Shtetiweb:Nëse nuk preken qarqet, reforma e dështuar. Ulja e numrit të njësive, jo e adaptueshme
Variantet e propozuara nga qeveria për reformën administrative-territoriale nuk prekin thelbin e problematikës së çështjes dhe si të tilla kanë prirje të shkojnë drejt dështimit. Vetëm dy ditë pasi qeveria prezantoi 5 variantet e ndarjes së re territoriale, një prej shoqatave që u angazhua me propozime konkrete për këtë reformë, “shtetiweb”, thekson se administrativja duhet të përfshijë edhe rishikimin e numrit të qarqeve, të cilat deri tani nuk kanë rezultuar si efiçente. Eksperti i kësaj shoqate, Gjergji Duro, e cilësoi reformën si të paplotë, nëse nuk ndryshon ndarja me 12 qarqe që ekziston aktualisht. Sipas tij, kjo reformë nuk do të ketë ndikimin e duhur, nëse nuk shoqërohet edhe me autonomi financiare të njësive vendore. “Një reformë e plotë duhet me patjetër të kishte një vizion për të dyja nivelet e qeverisjes vendore deri tani të gjitha kanë rënë dakord që qarqet nuk kanë funksionuar, porse cila do të jetë perspektiva e tyre nuk u tha absolutisht. Në këtë kuptim ajo është e paplotë nëse nuk do të jetë komplekse bashkë me qarqet”, – tha ai për TV “Klan”.
Qëndrimi
Sa u përket propozimeve të qeverisë për të ulur numrin e njësive të pushtetit lokal nga 358 që janë aktualisht në 30 apo 63 njësi, eksperti i “shtetiweb” i cilësoi ato si radikale dhe me rrezik mosadoptimi në komunitet. “Në gjykimin tonë një rënie kaq drastike e numrit të qeverisjes vendore, në qoftë se nuk do të ketë masa të tjera paraprake, mund të mos jetë plotësisht e adaptoueshme dhe në shërbimet ndaj komunitetit”. Sipas Duros, nëse propozimet e qeverisë nuk do të përfshinë një skemë të qartë për t’u dhënë autonominë financiare këtyre njësive lokale, atëherë është e pakuptimtë të themi se po kryhet një reformë territorialo administrative. “Çdo gjë në rezultatin e kësaj reforme, nuk do të varet nga numri i njësive që konturojnë, do të varet nga funksionet dhe kompetencat që do ti jepen këtyre njësive vendore, në mënyrë të veçantë nga burimet financiare që ato do të mundet të implementojnë në interes të komunitetit të tyre. Në rast se shikohet thjesht përfitimi nga shkurtimi i numrit të punonjësve për shkak të shkurtimit të numrit të njësive, kjo nuk përbën bazë të sigurtë që kjo reformë të ecë më tej”, – tha ai. Qeveria bëri publike pardje përmes ministrit të Çështjeve Vendore, Bledi Çuçi, pesë variantet e hartës së re për ndarjen administrative-territoriale. Në variantin e parë propozohen 30 njësi të qeverisjes vendore, me popullsi mesatare 93.338 banore/njësi, sipërfaqja mesatare 944.302 km2/njësi dhe dendësia mesatare 4051 banorë/km2. Në variantin e dytë parashikohen 39 njësi të qeverisjes vendore me popullsia mesatare 71.798 banore/njësi, sipërfaqja mesatare 726.38 km2/njësi dhe dendësia mesatare 3116 banorë/km2. Në variantin e tretë parashikohen 47 njësi të qeverisjes vendore me popullsia mesatare 59.577 banore/njësi, sipërfaqja mesatare 602 km2/njësi dhe dendësia mesatare 2586 banorë/km2. Ndërsa në variantin e katërt, që është edhe një nga më të mundshmit për të fituar, parashikon 57 njësi të qeverisjes vendore, ku popullsia mesatare 49.125 banore/njësi, sipërfaqja mesatare 497 km2. Nëse do të zgjidhet ky propozim, do të krijohen 10 njësi të reja. Ndërkohë, në variantin e pestë dhe të fundit propozohen 63 njësi të qeverisjes vendore, që do të ketë popullsia mesatare 44.446 banore/njësi dhe sipërfaqja mesatare 449 km2/njësi. Dendësia mesatare do të jetë 1929 banorë/km2. Me këtë ndarje do të krijohen 6 njësi të reja.
Luçiano Boçi
“Skemat kërkonin diskutim të gjerë, u përjashtuan qytetarët dhe konsensusi me opozitën”
Boçi: Çështja kryesore e opozitës është qëndrimi kundër narkotrafikut
Në një reagim për gazetën lidhur me 5 alternativat e publikuara nga qeveria për ndarjen e re administrative-territoriale, deputeti demokrat Luçiano Boçi vendosi theksin tek mungesa e diskutimit të gjerë të tyre me grupet e interesit si edhe popullatën e gjerë. Nga ana tjetër deputeti demokrat bëri të ditur se beteja kryesore e opozitës aktualisht mbetet çështja e trafikut të drogës dhe përgjegjësive të qeverisë për të.
Cili është reagimi i PD-së për reformën territoriale, nisur edhe nga fakti se qeveria publikoi dje edhe pesë variantet e hartave të reja?
Qëndrimi i opozitës në lidhje me reformën është i pandryshuar, tashmë ne i kemi përcaktuar qëndrimet tona. Përderisa është një reformë që duhet bërë me konsensus politik dhe variantet duhet të ishin diskutuar me grupe më të gjëra interesi, me grupe specialistësh, akademikësh. Debati duhet të ishte më i gjerë në popullatë pasi nuk janë vetëm drejtuesit lokalë ata që vendosin për dëshirat e popullatave, për shkrirje apo jo të territoreve të tyre në njësi më të mëdha. Ajo që është më kryesorja ishte mungesa e konsensusit në votimin në Parlament të refuzuar nga mazhoranca, e cila e dha vetëm në Komision, në një formë që mund të rrëzohej mjaft lehtë në seancën parlamentare.
A priten zhvillime lidhur me këtë çështje?
Të gjitha ato arsye që janë thënë, mbeten. Ne nuk kemi aktualisht çështje kryesore të diskutojmë këtë lloj qëndrimi, pasi çështja kryesore e opozitës është qëndrimi ndaj narkotrafikut.
Po lidhur me variantet e propozuara për ndarjen e re?
Skemat e qeverisë janë “pjellë” e një skeme të përgjithshme. Aty qëndron po e njëjta ide me të cilën opozita nuk ka rënë dakord. Nuk mund të na prishet mendja me skema alternative. Arsye që qeveria bëri publike skemat ishte ajo sipas së cilës ato formuan skema dhe opozita mund të zgjedhë një mes tyre. Kjo ishte një lëvizje taktike e tyre për të argumentuar kryerjen e reformës në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca
Deputeti i PS-së
Braçe fyen Presidentin: Mos bëni kukullat e fëmijëve si Nishani
Deputeti socialist Erjon Braçe reagoi dje mbi deklaratën e Presidentit Bujar Nishani dhënë gjatë një interviste, i cili theksoi se mazhoranca kërkon një President kukull, porse ai nuk do të lejojë kurrë “të merret peng”. Përmes një komenti në rrjetin social “Facebook”, Braçe e ironizoi rëndë këtë deklaratë të Presidentit, duke shkruar: “Nuk jam një president kukull; socialistët duan të më kthejnë në kukull, unë nuk dorëzohem! Përtej të qenit të tij gjynah, kam një lutje për cilindo socialist prind: mos bëni kukullat e fëmijëve si Bujar Nishani!”




