët, gratë dhe vajzat e dënuara, të lyera, të veshura edhe sipas modës, ishin përzier me gazetaret dhe zor se bëhej dallimi. Qeshnin, sa me njëra-tjetrën ashtu me gazetaret që i pyesnin pa droje.
Nuk tha emrin, por tregonte pa problem se ishte dënuar për lëndë narkotike. Dhe tjetra në krah po për lëndë narkotike, dhe ca të tjera për të njëjtat arsye. Policet femra i ruanin, i hidhnin sy të shpejtë si për t’u treguar mos thoshin ndonjë gjë më tepër se ç’duhej para mediave.
Këto të dënuara për droge ishin më të shkathëta, më të hedhura edhe thoshin ndonjë fjalë që nuk donin t’ju dilte drejtpërdrejt, por që na kursenin për t’i shkruar “me kopili”.
Nuk flisnin për kësi gjërash, as kur i pyesje – të shihnin me kërcënim, se nuk i donin pyetjet e shumta. Këto vajza ishin vendosur në një krah, si më të lira për të folur. Kur papritur dikush bërtet dhe thotë se nga krahu tjetër janë gratë e vajzat e dënuara më rëndë, ndaj nuk duan të flasin. Ato ishin më të heshtura, më në moshë. Atyre vetëm ngadalë mund t’jua afroheshe. Nuk donin kamerat, se kështu i kishin porositur për të mos folur. Por disa prej tyre nuk donin të flisnin fare, pasi u kishte mbetur dhe pak ditë, për të dalë nga burgu.
I afrohemi F. Gj., bionde me sy bojë qielli. Pak e ashpër, por gati të fliste, të çlirohej se çfarë i kishte ndodhur. Ndaloi dhe tha: “Jo, jo, nuk flas për televizionet. Nuk dua që ta dinë historinë time”.
Por kaq mjaftoi që ajo të mos ndiente rrezikun e kamerës dhe të vazhdonte: “Të jeni e sigurtë se atë që kam hequr e përjetuar unë, pa diskutim që do ta kryeni edhe ju si vrasje!” Ajo kishte vrarë të dashurin. E tregoi: “Po, e vrava, nuk kishte rrugë tjetër. Nuk jam aspak e penduar, gjithkush do vepronte si unë”. F. Gj., me flokë bionde nuk u përmbajt më, duke u mbështetur dhe nga policja që e ruante në krah, e inkurajonte që të na e tregonte gjithë historinë e saj. “Çfarë të tregoj, për mua e rëndësishme është që jam pajtuar me familjen e tij, ata më kanë kuptuar se ç’kam vuajtur prej tij. Më ka kërcënuar. Ka ardhur i armatosur, donte të më merrte me zor”. F. Gj. kishte kryer deri tani 5 vjet të dënimit, i mbeteshin dhe gjashtë. Kaluam te dy gra të tjera, pak të egra në natyrë, por e fshihnin entuziazmin. Këto të dyja nuk pranuan të flisnin, as për dënimin as për akuzën. S’donin se ishin në fund të burgut të tyre, pritnin të linin qelinë, të ishin të lira.
Njëra e dënuar për drogë, tjera na tha se ishte e “143” – pa e zgjatur; rreth të 50-ve, dy gratë u kthyen për nga skena të kapura përdore.
Për të gjitha mjaftonte që nuk kishin në Teatër hekura nëpër duar. Vëzhgimi ndaj tyre ishte i rreptë. Këngëtarja e njohur Myfarete Laze na përshëndeste dhe lëvizte mjaft shpesh, sikur kontrollonte çdo gjë të thënë në vajzat e gratë e dënuara. Punonte si duket me këto gra të burgosura, dhe kishte negociuar që ato të vinin në teatër. Shfaqja ishte “10 vjet martesë”, me regji të Inis Gjonit, e cila ia dedikoi premierën të dënuarave si një ditë normale larg qelisë.
Dy vajza të reja, me duart shtrënguar me njëra-tjetrën gjithë kohën, gazmore, por edhe më çapkënet, rreth moshës 20 vjeç – na treguan pa asnjë ngurrim se ishin në burg për trafik droge. Njëra, me inicialet F. H., e dënuar 5 vjet, tha se ishte përfshirë aksidentalisht, e penduar vetëm për veprimin e saj, se nuk e kishte menduar pasojën. Kurse vajza brune, 22-vjeçarja, e plotëson shoqen e saj. Ajo thotë me një frymë: “Edhe unë për trafik droge jam dënuar, veçse me një ndryshim nga F. H., se kam pasur koshiencë të plotë për çfarë po bëja”.
Të gjitha pothuaj e lidhin emrin e tyre, si të porositura, me germën F.
Edhe 22-vjeçarja thotë se quhet F. Ç. dhe kërkon të na bindë se jeta e saj ishte e papërballueshme para se të hynte në burg, se me 10 mijë lekë në muaj që merrte nga puna nuk ia dilte, se prindërit nuk kishin mundësi ta mbanin… “S’kisha rrugë tjetër”, – thotë F. Ç.
