Florenc Drizari
Pas mosdhënies së pëlqimit nga Kuvendi për emërimin e Alaudin Malaj si anëtar i Gjykatës së Lartë, kreu i shtetit shpall listën me 22 kandidatë që plotësojnë kushtet ligjore
Njëzet e dy gjyqtar dhe juristë kandidojnë për postin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, ndërkohë që njëri prej tyre do të përzgjidhet në piramidën e gjyqsorit. Presidenti i Republikës shpalli listën e konkurruesve, të cilët plotësojnë kushtet ligjore si kandidatë për anëtar në këtë gjykatë. Presidenca bëri të ditur një ditë më parë se pas mosdhënies së pëlqimit nga Kuvendi për emërimin e Alaudin Malaj si anëtar i Gjykatës së Lartë, si dhe pas përfundimit të afatit për shqyrtimin e dokumentacionit të çdo konkurruesi për anëtar të Gjykatës së Lartë, shpall listën e kandidatëve të cilët plotësojnë kushtet ligjore.
Vendimi i kreut të shtetit vjen pak ditë pas letrës publike që dy krerët e gupeve parlamentare të mazhoranës, Gramoz Ruçi nga PS-ja dhe Petrit Vasili nga LSI-ja, i dërguan kreut të shtetit lidhur me negociatat e zhvilluara për anëtarët në gjyqsor, si dhe për kriteret e përzgjedhjes.
Mazhoranca i ka kërkuar presidentit Bujar Nishani, rihapjen e procesit të konkurrimit për kandidaturat si gjyqtar në Gjykatën e Lartë, ku me anë të një letre, thuhet se kreu i shtetit duhet të rishikojë qëndrimin e tij në lidhje me procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për në Gjykatën e Lartë. Në letrën publike shkruhet se po aq përgjegjës sa është Presidenti i Republikës, aq përgjegjësi ka edhe institucioni i Kuvendit për miratimin e këtyre kandidaturave.
“Të rihapet procesi i kandidimit duke mos e lënë atë peng të listave të mëparshme, duke mbajtur në konsideratë edhe faktin e njohur publikisht se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar, së fundmi, si antikushtetues dy dispozita të ligjit “Për Gjykatën e Lartë” të cilat lidhen drejtpërdrejt me disa nga kriteret objektive dhe kriteret shtesë; Procesi përzgjedhës dhe konsultues të jetë sa më transparent nëpërmjet një seleksionimi korrekt e të paanshëm bazuar në kushtet e kriteret ligjore, duke respektuar fort kriteret objektive dhe kriteret shtesë”, – thuhet në letrën e mazhorancës.
Për sa u përket kritereve, shkruhet e përzgjedhja e kandidaturave të orientohet nga vjetërsia e profesionit, por edhe përvoja gjyqësore e akademike, veçanërisht në fushën e të drejtës administrative. Më herët, më datë 24 qershor të 2014-ës, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, pati zhvilluar takime konsultative me krerët e grupeve parlamentare në Shqipëri lidhur me kriteret e përzgjedhjes së dy kandidaturave për anëtar në Gjykatën e Lartë. Ndërsa më datë 11 prill 2014, qe mbyllur faza seleksionuese dhe qenë shpallur kandidaturat për dy vendet vakante në Gjykatën e Lartë. Pas kësaj periudhe kreu i shtetit ka propozuar edhe kandidatura për zëvendësimin e dy vendeve vakante, por shumica parlamentare i ka rrëzuar dekretet në Kuvendin e Shqipërisë, duke i cilësuar ato si jashtë standardeve ligjore e Kushtetuese.
Dekreti
Ndërkohë, fundjavën e shkuar Presidenti i Republikës Bujar Nishani ktheu ligjin e qeverisë “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, duke e quajtur iniciativën në shkelje të kompetencave të tij kushtetuese. Kreu i shtetit ka argumentuar se ligji për karrierën në ushtri shmang të drejtat kushtetuese që i takojnë Presidentit si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, dhe për këtë kërkon rishqyrtimin e tij nga Kuvendi i Shqipërisë. Në seancën plenare të datës 12 qershor 2014, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, ndërsa opozita është shprehur kundër. Gjithashtu qëndrime kundër draftit të qeverisë ka pasur edhe nga deputetë të LSI-së.
Lista e konkurruesve që plotësojnë kushtet ligjore si kandidatë për anëtar të Gjykatës së Lartë:
Kandidatë që vijnë nga radhët e gjyqësorit:
Astrit Kalaja
Entela Prifti
Fatos Qato
Luan Dervishi
Sokol Ngresi
Kandidatë që vijnë nga radhët e juristëve:
Adnor Shameti
Artur Gaxha
Ermir Dobjani
Ervin Pupe
Fatmira Luli
Genti Shala
Gjet Kola
Ilir Panda
Luan Daci
Mimoza Kajo
Mimoza Margjeka
Petrit Kaja
Pranvera Strakosha
Prel Martini
Rexhep Bekteshi
Shpëtime Pitaku
Sokol Sadushi




