Gëzim Saliu
Shkreli: Platini me sikur, njësoj se si do të quhej halla…
Fino: FSHF të dalë në ballë të kësaj pune, diplomacia të bëjë punë edhe për sportin
Seanca e djeshme parlamentare u shfrytëzua nga deputetët socialistë për t’iu kundërpërgjigjur akuzave nga pala serbe si edhe qëndrimeve të UEFA-s për ndeshjen Serbi-Shqipëri. Ligjvënësi i PS-së, Bashkim Fino, duke kërkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit që të ruajë dinjitetin e kombëtares dhe se UEFA nuk duhet të veprojë me dy standarde. “Në kuadër të luftës që FIFA dhe UEFA kanë kundër dhunës dhe racizmit, ju kujtoj se në Serbi pati akte të thella racizmi. UEFA të marrë masa serioze, jo të përdorë dy standarde për ne si një vend i vogël, të marrë masa serioze, organizatorët të marrin përgjegjësi. Forcat e sigurisë u futën të rrahin futbollistët tanë, janë akte të papranueshme. Në emër të kolegëve dashamirës të sportit kërkojmë një standard të qartë, të pastër. FSHF të dalë në ballë të kësaj pune, boll me denigrim”, – tha ai. Po ashtu ai kërkoi angazhimin edhe më të madh të diplomacisë shqiptare. “Organizatorët e një ndeshjeje janë ata që mbajnë përgjegjësi, ne mbajmë për ndeshjen e kthimit. Falënderoj ministrin e Brendshëm dhe ministrin e Jashtëm, se kanë qenë në sinkron duke komunikuar me homologët. Diplomacia duhet të bëjnë punë edhe për sportin”, – tha ai.
Reagimet
Ndërkaq, në fjalën e saj, deputetja Ledi Shkreli iu përgjigj drejtpërdrejt deklaratës së kreut të UEFA-s, i cili kishte pohuar më parë për televizionin francez “TF1”, duke thënë: “Imagjinoni sikur në vend të flamurit, brenda dronit të ishte një bombë”. Sipas ligjvënëses së PS-së, edhe sikur droni të kishte bombë, përgjegjësia bie mbi Serbinë, që mori përsipër të organizonte ndeshjen. “Zoti Platini e niste nga sikuri fjalën e tij, sikur droni të kishte bombën… Sikur shmang faktin, me sikur mund të themi si do quhej halla… Sikur të kish pasur bombë droni do ish përgjegjësi e vendit pritës, që s’do mund të garantonte standardet. Sikur edhe më i vogli incident të ndodhte gjatë vizitës së Papës në Shqipëri, përgjegjësia do kish qenë e Shqipërisë. Është përgjegjësi e shtetit serb, gjithçka u lejua të ndodhte vetëm organizim dhe profesionalizëm nuk pati atje”, – u shpreh Shkreli, ku në fund të fjalës së saj, ajo nuk nguroi ti bënte të fala nga vendi i shqipeve kreut të UEFA-s Platini. Po ashtu edhe deputeti Taulant Balla në diskutimin e tij në Kuvend, në fjalën hyrëse komentoi ndeshjen Serbi-Shqipëri, duke nënvizuar se kombëtarja i bëri krenarë të gjithë shqiptarët. “Lidhur me çdo gjë tjetër që nuk e ka emrin futboll dhe që nuk i takon asnjë përgjegjësi Shqipërisë dhe shqiptarëve, besoj se të gjithë ndajmë të njëjtin mendim që nuk kemi asnjë lidhje me gjithçka ndodhi jashtë futbollit. Sepse gjithçka që ndodhi jashtë futbollit ishte një fatkeqësi e madhe për sportin më popullor në botë”.
Reagimi i kryediplomatit/ Bushati: Serbia të kthejë mbrapsht deklaratat fyese, shqiptarët të mos bien pre e provokimeve
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati deklaroi dje nga Parlamenti se autoritetet serbe duhet të mbajnë përgjegjësi për situatën, por edhe për mosrespektim të simboleve kombëtare për ndeshjen e zhvilluar më 14 tetor në Beograd. “Është e papranueshme përdhosja e simboleve. Presim distancim të autoriteteve serbe të të gjitha akteve të provokimit dhe dhunës që shoqëruan stadiumin në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare”, – tha ai. Më tej, Bushati tha se qëndrimet e autoriteteve më të larta serbe, Presidentit, Kryeministrit, ministrit të Jashtëm, kanë qenë në unison me Federatën Serbe e grupime të ndryshme që veprojnë në këtë shtet. Nga ana tjetër duke bërë të ditur se pala shqiptare ka tentuar dhe vazhdon të këmbëngul për ndarjen mes sportit dhe politikës, Bushati theksoi se duhet një hetim i plotë për çështjen. “Të njëjtën gjë kemi bërë në rrugë diplomatike, duke mbajtur kontakte të vazhdueshme jo vetëm autoritetet, por edhe me autoritetet ndërkombëtare që janë interesuar të kenë një situatë sa më të qetë dhe një situatë që nuk do të përshkallëzohet. Krahas distancimit nga aktet e huliganizmit, dhunës e përdhosjes së simboleve kombëtare kërkojmë një hetim të plotë për çështjen. Nxisim autoritetet serbe të demonstrojnë që kanë fakte që për çdo person në stadiumin e Beogradit që është përfshirë në aktet fyese dhe dhune në stadium”, – u shpreh Bushati. Ndërkohë, kryediplomati shqiptar i bëri thirrje shqiptarëve që të mos bien pre e provokimeve. “Do të doja t’u bëja thirrje të gjithë shqiptarëve në rajon që këto ditë kanë ndjekur me vëmendje sportin dhe zhvillimet. Kanë festuar në rrugët e disa qyteteve. Kanë demonstruar maturë dhe do të ftoja të demonstrojnë të njëjtën maturi duke mos iu përgjigjur kërcënimeve apo provokimeve me të njëjtën monedhë”, – theksoi Bushati, duke bërë të dhunimi i ambasadës tonë në Podgoricë si edhe faktin se në Tuz një shkollë me fëmijë është bërë objekt sherri mes nxënësve shqiptarë e malazezë, sa i takon simboleve.
