Florenc Drizari
Një javë pas shkëmbimit të letrave, s’ka negociata PD-PS për reformën administrative-territoriale
Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, i quan thirrjet e fundit për kompromis nga krerët e politikës shqiptare lidhur me reformën administrativo-territoriale, një qasje për të kaluar situatën politike të momentit.
Një javë pas shkëmbimit të letrave mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mësohet se ende nuk ka negociata mes stafeve të tyre politike. Pas deklaratave të fundit të dy liderëve, gjasat për një takim të mundshëm duken edhe më të largëta. Fillimisht, ishte Kryeministri Edi Rama që ndërmori hapin e parë, duke i dërguar në letër kreut të opozitës për uljen në një tryezë të përbashkët lidhur me gjetjen e një konsensusit për reformën administrativo-territoriale, ndërkohë që pak ditë më pas, po me anë të një letre, kreu i PD-së, Lulzim Basha, pranoi ftesën. Por edhe pse në parim të dy drejtuesit e lartë të PD-së dhe PS-së, u shprehën të gatshëm për të diskutuar rreth kësaj reforme, situata e fundit politike në vend, në dukje “pengoi” një takim mes tyre. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u qëndroi deklaratave të mëparshme të opozitës për të garantuar konsensus deri në votimin e kësaj reforme në Kuvend, ndërkohë që Kryeministri Edi Rama pranoi konsensus në komisionin e posaçëm dhe numër të barabartë anëtarësh, por pa garantuar një votim konsensual, pavarësisht nga propozimet që mund të vinin nga të dyja palët.
Në një prononcim për gazetën “Standard”, Spartak Ngjela u shpreh kritik ndaj qëndrimeve të fundit që janë mbajtur nga liderët kryesorë lidhur me këtë reforme dhe konsensusit në tërësi. Ngjela thotë se “nuk është punë reforme, është punë kompromisi për shqiptarët”. Sipas tij, “asnjëri nuk e kupton çfarë përfaqëson dhe çfarë mban në vetvete dhe pse janë të interesuara Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ta bërë këtë”. Në qëndrimin e tij Ngjela thotë se është “bërë thirrje për kompromis për të kaluar situatën e caktuar politike, që s’ka lidhje fare as me historinë e as me historinë politike të momentit”.
Ndërkaq, edhe në reagimet e fundit të krerëve të PD-së e PS-së, një takim i mundshëm mes tyre nuk u përjashtua në mënyrë përfundimtare. Në seancën plenarë të së enjtes, Kryeministri Rama përsëriti ftesën për opozitës, edhe pse theksoi se mazhoranca është e vendosur për ta miratuar këtë reformë brenda këtij sesioni parlamentare. Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një interviste të fundit, tha se Rama nuk e do konsensusin. Qëndrimin e tij Basha e lidhi me mosmarrjen e një përgjigje pozitive nga Kryeministri Rama për votimin në Kuvend të kësaj reforme me konsensus. Sipas kreut të opozitës, nëse mazhoranca do ta miratojë e vetme reformën administrativo-territoriale, atëherë opozita do “ta presë më kushtetutë në dorë në sheshe dhe rrugë”.
Reforma territoriale, Rama: s’kemi mundësi që të presim
“Çfarë kërkon opozita, unë nuk arrij dot ta kuptoj. Kërkon të kushtëzojë Parlamentin, jo thjesht Komisionin?! Që do të thotë se kërkon t’i japë vetes të drejtën që ta bllokojë Komisionin dhe duke e bllokuar Komisionin të mos lejojë reformën të bëhet. Por ne nuk kemi mundësi ta shtyjmë më këtë reformë. Ne i kemi votat për ta kaluar këtë reformë. Ne e kemi filluar procesin e konsultimit të gjerë me publikun për këtë reformë. Ne kemi marrë mbështetje të plotë të ndërkombëtare për këtë reformë. Reforma financohet nga një numër i konsiderueshëm donatorësh, të interesuar për ta parë Shqipërinë në një dritë të re. Puna ka filluar në të gjithë territorin e vendit, në nivelin teknik, për të mbështetur Komisionin që në fund të fundit është niveli që do të definojë reformën, në pikëpamjen të kalimit nga kriteret tek harta përfundimtare. Dhe s’kemi mundësi që të presim. S’kemi mundësi që të presim, por duam që t’i bëjmë të gjitha që të ulemi së bashku”, – ka thënë Kryeministri Rama.
