Rënia e intelektualit

Artan FUGA

 Një thirrje e dëshpëruar

Artan_Fuga        Në muajt e fundit ka nga ana e opinionit publik, në shumë raste edhe një thirrje që është sa e kuptueshme, aq edhe e dëshpëruar:

         Ku janë intelektualët?

Nuk po i hyj këtu përkufizimit të fjalës intelektual, sepse do të hapja shumë diskutime dhe do të duhej kohë për të rënë në një mendje me lexuesin, por le ta marrim në një kuptim shumë të thjeshtë, fillimisht, pa pretenduar më shumë, si një njeri i dijes, i kulturës, specialist i shkencave, e pastaj me të gjitha vlerat etike të një kërkuesi të së vërtetës në fushën ku është formuar, si edhe me një ndërgjegje qytetare që u korrespondon detyrave dhe përgjegjësive që ka.

 

            Ku është intelektuali?

Shpesh kjo thirrje vjen nga fakti se ka masa qytetarësh që janë të zhgënjyer nga politika, dhe duhet thënë se kanë zhgënjime nga disa krahë të politikës njëherësh. Studimet e opinionit publik që kryhen në forma të ndryshme tregojnë se kjo vjen nga shumë arsye, por njëra prej tyre është pa dyshim edhe fakti që qytetarët shohin se ka politikanë që nuk i përfillin sa duhet, shohin se ka dallime të mëdha midis asaj që vëzhgohet në realitet dhe fjalëve që thuhen në foltoret politike, qoftë për nivelin e debatit politik që shpesh përfundon në sharje dhe fyerje dhe nuk ka thelb dhe përmbajtje.

Ndërkohë që një pjesë e opinionit është edhe e mërzitur nga fakti se në mediet klasike, televizione dhe shtyp të përditshëm, opinioni është monopolizuar nga disa personazhe, të cilët në mjaft raste kryejnë analiza objektive dhe kritike, por në shumë raste të tjerë, krijojnë monotoni, uzurpojnë fjalën e lirë dhe mbi të gjitha ka disa prej tyre që e kanë tepruar duke u marrë me çdo gjë edhe jashtë çdo kompetence profesionale apo shkencore, duke sjellë një politizim të problematikës sociale.

Por, ka edhe një pjesë të opinionit publik, e cila, e mërzitur sikurse është nga vështirësi të ndryshme ekonomike, sociale apo familjare, kërkon një shpëtim duke e hequr barrën e përgjegjësisë nga vetja.

 

     Ku është intelektuali?

            Ku janë intelektualët?

Kjo thirrje i ngjan asaj thirrjes së dëshpëruar të dikujt që po mbytet dhe thërret: “Ndihmë!”, pa e menduar dot shumë se rreth tij nuk ka njeri dhe se duhet të mendojë më së pari të dalë vetë nga pellgu ku mund të ketë rënë qoftë ky liqen, det apo një filxhan me ujë.

 

            Ku është intelektuali?

Kjo thirrje është ushqyer edhe sepse në luftën politike, fushatat elektorale, ndodh që partitë ftojnë edhe intelektualë në peticione, a kundërpeticione duke krijuar iluzionin se po qe se hyri intelektuali në “lojë” atëherë drejtësia e çështjes është e siguruar. Përdoret intelektuali si një “ikonë” së cilës duhet t’i falemi, me një fjalë intelektuali pranon pikërisht atë që është në kundërshtim me natyrën, statusin dhe rolin e tij, nga emancipues dhe mbështetës i mendimit kritik ndaj çdo gjëje dhe personazhi, në një ikonë e vetvetes.

 

            Mirëpo thirrja e dëshpëruar:

Ku janë intelektualët? – vjen edhe nga iluzione të shkuarës apo edhe nga realitete historike, por që nuk mund të përsëriten dot më. Janë ndonjëherë edhe rrjedhoja krijimesh nga letërsia artistike e realizmit socialist apo e romantizmit rilindas kur janë hyjnizuar personazhe, emra, individë, e kështu me radhë. Një keqkuptim i librave, një gabim i trajtesave historike që personalizojnë historinë duke ja u veshur këtë gabimisht ca heronjve apo ca figurave djallëzore. Një perceptim krejt i gabuar i së shkuarës, por që kur përsëritet, tregon një mentalitet patriarkal ku është i zoti shtëpisë që bën gjëmën, diellin, dhe shiun. Por, historia nuk bëhet në atë mënyrë.

