REFORMA TERRITORIALE Eduard Halimi, ja kur opozita do të bashkëpunojë me Ramën dhe Metën

Intervistoi:  Florenc Drizari

 

Qëndrimet e PDIU-së?! Nuk shoh përçarje brenda opozitës

 

Eduart-Halimi-e1342250983297-205x300Ish-ministri i Drejtësisë, Edurd Halimi, thotë se pa u rikthyer konsensusin me mazhorancës për çështjen e ligjit të nëpunësit civil, si dhe pa tërheqjen e shumicës parlamenare nga nismat për të reformuar disa institucione të pavarura në vend, nuk do të ketë kosensus me opozitën shqiptare lidhur me miratimin e reformës administrativo-territoriale. Deputeti i Partisë Demokratike thekson në intervistën e dhënë për gazetën “Standard”, se reforma mbi territorritorin nuk mund të realizohet pa opozitën, pasi kjo reformë ndikonë në procesit zgjedhor dhe zgjedhje pa Partinë Demokratike, thotë Halimi, nuk mund të ketë. Deputeti i opozitës flet gjithashtu edhe për procesin e analizës së zgjedhjeve në PD dhe vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për aktin normativ të qeverisë.

Z. Halimi, cili është komenti juaj në lidhje me vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese për aktin normativ të qeverisë, ndërkohë që mazhoranca ka një tjetër qasje ndaj këtij vendimi?

-Ligji për administratën publike ka qenë një ndër tre ligjet kryesore të Bashkimit Evropian, i cili vuri kusht autoriteteve shqiptare për reformimin e administratës publike. Është një ligj i cili reformon administratën publike që nga momenti i hyrjes në këtë administratë e deri në procesin e ngjitjes shkallë-shkallë të karrierës në administratë. Pra, depolitizon administratën, jep rrugë në sistemin e karrierës dhe tenton një administratë të depolitizuar dhe profesionale. Ky është ligji i kërkuar nga Bashkimi Evropian. Gjykata Kushtetuese anuloi i antikushtetues aktin normativ që ndërpreu hyrjen në fuqi të këtij ligji. Në datën 5 shkurt, Gjyata Kushtetuese duke publikuar vendimin e bëri të qartë se Kryeministri më datën 30 shtator, ditën kur akti hyrëi në fuqi, ka bërë një verprim antikushtetues. Gjykata nuk tha se vendimi i Kryeministrit ishte antikushtetues në datën 5 shkurt, datën 4 apo 31, por tha ditën kur ai e ka firmosur. Çdo akt që ka të bëjë me largimin e ndonjë punonjësi dhe jo pak, por 5 mijë punonjës dhe emërimin e 5 mijë të tjerëve që zunë vendet, dhe që bazohet tek ky akt antikushtetues i 30 shtatorit, është absolutisht i pavlefshëm. Pse? Sepse bie në kundërshtim me Kushtetutën. Këtë thotë Gjykata Kushtetuese.

Akti i 30 shtatorit nuk ishte një akt teknik, ishte një akt politik me prapavijë të theksuar të spastrimit të administratës publike, siç shikohet edhe sot nga qytetarët që e konstatojnë lehtësisht se akti u bë me qëllimin e caktuar për të larguar profesionistët, të mbusheshin rrugët me të papunë profesionist dhe administrata të mbushej me militantë politikë, të cilën aplikonin në zyrat e punësimit të Partisë Socialiste. Kjo u pa edhe në konkurset fiktive anë e mbanë Shqipërisë dhe u përzgjodhën rastësisht kryetarët e Partisë Socialiste, apo dhe farefisi i tyre. Ky është fakt.

Çfarë po ndodh pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese?

Ajo që po ndodh është në të njëjtën linjë që ka ndjekur Kryeministri me qëllimin e qartë që të mos e zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe për më tepër, të mos zbatojë reformën e kërkuar nga Brukseli. Pra, në datën 30 shtator ai refuzoi reformën e kërkuar për reformimin e administratës. Atë po bën edhe sot, duke mos publikuar hyrjen në fuqi në Fletoren Zyrtare të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe për më tepër, duke nxjerrë një ligj të ri, jo vetëm për ta shtyrë efektet e ligjit, por edhe për ta zhbërë tërësisht reformën. Ky është një hap regresi në rrugën e integrimit dhe administratës.

