Reagimi/ Basha: Rama sulmoi Prokurorinë, provoi se është urdhëruesi i dhunës në Kuvend

Gëzim Saliu

 “Platforma e dhunës së këtij grupi nuk ka precedent dhe nuk ka të krahasuar si veprimtari kriminale me asnjë konfrontim emocional në Kuvendin e Shqipërisë dhe në parlamentet e botës”

basha ..Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi dje ndaj deklaratës së Kryeministrit Rama lidhur me videon që bëri publike dhunën e deputetëve socialistë ndaj kolegut të tyre demokrat Strazimiri. Duke e cilësuar komentin e kreut të qeverisë si një sulm të pastër ndaj organit të akuzës, kryedemokrati tha se me këtë reagim, Rama provoi se është ai orkestruesi i skenarit të dhunës në Parlament. “Pritej një mea culpa e madhe nga Edi Rama. Veçanërisht pas publikimit të pamjeve filmike. Në pamundësi për të shpalosur sot dhuntinë e ndjesës publike, Edi Rama minimalisht duhet të heshtte. Por foli duke sulmuar Prokurorinë siç e ka zakon “hedh gurin fsheh dorën”. Foli duke provuar atë që opozita po e thotë prej kohësh: se është ai që urdhëroi goditjen e oratorit të opozitës, është ai që ka ngritur një strukturë dhune në Kuvend për të asgjësuar parlamentarizmi”, – tha Basha.

 

Dhuna në Kuvend

Sipas kreut të demokratëve, mbarë opinioni publik është tronditur nga skenat e turpshme të dhunës së deputetëve të Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, kundër deputetit demokrat, Gent Strazimiri, në Kuvendin e Shqipërisë. “Edi Rama dhe deputetët e sjellë prej tij në Kuvend për të bërë xhandarin kundër opozitës dhe fjalës së lirë e kishin mohuar sistematikisht përdorimin e dhunës, por përballja me pamjet filmike i ka nxjerrë për faqe të zezë”, – u shpreh kreu i PD-së, duke theksuar se përmes kësaj videoje u faktuan akuzat e opozitës. Ndërkaq, shefi i opozitës theksoi se Kryeministri e kishte paralajmëruar opozitën që në seancat e para të Kuvendit të 23 qershorit me frazën “Nuk keni parë asgjë akoma”. “Është hera e parë në historinë e Parlamentit tonë pluralist që ngrihet një bërthamë e strukturuar dhune në Kuvend. Grupi i dhunës nuk janë socialistë që kanë bërë karrierë në Partinë Socialiste, por janë njerëz të lidhur kokë e këmbë me krimin, të përzgjedhur me dorë nga Edi Rama. Platforma e dhunës së këtij grupi nuk ka precedent dhe nuk ka të krahasuar si veprimtari kriminale me asnjë konfrontim emocional në Kuvendin e Shqipërisë dhe në parlamentet e botës”, – u shpreh Basha. Në këtë kontekst ai kërkoi një hetim të plotë dhe të besueshëm, i cili, “duhet të nxjerrë përgjegjësitë e kryedhunuesit, autorit të vërtetë që fshihet pas marionetave kriminale që ka futur në grupin e tij parlamentar”.

 

 

 

Share it :