Duket sikur një popullsi e ushqyer prej dhjetëra vjetësh me ideologji kërkon te intelektuali dhjetë cilësitë e anëtarit të partisë së dikurshme, trim, punëtor, që e di të ardhmen e ndritur që e pret popullin, i pagabueshëm në bindjet e veta, udhëheqës i masave etj. Një figurë e cila nuk ka vend të ndalemi për të thënë se çfarë solli dhe çfarë i rezervoi e ardhmja. Por, mentaliteti vazhdon. Ai mbivendoset me ato të figurave historike që kemi hyjnizuar për nevoja propagande apo marketingu a identiteti kombëtar përgjatë historisë dhe e çon opinionin publik të sotëm drejt pyetjes dëshpëruese:

Ku janë intelektualët?

Përgjegjësia si gjithmonë i kërkohet tjetrit.

Por, ka edhe disa tipa intelektualë që ia veshin vetes këtë rol, por në fakt nuk sjellin asgjë dhe në shumicën e herëve janë manekinë në duart e të fuqishmëve të së kaluarës, të sotëm apo të nesërm.

 

Intelektuali nuk është Selamusa

Ne boten e sotme janë disa rrethana që e zëvendësojnë intelektualin me tri figura të tjera që mbizotërojnë vendimmarrjen dhe që janë:

  1. Eksperti teknicien.
  2. Nëpunësi.
  3. Militanti apo partiaku, politikani.

Duket se intelektuali si “udhëheqës” masash dhe emancipues i ka takuar më shumë shekullit të nëntëmbëdhjetë sesa atij të fundit të shekullit të njëzetë dhe fillimit të shekullit të njëzet e një.

Këto rrethana, nisur nga sociologjia e organizatave dhe e burokracisë janë dy, njëra me përmasë vertikale dhe tjetra me përmasë horizontale.

 

            Me përmasë horizontale.

Vendimmarrja shpesh është bërë e tillë që kërkon medoemos informacione dhe dije, si edhe ndërthurje interesash që vijnë nga fusha të ndryshme.

Për të ndërtuar një hidrocentral të madh, duhet të dish edhe nga hidraulika, edhe nga elektriciteti, edhe nga materialet e ndërtimit, edhe nga gjeografia fizike, edhe nga ekologjia, edhe nga ekonomia, edhe nga financat botërore edhe… Vendimmarrja është shumëpërmasore, kurse intelektuali si dijetar apo shkencëtar nuk mund të jetë i tillë veçse në njërën nga fushat e cituara ose e shumta edhe nga ndonjë fushë e përafërt.

Çdo intelektual që mund të jetë shumë i zoti në fushën e tij, kur shprehet jashtë saj, nuk bën tjetër veçse manipulon me statusin e tij të vërtetë në një fushë tjetër, me reputacionin e tij atje, duke u përpjekur që me anë të tij të imponohet në fusha të tjera ku nuk është fare kompetent. Kjo nuk quhet ndershmëri intelektuale, kjo quhet manipulim i audiencës apo i elektoratit.

Gjenerali kur shprehet për letërsinë nuk është më gjeneral, por hiqet si letrar apo kritik arti. Fizikani kur shprehet për ekonominë nuk është më fizikan, por hiqet si ekonomist. Shkrimtari që flet për politologji nuk është më shkrimtar, por hiqet si shkencëtar në fushën e studimeve politike, por thjesht një propagandist. Inxhinieri kur flet për sistemin elektoral, nuk është thjesht inxhinier, por flet po aq me siguri sa edhe një hidraulik, kuzhinier, lopçar dhe aspak një specialist i sistemeve elektorale.