Çfarë qëndrimi do të bajë opozita në këtë rast?

Ajo që do të bëjë opozita është se do të qëndrojë fort në respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Do të qëndrojë fort në krah të çdo punonjësi të administratës që është viktimi e aktit antikushtetues e Kryeministrit dhe të administratës së tij dhe do të ndjekë duke informuar të gjitha institucionet e Bashkimit Evropian mbi këtë veprim regresiv në drejtim të reformës së administratës publike.

A ka mundësi nga pikëpamja ligjore që këta të shkarkuar nga puna në administratën publike të rikthehen?

Neni 76 i ligjit organik për Gjykatën Kushtetuese përcakton qartë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka fuqi prapavepruese për të gjitha çështjet që janë në gjykim dhe nuk kanë marrë formën e prere. Pra, sipas informacioneve tona në Partinë Demokratike, rreth 2 mijë duke ndjekur çështjet në mënyrë automatike, përfitojnë të drejtën e rikthimit në punë dhe të dëmshpërblimit. Momenti i ekzekutimit të vendimit ngelet në vullnetin e qeverisë dhe që opozita do të ndjekë të gjitha rrugët demokratike për t’i kërkuar Kryeministrit ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të dy mijë vendimeve të Gjykatës Administrative. Rrugët demokratike janë të pafund, rrugët diplomatike janë të pafund dhe opozita ka vullnetin e hekurt për t’i shkuar deri në fund kësaj kauze që nuk ka të bëjë me militantët, por ka të bëjë me qytetarët, me ata katër mijë familje që janë hedhur në mënyrë antikushtetuese në rrugë; por mbi të gjitha ka të bëjë me mijëra e mijëra familje që presin të marrin një shërbim të depolitizuar nga administrata publike.

 Aktualisht opozita ndodhet në procesin e rifreskimit të bazës së të dhënave të anëtarësisë së saj. Çfarë pritet nga ky proces?

Partia Demokratike ka filluar para pak javësh procesin e ringritjes së saj, një proces që ka të bëjë me zgjerimin e Partisë Demokratike me ofrimin e rinisë dhe elementëve të rinj në PD dhe që synon njëj PD më të madhe. Ky proces do të shoqërohet nga një analizë objektive e cila do të fillojë menjeherë pasi të përfundojë procesi i evidentimit dhe i dixhitalizimit të të gjithë anëtarësisë së Partisë Demokratike dhe pas këtij procesi, jo një gjueti shktrigash, por një analizë e asaj që ndodhi në procesin zgjedhor të 23 qershorit, më pas do të fillojë procesi i kuvendimit të madhe të Partisë Demokratike për të zgjedhur strukturat drejtuese të saj, që fillojnë nga grupseksisonet e deri në nivelin e strukturave drejtuese në PD.

Cili është komenti juaj për strategjinë e ndjerkur nga PD-ja për të emëruar në krye të koordinatorëve në rrethe të vendit, figura ish-deputetësh apo emra të drejtuesve të lartë në qeverisjen e PD-së?

Ky është një domein i kryetarit të partisë i cili do të përfshijë në procesin e evidentimit të anëtarësisë, njerëz që kanë eksperiencën e duhur politike, kanë edhe kohën e duhur për t’u marrë, sepse nuk kanë impenjimet e grupit parlamentar demokrat për shkak të axhendës së ngjeshur, por edhe me synimin për të mos pasur konflikt interesi me procesin e analizës. Shmangia e këtij konflikti në analizën e procesit, përfshirja e njerëzve që kanë një eksperiencë të gjatë në fushën e organizimit në Partinë Demokratike si dhe përfshirja e këtyre njerëzve që kanë një kohë fizike më të madhe se deputetët e PD-së, besoj se caktimi i tyre është në rrugën e duhur dhe jep sinjale të qarta që Partia Demokratike është një parti e cila ka vend edhe për ata që mund të kenë pasur qejfmbetje; pra, vendimi i kryetarit është një vendim që shkon në zgjerim dhe forcimit të një partie. Nëse nuk zgjerohet Partia Demokratike, nëse nuk rriten fuqitë e saj, ringritja do të ishte më e ngadaltë. Unë kam besimin se kryetari ka bërë zgjedhjen e duhur në këtë proces.