Basha: Rama refuzon konsensusin
Kreu i opozitës, Lulzim Basha, tha në një intervistë dy ditë më parë se Kryeministri Edi Rama ka refuzuar konsensusin,edhe pse Partia Demokratike i ka ofruar kreut të qeverisë të drejtën për ta shkruar vetë ligjin. “Në përgjigje të kërkesës sime, Kryeministri Rama e bëri të qartë (pardje) në Parlament se nuk jep konsensus për reformën territoriale-administrative në Kuvend. E vërteta doli më në fund në dritë. Është ajo që ka thënë opozita dhe që kam pohuar edhe unë në letrën time. Qeveria ofron vitrinën e konsensusit por nuk ofron vetë konsensusin. Gjithsesi, letërkëmbimi shërbeu për t’i dhënë fund demagogjisë se opozita refuzon konsensusin. Opozita nuk mund të refuzojë diçka që nuk i është dhënë dhe me sa duket diçka që shumica nuk ka ndërmend ta japë”, – deklaroi Basha në një intervistë për “TV Klan”. Më herët, në seancën e fundit plenare, Kryeministri Rama u shpreh i vendosur që reformën administrativo-territoriale ta miratoi brenda këtij sesioni parlamentare.
Paloka: Rama do konsensus, se do të takojë Merkelin?
Në seancën e fundit plenare, kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, u shpreh se mazhoranca kërkon uljen në një tryezë pak kohë para se Kryeministri Rama pritet të takojë Kancelaren gjermane, Angela Merkel.
“I ka dërguar një letër kryetarit të Partisë Demokratike, ku i kërkon papritur takim për t’u ulur dhe për të biseduar. Po për çfarë? Për të biseduar a duhet të zbatohet ligji, vendimet e Gjykatës Kushtetuese? Kemi një mazhorancë që shkel rregullisht Kushtetutë, ligj dhe rregullore të Parlamentit dhe për t’i rregulluar këto u dashka të ulemi në tryezë? Jo mor zotëri, nuk kemi pse ulemi në tryeza për këto. Kujt duhet t’ia themi? Pse ndodhin këto, se Kryeministri do të shkojë në Gjermani tek Merkeli? Prandaj duhet të ulemi ne në tryezë”, – deklaroi Paloka.
Shkarkimi i kreut të SHISH-it? Tërhiqet mazhoranca
Shumica parlamentare duket se është tërhequr nga nismat për të mbikëqyrur nga afër punën e shërbimeve inteligjente shqiptare. Burime nga Partia Socialiste theksojnë se në kuadër të nismës së fundit të kreut të qeverisë për gjetjen e një konsensusi mes pozitës dhe opozitës për reformën administrativo-territoriale, mazhoranca është “tërhequr” nga iniciativa për ngritjen e një grupi pune për të mbikëqyrur nga afër punën e Shërbimit Informatik Shtetëror. Po ashtu Komisioni i Sigurisë Kombëtare nuk e ka përfshirë këtë çështje në kalendarin trejavor të punimeve. Më herët deputeti i PS-së, Piro Lutaj, ndërmori nismën për të ngritur një grup deputetësh më qëllimin për verifikimin e shqetësimeve të ngritura në media lidhur me punën e shërbimit sekret, por kjo nismë u kundërshtua ashpër nga opozita si një tentativë për të kapur institucionet e pavarura. Lidhur me punën dhe veprimtarinë e shërbimit, ka pasur reagime edhe nga krerët e politikës shqiptare. Fillimisht ka qenë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili ka thënë se SHISH nuk ka sjellë informacione për ngjarjet e fundit me tritol, ndërsa më vonë Kryeministri Rama ka vënë në dukje se puna e këtij shërbimi nuk ishte në nivelet që pritej.