Hapja e intelektualit përtej fushave ku ai është specializuar me statusin e tij e shndërron atë menjëherë nga intelektual në ikonë që manipulon.

Duke qenë se asnjë intelektual në fushën e tij nuk mund të jetë i tillë në të tjera, atëherë vendimmarrësi është ai që organizon, koordinon, bën politikat, angazhon forca që vijnë nga fusha të ndryshme, dhe në këtë punë në disa fusha, askush nuk mund të jetë më intelektual, por menaxher, vendimmarrës, ekzekutues vendimesh ose politikan në demokracitë elektoraliste.

 

            Me përmasë vertikale.

Edhe përmasa vertikale që ka vendimmarrja në botën e sotme tekniciste e nxjerr nga loja si drejtues intelektualin dhe ia jep rolin kryesor politikanit, nëpunësit dhe ekspertit teknik në shërbim të tyre.

Qoftë edhe brenda një fushe të vetme ka hallka dhe nivele që trajtojnë mijëra problemet konkrete që përcaktojnë vendimmarrjen. Edhe për ndërtimin e një rruge të vetme kombëtare duhen zgjidhur mijëra probleme të niveleve të ndryshme derisa të arrihet te maja e vendimmarrjes. Rrjedhja e ujërave, lloji i terrenit, shtresat tektonike, klima, sasia e qarkullimit, llojet e trafikut e pa fund anë të tjera. Asnjë intelektual në majë të sistemit nuk mund t’i dijë të gjitha këto. Ai që është në majë në vend të jetë intelektual, ka nevojë më së pari të jetë teknicien, nëpunës, menaxher dhe në demokracitë elektoraliste mirë a keq është politikan.

Drejtuesi nuk mund të jetë intelektual në të gjitha fushat që mbulon, si drejtues ai është drejtues dhe jo gjë tjetër, e shumta që mund të jetë është të ketë aftësinë të përdorë intelektualët në funksion të një vendimmarrjeje që në fakt është ai me pushtetin e vet që e merr.

Intelektuali mbetet vartës, jo tribun drejtues.

Kjo është epoka jonë.

T’i kërkosh intelektualit të jetë si shekuj më parë njeriu që ndriçon masat, hap rrugën për vendimmarrje të mëdha apo i merr ato vendime, që shpall drejtësinë dhe e di rrugën se ku do të shkohet, është një utopi. Është ta mendosh botën e sotme sikur të ishte bota e kohëve të kaluara.

Të kërkosh që Akili të na çudisë, ndonëse ne mund të udhëtojmë me shpejtësinë e avionit, të kërkojmë që Prometeu të na çudisë, kur zjarrin mund ta ndezim me një çakmak, të kërkojmë që Herkuli të na çudisë, kur mund të ngrejmë tonelata me një ekskavator.

Ëndrra që intelektualët të dalin në tribuna si Martin Luter Kingu, pastori protestant që ngrihej si qytetar, jo si intelektual (në vitin 1991 është provuar nga instanca juridikisht kompetente se doktoratura e tij në Universitetin e Bostonit ka qenë pjesërisht e kopjuar prej tij nga puna e një studenti të mëparshëm – por kjo nuk e ul vlerën e madhe të tij si emancipues i të drejtave të njeriut) kundër segregacionizmit që shtypte komunitetin të cilit ai i përkiste nuk ka se si realizohet.

Ose intelektuali i tribunave është një manipulator, ose i manipuluar.

Ose nuk ka asgjë më shumë se një qytetar i formuar si të tjerët.

Ose është kthyer në politikan dhe nuk është më intelektual, sa kohë që është në përmasën e tij të marrë sërish. Pra, e ka braktisur statusin e tij, duke e bartur reputacionin e formuar ndofta me meritë në një fushë, te një fushë tjetër ku ai nuk ka përse të ketë asnjë shkallë besueshmërie paraprake. Po e bëri këtë shndërrohet fatalisht në ikonë që kërkon bindje dhe nënshtrim nga opinioni publik dhe nuk vihet në pozicion të barabartë me dialoguesit e tij.