Po përgatitej të fillojë shfaqja. “Takimi” me gazetarët gati ishte si e porositur për t’u qenë mirënjohëse organizatorëve që i nxorën për pak orë nga burgu. Sipas dëshirës ato ishin të lira të tregonin vetëm historinë e tyre të dënimit, por jo më shumë. Vetëm ca prej tyre flisnin lirshëm, por jo të gjitha. Ato më të rejat ishin më të guximshme. Regjisorja Inis Gjoni del para tyre dhe i uron mirëseardhjen, por ashtu uron dhe daljen e tyre e shpejtë nga burgu.
Kusht për lirinë ishte edhe kjo shfaqje. Pjesa ishte komedi, luanin aktorët Genc Fuga dhe Eni Jani. Martesa në krizë, një shfaqje që mbahej nga batutat dhe situatat. Gratë e vajzat e dënuara qeshnin me të madhe, për fjalët banale lëshonin klithma e përplasnin fort duart. Ato më të vjetrat lëshonin sytë vëngër drejt të rejave, si për t’ju thënë se ishte turp të qeshnin me batare. Kur gruaja në skenë i mblidhte burrit, – ndonjë zë vajzë në sallë bërtiste: “Bravo”! E shihnin shfaqjen krejt të çliruara, tundeshin në karrige sa herë ishte muzika. Gajaseshin me aktorët. Përplasnin duart me njëra-tjetrën, sikur t’i njihnin skenat. Në fund: “Ishte shfaqje e mirë, më pëlqeu se tregonte si duhej të ishte familja”, – tha njëra prej tyre, gruaja që priste të lirohej nga burgu së shpejti. Vajza e re, që e kishte parë shfaqjen gjithë kohën me thirrma, pak rebele, pa ndonjë hezitim tha: “Shfaqja e mirë, u argëtuam, ia kaluam mirë!”
Radhëve të grave e vajzave të dënuar në sallën e Teatrit Kombëtar i ishin bashkuar dhe dy aktore, Rajmonda Bulku dhe Marjeta Ljarja, pa folur asnjë fjalë.
Dritat u fikën dhe shfaqja për të dënuarat mbaroi. U ndezën dritat e sallës dhe të gjitha nën vëzhgimin e policeve dhe forcave të shtuara të rendit u rreshtuan për një, gati për t’u nisur. Kur papritur një zë i lartë i mblodhi të gjitha rreth vetes. Ishte këngëtarja Myfarete Laze, që mësuam se u merrte me këshillimin dhe pjesën psikologjike të tyre në burg.
Laze ishte e indinjuar për të burgosurat. Si duket, njëra prej tyre apo disa prej tyre ishin shprehur për vajzat dhe gratë e lira të mediave se nuk kishte kushte të mira në burg. Kaq ka mjaftuar që “mbikëqyrësja” psikologjike të shpërthente papritur, sa mund ta merrje për ndonjë arratisje të mundshme të ndonjërës prej tyre.
“Jam e indinjuar qe i jepni gojës, pasi jemi të vetmin vend në botë që veprojmë në këtë mënyrë dhe e bëjmë këtë kundër çdo konvente…”, – ishin fjalët e papritura të këngëtares, që, si duket, kishte pritur që të burgosurat të ishin mirënjohëse, – këtë ta kishin thënë në media!!! Në fillim nuk u kuptua për çfarë bëhej fjalë, por u mor vesh shpejt në oborrin e teatrit, por edhe nga një polic, mesoburrë që mësoi arsyen e “grindjes”.
“Pse mos të flasin të dënuarat? Kanë të drejtë të flasin ç’të duan”, – tha polici, i qetë duke shoqëruar gratë e vajzat që ishin rrudhur nga ky “dënim” i papritur në Teatër, prej një artisteje.
Tjetër entuziazëm reflektonte regjisorja Inis Gjoni. Pas shfaqjes ajo tha se e gjithë atmosfera e krijuar ishte për të çliruar e shtensionuar jetën e grave dhe vajzave të dënuara, për t’u dhënë disa momente argëtimi nga jeta normale. “Ishte një nga kënaqësitë e mëdha që ato gra e vajza i jetojnë e gëzojnë shumë pak momentalisht. Ftesa për ditën e 8 Marsit është një traditë në punën time si regjisore, dua t’i prek dhe t’i bëj të ndiejnë jetën reale”, – tha Inisi.
Në një rresht të gjatë, gratë “e përzgjedhura” nga burgje të ndryshme të kryeqytetit, shoqëruar me gardhin e policëve, iu ngjitën furgonit drejt qelisë.
Gati mes tyre “u rrëmbye” edhe një gazetare, sikur kjo ditë të mos u kishte dhënë as të drejtën për të folur!




