Driçim Çaka
Energjia elektrike dhe medikamentet u “marrin” pensionistëve rreth 80-90% të të ardhurave mujore. Përfaqësuesit e shoqatave: Shqipëria nuk është një vend social
Pensionistët në Shqipëri nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të siguruar kushtet minimale për të jetuar. Gjatë një takimi në Komisionin e Shëndetësisë, përfaqësuesit e shoqatës së pensionistëve kanë zbuluar të ardhurat reale që përfitojnë pensionistët në vendin tonë. Sipas drejtuesit të shoqatës Osman Terziu, një i moshuar që sot përfiton nga 8 mijë deri në 12 mijë lekë në muaj, atij i ngelen vetëm 6 mijë lekë për të shpenzuar pasi pjesën tjetër duhet të paguajë medikamentet e parimburueshme dhe energjinë elektrike. “Me këto të ardhura që marrin pensionistët nuk mund të jetohet, në një kohë kur mesatarisht të moshuarit sot paguajnë rreth 45 dollarë energjinë elektrike. Për medikamentet një pensionist në ditët e sotme shpenzon 55 dollarë, pasi jot ë gjitha barnat janë të rimbursueshme dhe ilaçet që rekomandohen nga mjekët pensionistët duhet ti blejnë. Po kështu 12 dollarë një pensionisti i dihen për transportin në muaj pasi duhet të lëvizë nëpër spitale apo institucione. Përfundimisht një pensionisti i ngelen 6 dollarë në muaj”,- u shpreh drejtuesi i shoqatës së pensionistëve në Komisionin e Shëndetësisë. Më tej përfaqësuesit e shoqatave kanë ngritur akuza se Shqipëria nuk është një shtet social pasi vetëm 10% e Prodhimit të Brendshëm Bruto jepet për shtresat në nevojë. “Problemi themelor sot,mbetet problemi i statusit të moshës së tretë. Për çështjet sociale në Shqipëri harxhohet 10% e Prodhimit të Brëndshëm Bruto, ndërsa mesatarja evropiane është 27%, pa frikë mund të themi që nuk jemi shtet social”, – përmendën përfaqësuesit e shoqatave të pensionistëve. Sipas shoqatës së pensionistëve rreth 70% e të moshuarve vuajnë nga një sëmundje kronike dhe 30% e tyre kanë mbi dy sëmundje kronike, shifra këto që i detyrojnë të moshuarit të “zhyten” në varfëri.
Pensioni social
Në mbledhjen e Komisionit të Shëndetësisë, Ministria e Mirëqenies Sociale ka konfirmuar ndryshimet në ligjin për sigurimet shoqërore, ku çdo i moshuar do të marrë pension social në moshën 70 vjeç, pavarësisht se nuk ka paguar kontribute. “Të gjithë ata të moshuar që nuk plotësojnë kushtet për përfitimin e pensionit, do të mund të përfitojnë një pension social, i cili në vitin 2015 do të jetë 6640 lekë dhe do të indeksohet më pas çdo vit në bazë të indeksit të çmimeve të konsumit për të gjithë ata të moshuar mbi moshën 70 vjeç, që nuk përfitojnë pension”, – tha Merita Xhafa, drejtore e Shërbimeve Sociale në MMSR. Nga ana tjetër përfaqësuesi i shoqatës së demografëve shpjegoi se raporti kontribuues-përfitues është shumë i ulët, në krahasim me të disa viteve më parë. “Ne kemi një raport shumë të dobët, raporti kontribuues- përfitues. Ky raport në vitet para ’90 ka qenë 4.5 me 1, pra kontribuonin 4 veta e gjysmë dhe përfitonte një pensionist. Ndërsa sot ky raport është 1 pensionit me 1.5 përfitues. Ky është shkaku kryesor pse ne kemi pensione të ulëta. Një gjë është, që për këtë gjendje kushdo mund të ketë faj e përgjegjësi, po jo pensionisti. Sepse ai ka punuar, ka kontribuar por shoqëria nuk i kthen ato para që ai ka derdhur”, – tha Ilia Telo, drejtues i shoqatës së demografëve. Përfaqësuesit e organizatave kërkuar të kryhet edhe një studim për përcaktimin e minimumit jetik për pensionistët, pasi mungojnë të dhënat e sakta mbi bazë e të cilave duhet të hartohen politika në favor të kësaj kategorie.