Patetizmi për rolin shpëtimtar si udhëheqës masash dhe çështjesh sociale të intelektualit në një botë që ka nxjerrë aktorë të tjerë në skenë është thjesht një nostalgji.

Por, intelektuali nuk është si Selam Musai që hedh gunën mbi tela dhe mësyn… Kjo është tjetër figurë…

Ose një industri prodhimi idhujsh mediatikë që i imponohen opinionit publik nëpërmjet zhurmës mediatike.

Intelektualët kanë punë të tjera për të bërë në shërbim të së mirës së përgjithshme para sesa të jenë agjitatorë dhe drejtues vendimmarrjesh makrosociale.

 

Çfarë mund të bëjë intelektuali?

Të gjitha, por jo më atë të tribunit popullor që udhëheq masat drejt një ideali të pagabueshëm. Atë që duhet ta bëjë komuniteti qytetar nëpërmjet institucioneve demokratike, nuk mund ta bëjë as një i ditur as edhe një komunitet të diturish. Qytetari nuk mund t’i besojë askujt tërësisht, shprehej Rusoi, disa shekuj më parë, sepse në çastin që i ka hequr të gjitha të drejtat vetes për veprim, dhe këto ia ka dhënë dikujt tjetër, edhe të zgjedhur prej atij vetë, atëherë ai ka farkëtuar një zgjedhë të dytë edhe më të rëndë nga ajo nga e cila ka dashur të shpëtojë.

Jo më atë të vendimmarrësit suprem që di me siguri se çfarë duhet bërë dhe çfarë nuk duhet bërë për të ndërtuar një shoqëri të mirë dhe të emancipuar. Asnjë vendimmarrje në kohën e sotme nuk është një akt i izoluar dhe i vetmuar. Dhe nëse është i tillë, ku intelektualët apo politikanët ndërtojnë sisteme të mbyllur, me pretendimin se janë të përkryera, ato sisteme janë parimisht të gabuara.

Detyra më parësore e intelektualit është që të arrijë ato objektiva në fushën e tij të dijes, të kulturës, të artit dhe t’i realizojë më së pari me vërtetësi shkencore dhe me nivel të lartë kulturor. Ka intelektualë që e harrojnë këtë. E kanë lënë prej kohësh strategjinë se e vërtetë kërkohet në radhë të parë në shkencë dhe në kulturë.

Por, sigurisht që intelektuali është shumë më tepër sesa ajo që ai bën profesionalisht në fushën e tij. Dhe këtu është fakti se në dije edhe në kulturë kërkohet edhe një etikë, kërkohet dashuria me të vërtetën, respekti për lirinë e mendimit dhe të debatit, respektimi i të drejtave të tjetrit. Këto vlera janë bazë edhe për sistemet demokratike. Për këtë intelektuali nuk ka sesi të mos jetë edhe një shembull dhe model, dhe luftëtar për t’i ruajtur dhe zhvilluar këto vlera. Por, jo të kthehet në një të gjithëditur ku në çdo fushë kërkon të imponohet me një reputacion të zhvendosur dhe të transferuar nga fusha të tjera.

Luftëtar, pa tjetër, por i ideve të veta, në fushën ku është kompetent, për t’i përhapur ato dije, për t’i vendosur në jetë, për të mos lenë që të tjetërsohen nga struktura burokratike, klane dhe lobingje interesash të ngushta private, pra për të mirën e përgjithshme.

Gjithsesi, nuk jemi në kohën dhe mendësinë e Platonit, kur e vërteta, e mira dhe e bukura janë e njëjta gjë ose mbivendosen me njëra-tjetrën. Një dije e vërtetë, e prodhuar nga intelektualë të niveleve të larta, mund të përdoret edhe për qëllime amorale. Intelektuali me dijet e veta të larta mund të jetë edhe personifikimi i amorales. Kurse e bukura jo medoemos ka edhe të vërtetën me vete, sepse bukuria mund të jetë edhe një vlerë që kënaq shpirtin, por nuk ka asnjë realitet.

 

 

 

Share it :