Florenc Drizari
“Gatet e drejtësisë” duhet të dorëzojnë çekiçin. Ky është qëllimi i reformës në drejtësi
Pas vendimit të djeshëm të Këshillit të Ministrave për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, Kryeministri Rama dhe ministrja e Integrimit dolën në një konferencë për mediat ku falënderuan të gjithë atë që kanë kontribuar në këtë proces, përfshirë këtu përfaqësuesit e opozitës, ndërkombëtarët dhe pa harruar edhe stafin e kabinetit të tij qeverisës. “Do të kisha dashur shumë të shtoja këtu, me zë të plotë edhe mbështetjen e gjithë opozitës politike, por më duhet të them se falënderimi i shkon përfaqësisë së opozitës në tryezën e “Dialogut të Nivelit të Lartë”, Komisionit të Integrimit dhe sigurisht, kryetares së Komisionit të Integrimit, e cila ka dhënë një kontribut të posaçëm, për të bërë të mundur që Komisioni i Integrimit të jetë një hapësirë pune për integrimin dhe koordinimin mes palëve, në funksion të integrimit. Shpresoj shumë që në periudhën në vijim, e gjithë opozita të angazhohet me të gjitha forcat, në funksionit të procesit që vazhdon”, – theksoi Kryeministri. Në fjalën e tij, Rama i kushtoi një falënderim të posaçëm Kancelares Merkel, për kohën, vëmendjen dhe rolin që, sipas Kryeministrit, luajti në gjithë këtë proces, si dhe shprehu mirënjohje për Presidentit Hollande; Kryeministrin Cameron, Kryeministrin Renzi, Presidencën greke, Presidentin Fischer, Kancelarin austriak, ministrin e Jashtëm austriak dhe Austrinë etj.
Përtej falënderimeve për marrjen e statusit të vendit kandidat, Kryeministri Edi Rama lëshoi edhe një mesazh të fortë për sistemin e drejtësisë, duke paralajmëruar një reformë radikale, pa të cilën, siç tha ai, Shqipëria e ka të pamundur anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Mandati ynë i 23 qershorit është një mandat për të goditur. Nuk është një mandat për t’u justifikuar. Kemi mandatin e konsensusit kushtetues, 84 vota. Do ta përdorim fuqishëm, sepse nuk mund dot më të turpërohemi të gjithë ne, së bashku, në sytë e botës dhe as nuk mundet dot më të bëjmë sehir, se si “Gatet me çekiç” lëshojnë “Gatet me armë” dhe “Gatet me armë” vrasin njerëz, pasi paguajnë “Gatet me çekiç”, për t’u kthyer prapë të lirë rrugëve”, – deklaroi Rama. Më konkretisht, Kryeministri theksoi se janë më shumë se 100 raste, që ministri i Brendshëm i ka bërë me dije Presidentit të Republikës si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për kriminelë me precedentë penalë, të liruar, sipas tij, në mënyrën më skandaloze nga gjykatësit.
Gjatë takimit të djeshëm që zhvilloi me gazetarët, Kryeministri, duke iu rikthyer marrjes së statusit të vendit, theksoi se qeveria bëri vetëm detyrën në këtë proces dhe se do të vazhdojë në përmbushjen e detyrave që mund të vendosen nga Bashkimi Evropian. Në fund të fjalës së tij Rama tha se do të zhvillojë edhe një festë modeste pas shpalljes së vendimit përfundimtar nga BE-ja, ndërkohë që theksoi se ftesë do t’i çohet edhe ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Ne po përgatitemi, do të ftojmë të gjithë ata që mendojmë se duhen ftuar, edhe Sali Berishën, për të qenë së bashku në një festë dinjitoze dhe modeste, për të adresuar në atë festë gëzimin tonë si shqiptarë për këtë që u arrit dhe reflektimet tona”, – deklaroi Kryeministri Rama.
Prioritetet që duhen përmbushur për anëtarësimin
Reforma në administratën publike
Reforma në drejtësi
Të drejtat e njeriut
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
Reforma territoriale, Rama: I gatshëm për dialog me kreun e PD-së
“Jam i gatshëm ta dëgjoj kryetarin e Partisë Demokratike në çdo orë, në çdo vend, për çdo temë, sigurisht tema që lidhen me punën e përbashkët, jo me kush është koka dhe kush është këmba në PD, se kjo është temë e tyre e brendshme”. Ky ishte premtimi i Kryeministrit Edi Rama i bërë pak orë pasi Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Rama tha se lidhur me reformën administrative-territoriale, është i hapur të dëgjojë zërin e opozitës deri në sekondën e fundit për 5 variantet e qeverisë, por edhe për variante të tjera, nëse opozita i propozon.
“Po, jam absolutisht i gatshëm vetë, Komisioni me siguri, Kryetari i Kuvendit absolutisht, flas edhe në emër të tij, të diskutojmë çdo variant. Do të ishte mirë që ta bënim së bashku, sepse është një reformë që sa më shumë konsensus të ketë, aq më mirë. Por, edhe në qoftë se ata nuk do të vijnë, ne do ta bëjmë siç kemi premtuar, do ta bëjmë brenda këtij sesioni”, – deklaroi Rama.
Meta: Statusi, e kaluara, suksesi bëhet më i qëndrueshëm kur ndahet me shumë aktorë
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjatë një konference për mediat përshëndeti marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria dhe theksoi në të njëjtën kohë se kjo çështje i përket së kaluarës e se klasa politike si dhe të gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces, duhet të shohin nga e ardhmja, anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Marrja e statusit është e kaluara, duhet të shohim të ardhmen. Ajo që dje dukej e vështirë dhe e pa mundur sot është e mundur. Vendimi për hapjen e negociatave merret kur të gjithë të sillemi më shumë si evropianë. Me rivendosjen e plotë të ligjit në çdo aspekt të jetës sonë ashtu sikurse ndodhi edhe ditët e fundit në Lazarat. Një shekull më parë në Ballkan nisi Lufta e Parë Botërore. Sot në këtë ditë të shënuar për vendin suksesi nuk përjashton askënd por bëhet më i qëndrueshëm kur ndahet me shumë aktorë. Do vlerësoja rolin Kuvendit aktual dhe Kuvendit të mëparshëm. Është një moment reflektimi. Kjo duhet të shërbejë si reflektim për të gjithë ne për atë që duhet të ndryshojë tek politika jonë. Procesi i integrimit evropian duhet të na bashkojë si asnjëherë tjetër si objektiv kombëtar pa interesa partiake”, – theksoi Meta.
Gjithashtu, Meta rezervoi edhe falënderime për marrjen e statusit të vendit kandidat, duke u shprehur se: “Në një të shkuar jo të largët ne ishim vendi më i izoluar i Evropës sot jemi pjesë e saj. Dua të falënderoj të gjithë kontributorët për arritjen e kësaj dite brenda dhe jashtë vendit. Duhet të falënderojë më gjitha vendet anëtare që në unitet të plotë u shprehën po. Dua të falënderoj presidencën greke dhe përpjekjet e tyre të palodhura dhe Komisionin Evropian. Një falënderim të veçantë për Parlamentin Evropian për përkrahjen pa rezerva që i kanë dhënë statusit kandidat”.




