Reforma territoriale / Qeveria thirrje për bashkëpunim, opozita: Harta e re, jo për përfitime elektorale

Florenc Drizari

Çuçi: Ne e mirëpresim çdo kontribut të opozitës për reformën administrativo-territoriale

Tabaku: Kemi disa ndryshime, të cilat janë bërë për qëllime elektorale

 

Propozime_rrethe_6Ndarja e re territoriale mbetet ende një çështje e pazgjidhur mes pozitës dhe opozitës, ndërkohë që palët vijojnë të shkëmbejnë thirrje për bashkëpunim dhe replika në distancë. Një ditë më parë Ministri i Shtetit për Cështjet Vendore, Bledi Çuçi ishte i pranishëm në takimin konsultues me shoqërinë civile në Burrel, në kuadër të ndarjes së re administrativo-territoriale të Shqipërisë. Nga ky takim ministri i bëri edhe një herë thirrje opozitës qe të bashkohet në këtë proces: “Ne e mirëpresim çdo kontribut të opozitës për reformën administrativo-territoriale dhe marrim përsipër që të shohim me shumë përgjegjësi opsione konkrete, por duke u fokusuar brenda kalendarit që kemi. Nëse opozita vjen me propozim për ndarjen e re territoriale, ka ende kohë, sigurisht që do të gjejmë gjuhën e përbashkët për ta miratuar këtë reformë në fund të korrikut”.

Ndërkohë, nga ana tjetër opozita akuzon qeverinë se po e bën hartën e re të Reformës Territoriale për përfitime elektorale. “Nëse nuk ndryshojmë disa nga përgjegjësitë tona, kjo reformë nuk do të jetë e plotë. Harta është dytësore për ne. Nuk ka rëndësi sesa njësi do ketë. Dje u paraqitën variante, me njësi të ndryshme. Kjo s’ka rëndësi, pasi harta nuk konceptohet për përfitime elektorale. Si përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës ranë dakord për këtë qëllim.”-tha një ditë më parë deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. Një nga parimet mbi të cilat opozita ka dashur që kjo reformë të ec, sipas deputetes Tabaku ka qenë që të bazohet mbi një konsensus të gjerë politikë. Sipas Tabakut, Reforma Territoriale duhet të mendojë për një perspektivë më të largët sesa të një mandati politik.

“Për hir të procesit, në Parlament është ndryshuar dy herë ky projekt. Në asnjë prej rasteve nuk janë akomoduar kërkesat tona. Ne pritëm që të rregullohej ky proces. Kjo hartë ka një ndarje dhe konfigurim të ndryshëm. Tani kemi disa ndryshime, të cilat janë bërë për qëllime elektorale. Justifikimi i qeverisë deri tani ka qenë ulja e kostove sa i takon reformës elektorale. Në komuna dhe bashki të largëta, pushteti vendor ushtron kontrolle siç është mbledhja e taksave, etj.

Në dy projekt-hartat e miratuara nga Komisioni Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, me 39 dhe 47 zona funksionale, qarku i Dibrës është parashikuar të riorganizohet në tre zona funksionale, Dibër, Bulqizë dhe Mat.

Takimi i djeshëm i organizuar nga përfaqësuesit e qeverisë,  është pjesë e rreth 50 takimeve konsultuese për ndarjen e re territoriale, që janë planifikuar të zhvillohen gjatë muajve qershor dhe korrik në rrethet kryesore të vendit. Përfaqësues të shoqërisë civile, akademikë dhe qytetarë kanë diskutuar dhe kanë shprehur mendimin e tyre për riorganizimin e njësive të qeverisjes vendore dhe projekt-hartat e propozuara. Në përfundim të këtyre konsultimeve, Kuvendi do të vendosë përfundimisht për ndarjen e re administrativo-territoriale.

Në seancën plenare të së enjtes, shumica parlamentare shtyu e vetme mandatin e komisionit të reformës administrative-territoriale, deri më 31 korrik, ndërkohë më 2 korrik, PD pritet të bëjë publike projektin e saj për reformën territoriale.

 

 

 

Opozita thyen bojkotin, rikthehet në Kuvend për seancën plenare me presidentin Barroso

Vizita e Presidentit të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, ditën e hënë në Tiranë, pritet të rikthejë përfaqësuesit e opozitës në Kuvend. Me herët përfaqësuesit e opozitës bojkotuan Kuvendin për shkak të vendimit që mori Byroja të enjten e datës 19 qershor, për pezullimin e ish-kryeministrit Berisha me 10 ditë nga aktivitetet parlamentare. Burime nga Partia Demokratike konfirmojnë prezencën e opozitës në sallën e Kuvendit, ku pritet që kreu i KE-së, Barroso, të mbajë edhe një fjalim para ligjvënësve shqiptar. Vizita e kreut të KE-së vjen pak ditë pasi Bashkimi Evropian, miratoi dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Presidenti i KE-së, Barroso, i shoqëruar nga komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, pritet që të vizitojnë vendin tonë në datën 30 qershor, në shenjë mbështetjeje në rrugën evropiane.“Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso aktualisht gjendet në Bukuresht. Pas kësaj vizite në Bukuresht, ai të dielën do të jetë në Serbi, kurse të hënën do të vizitojë kryeqytetin shqiptar, Tiranën,për një vizite 1-ditore”, ka deklaruar Mariana Correa, zëdhënëse në kabinetin e presidentit të KE-së.  Ai do të takojë presidentin dhe kryeministrin e vendit, shefin e diplomacisë si dhe përfaqësues nga opozita shqiptare. Kjo është hera e dytë që konfirmohet vizita e presidentit të KE-së në Tiranë. Tri vite më parë, ai anuloi vizitën e tij në Tiranë, për shkak të situatës së atëhershme të krijuar nga tensionet politike që ekzistonin në vend, pas zgjedhjeve lokale të 8 majit të 2011-ës.

 

 

Zgjedhjet në PD

Basha: Me Ramën s’ka dritë në fund të tunelit, përkeqësim në çdo drejtim

Kryetari i PD, Lulzim Basha mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës së PD-së në qytetin e Elbasanit. Basha tha se mungesa e shpresës me këtë mazhorancë, është togfjalëshi që po shoqëron të gjithë shoqërinë. Kryetari i PD-së theksoi se situata e rëndë ekonomike, pasiguria për jetën dhe pronën, cënimi i standardeve demokratike është ajo që ofron mazhoranca sot, larg propagandës.

“Përkeqësim në rend, përkeqësim në siguri, përkeqësim në ekonomi, mekje, ngricë, asnjë dritë në fund të tunelit. Mungesa e shpresës është togfjalëshi më i shpeshtë në gojën e të rinjve të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë. Ku sipërmarrja është në goditje të vazhdueshme të taksave më të larta dhe të pasigurisë ligjore, ndjehet në kufinjt e mbijetesës dhe të falimentimit dhe po derdh në rrugë të papunë çdo ditë ku numri i vrasjeve, i tentativave për vrasje, i grabitjeve, i sulmeve kundër jetës dhe pronës së qytetarëve është rritur muaj për muaj krahasuar me muajt pararendës të vitit 2013, vit i vështirë sepse ishte vit elektoral”, -tha Basha.

Më tej kreu i PD-së tha se emërimeve në poste drejtuese të elementëve me precedent kriminal,  demokratët duhet t’u përgjigjen duke zgjedhur në postet drejtuese më të mirët dhe më të përkushtuarit.

Share it :