Pritet një rikthim i këtyre figurave në PD?

Partia Demokratike ka qenë e hapur dhe asnjë nga këto figura nuk është përjashtuar ndonjëherë nga PD, përkundrazi, ka qenë njerëz aktiv që mund të mos kenë fituar një garë në zona të caktuara për shkak edhe të rezultatit zgjedhor, por unë besoj se të gjithë koordinatorët që kanë detyrën e tyre për të evidentuar procesin e anëtarësisë, besoj se kjo është në rrugën e duhur.

Çfarë qëndrimi do të mbani për reformën administrativo-territoriale, ndërkohë që kryetari i PD-së ka thënë se nuk ka vend për negociata?

Më lart shpjegova qëndrimin e mazhorancës në lidhje me një nga çështjet më kryesore të integrimit. Tre kanë qenë çështjet kryesore të integrimit, çështja më kryesore ka qenë administrata publike. Për këtë thash se nuk ishte çështja e një ligji, për të cilin edhe kur ne thamë se do ta bënim me referendum para zgjedhjeve, nga Brukseli u tha se duhet konsus politik, sepse administrata nuk i përket vetëm një force politike, vetëm një mandati qeverisës. Pra, duket konsensus dhe meqënë se duhesh konsensus, ne u ulëm dhe e arritëm konsensusin. Por çfarë kuptimi ka që ne të ulemi për të arritur konsensusin kur menjëherë pas pak ditësh që ne hartojmë konsensusin, konsensusi prishet. Pra, nuk ka kuptim që ne të ulemi. Duhet të rikthehet konsensusi i shkelur për këtë çështje, siç duhet të rikthehet konsensusi edhe për çështje të tjera siç ka qenë dhe siç mbetet çështja e respektimit të institucioneve të pavarura. Në institucionet e pavarura kemi rënë dakord me Partinë Socialiste në 31 tetor, sëbashku me eurodeputetët ku kemi nënshkruar një deklaratë të përbashkët që i është përcjellë edhe Parlamentit Europian, ku të gjithë forcat politike binin dakord të mos sulmonin institucionet e pavarura dhe shtatë ditë më vonë, në datën 7 nëntor, pa u tharë boja mbi letër – këtë kosensensus që ishte arritur, PS sulmoi institucionin e ILDKP-së dhe AMA-s. Pra, ne ulemi dhe bëjmë konsensus dhe pas një javë e shkelim me këmbë konsensusin. Kështu që pa u rikthyer konsensusi për këtë çështje ne nuk mund të ulemi për një konsensus tjetër të ri siç ofron mazhoranca, dhe është një ofertë tërësisht e pasinqertë për aq kohë sa Kryeministri thotë, edhe po nuk erdhët ju, unë kam votat dhe e bëj.

Ekziston mundësia që mazhoranca ta miratojë e vetme këtë reformë?

Teorikisht po, sepse Kushtetuta njeh votat, por politikisht, kurrë. Kjo sepse nuk mund të ketë zgjedhje politike pa opozitën. Nuk mund të ketë ndarje territoriale pa opozitën. Opozita e vendit është Partia Demokratike, kështu që një zgjidhje e tillë do të ishte një zgjidhje naive nga Rama apo nga Meta, sepse nuk mund t’i shërbejë askujt një reformë e njëanshme, sepse duhet konsensus politik për ta realizuar.

Si e shikoni rolin e PDIU-së, kur vetë kryetari i kësaj partie është takuar me krerët e mazhorancës, ekziston mundësia largimit të kësaj force politike nga koalicioni me Partinë Demokratike?

Për çështjen e reformës territoriale të gjithë e kanë të qartë, qoftë edhe Kryeministri dhe Meta, se reformë territoriale pa opozitën dhe Partinë Demokratike nuk ka dhe nuk mund të ketë. Dhe deklarimet publike të disa drejtuesve të PDIU-së i kanë bërë të qartë opinionit publik se reformë territoriale dhe elektorale nuk mund të ketë pa Partinë Demokratrike. Sigurisht unë nuk kam kuptuar deri më sot ndonjë përçarje të opozitës edhe në këtë qëndrim, por e thash edhe më lart që nuk mund të realizohet asnjë reformë pa opozitën e vërtetë që është Partia Demokratike.

 

 

Share it :