Politikanët shqiptarë për reagimin e Beogradit dhe vizitën e Ramës
Zv.kryeministri Niko Peleshi: “Arsyeja pse Kryeministri ka planifikuar një vizitë në Beograd është pikërisht për të përforcuar edhe për të dhënë shembullin e vet për një klimë të re në rajonin tonë, në Ballkanin Perëndimor. Ne do të vazhdojmë të promovojmë frymën e bashkëpunimit, shikimin nga e ardhmja drejt destinacionit tonë të përbashkët me rajonin perëndimor që është Evropa”.
Mimoza Hafizi: “Unë do të dëshiroja që Kryeministri ynë të shkonte në Beograd të tregonte se ne jemi një popull evropian dhe se politika jonë e jashtme është evropiane dhe se ajo duhet të jetë model për politikën e të gjithë shteteve ballkanike dhe se populli ynë duhet të bëhet promotor i një sjellje mentaliteti evropian në gjirin e të gjithë vendeve ballkanike. Besoj se populli ynë e meriton këtë”.
Dashamir Peza: “Pjesa elitare e shoqërisë nuk kanë kurajon dhe guximin të vënë gishtin në plagë. Përpiqen të gjejnë një armik, një kundërshtar dhe të gjejnë krenarinë mbi urrejtjen mbi kundërshtarin. Ajo që ve re më kënaqësi, pavarësisht pasioneve, ka një lloj qetësie nga ana e shqiptarëve për ta administruar, duke arsyetuar se ku do shkojmë pas kësaj? Kjo që ndodhi është shumë e shëmtuar po ne të gjithë vrasim mendjen se çfarëdo të ndodhë pas kësaj. Kjo në shoqërinë serbe në njëfarë mënyre mungon”.
Erjon Braçe: “Platini qenka aq i shqetësuar, sa po bëhet makabër për t’u dalë në krah gangsterëve të Ivanit të Beogradit; Paska thënë: Imagjinoni sikur ai droni në vend të flamurit të kishte një bombë! Mishel, mbroji gangsterët serbë si të duash, por jo kështu. Është turp. Në logjikën tënde kam edhe unë disa sikur: I pari, imagjino Mishel sikur ato fishekzjarrët që hidheshin nën këngën “vraje, there shqiptarin…” të ishin bomba!! (Dhe stadiumin e kontrollonin policët serbë); I dyti, imagjino Mishel sikur ata gangsterët, pastaj rojet e sigurisë, që qëlluan me karrige e sende të forta lojtarët shqiptarë që ishin në Beograd nën besën tënde, Mishel, të kishin vrarë një lojtar shqiptar!! (Dhe stadiumin e kontrollonin policët serbe)”.
Luan Rama: “Ajo që është e rëndësishme ka të bëjë mbi të gjitha me qëndrimin shumë dinjitoz, shumë qytetar dhe evropian që mbajti ekipi ynë kombëtar në Beograd nga njëra anë dhe nga ana tjetër e konsideroj qytetar të gjithë reagimin e shfaqur në të gjithë hapësirën shqiptare nga ku nuk përjashtoj normalisht edhe qëndrimin e autoriteteve shqiptare”.
Paulin Sterkaj: “Ajo pjesë ekstremiste gjithmonë mundohet nga dy palët për ta tërhequr, por nuk ma merr mendja se po t’i pyesësh privatisht që ata munden për t’i mbështetur. Por politika e ka këtë, nuk besoj se duhet marrë absolute për mbarëvajtjet e Ballkanit kjo ngjarje sportive”.
Armando Subashi: “S’po them dot për këtë se kjo është një çështje shumë delikate, kjo është një çështje shumë madhore që kërkon një peshim shumë të madh”.




