Raporti i BB-së/ Çmimet e ilaçeve, shqiptarët i blejnë më shtrenjtë se në çdo vend tjetër të BE-së

pharmacy3% futen në varfëri, për shkak të shpenzimeve për medikamentet

Drejtori i Fondit të Sigurimeve: Mjekët japin ilaçet më të shtrenjta

Një raport i Bankës Botërore e ka nxjerrë Shqipërinë si vendin ku ilaçet blihen më shtrenjtë në krahasim me vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Sipas raportit, 55% të parave shqiptarët i shpenzojnë për medikamente, shifër kjo shumë herë më e lartë, nëse e krahasojmë me vendet e zhvilluara si Gjermania apo Franca. Po kështu, raporti tregon se rreth 3% e shqiptarëve bien në varfëri, për shkak të shpenzimeve për shëndetin. Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Tahsein Sayed, u shpreh se krahasimet e çmimeve me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor tregojnë se Shqipëria ka potencial të madh për të reduktuar çmimet e barnave. “Kufizimet nga ana e furnizimit mbeten një pengesë e madhe për realizmin e uljeve të mëdha të çmimeve të barnave, gjë që i bën barnat të shtrenjta dhe të paarritshme për një grup të madh të popullsisë.Objektiv kryesor, duhet të jetë reduktimi i nivelit të bashkëpagesave, krijimi i kursimeve dhe sigurimi i vlerës në këmbim të parave për shpenzimet publike të shëndetësisë për barna, rritja e aksesit ndaj barnave që shpëtojnë jetën, kontrollin e rritjes së shpenzimeve për barnat dhe garantimi i dhënies së barnave me recetë në mënyrë racionale”, – tha përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri. “Kemi një situatë, që tregu i barnave në Shqipëri, po ta kthejmë në dollar, meqenëse është më lehtë për të bërë vlerësimet, shkon deri diku te 170 milionë dollarë. Problemi i parë që vjen nga kjo, përjashtimisht nga shumë vende të tjera, nëse marrim shpenzimet që bëjmë për barnat, kundrejt shpenzimeve totale të shëndetësisë, jemi në nivelin 20%. Nuk ka asnjë vend tjetër, të zhvilluar apo të pazhvilluar që të shpenzojë 1/5 e parave vetëm për barna brenda shëndetësisë. Vendet e zhvilluara janë tek 7-8%, vendet më pak të zhvilluara vërtiten në 14 – 15%. Pra, këtu kemi një situatë që kërkon më shumë analizë”, – u shpreh ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

 

Mjekët japin ilaçe të shtrenjta

Për drejtorin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm, Astrit Beci, mjekët u japin pacientëve ilaçet më të shtrenjta, për shkak se në disa raste bashkëpunojnë me kompanitë farmaceutike. “Nga të dhënat tregohet se në Shqipëri, mjekët kanë tendencë të japin doza shumë të mëdha të barnave të shtrenjta, ndërkohë që në 4 vendet evropiane të marra në studim, shifrat tregojnë të kundërtën. Kjo është një dukuri që tregon për lidhjet e dyshimta mjek-kompani farmaceutike”, – tha Astrit Beci. Lidhur me të dhënat krahasimore për barnat, drejtori i Fondit paraqiti të dhënat e studiuara për disa barna të shtrenjta (sikurse janë barnat e rimbursueshme për të sëmurët me Ca – ku një recetë e rimbursueshme paguhet nga Fondi 350.000 lekë të reja në muaj). “Duke iu referuar ilustrimeve që sjellin nga këndvështrime të ndryshme, tregojnë që, në mënyrën se si i përdorim barnat dhe për pasojë, paratë që shpenzojmë për barnat, jemi “atipik”. Shembujt e ndryshëm, globalë apo individualë, tregojnë që sjellja është atipike”, – theksoi ministri i Shëndetësisë. Në raportin e Bankës Botërore thuhet se mbrojtja financiare e familjeve kundrejt pagesave nga xhepi është relativisht e dobët dhe cilësia e kujdesit shëndetësor mbetet një shqetësim i madh.

 

 Urdhri/ Publikohet struktura për vitin shkollor 2014-2015, 2 periudha pushimesh

Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka publikuar urdhrin për strukturën e vitin shkollor 2014-2015. Sipas urdhrit, shkolla do të fillojë më 15 shtator 2014 dhe mbaron në 5 qershor 2015. Ministria e Arsimit ka përcaktuar se pushimet e para merren në 24 dhjetor deri më 4 janar. Ndërsa pushimet e dyta fillojnë në 26 mars 2015 deri më 31 mars 2015. Sipas urdhrit të MAS, provimet e lirimit do të zhvillohen në datat 6-30 qershor 2015.

 

 Gjykata e Strasburgut/ Zbatohen vendimet, qeveria kompenson ish-pronarët

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore në Strasburg, për dëmshpërblimin e e familjes Manushaqe Puto dhe familjes Delvina. Sipas vendimit, ndaj familjes Delvina duhet të jepet dëmshpërblimi në vlerën prej rreth 2 milionë euro në çështjen “Delvina kundër Shqipërisë”. Ndërkaq po ashtu është miratuar edhe dëmshpërblimi i shumës së mbetur ndaj Manushaqe Putos, e vendosur fillimisht nga Gjykata e Strasburgut në vlerën 100 milionë lekë. Dëmshpërblimet vijnë pas vendimeve të Gjykatës së Strasburgut lidhur me kompensimet e ish-pronarëve dhe të drejtat që ata kërkojnë mbi pronat e tyre.
 Formulari A2/ Nis hedhja e pikëve mesatare në portalin e maturës

Deri në datën 22 korrik, drejtuesit e shkollave të mesme do të bëjnë hedhjen e pikëve mesatare në portalin e Maturës Shtetërore. Kandidatët duhet të dorëzojnë pranë shkollës së mesme mandatpagesën prej 2000 lekësh, të bërë pranë zyrave të postës, në të kundërt nuk mund të aplikojnë me formularin A2. “Përpara se të bëhet plotësimi i formularit A2 njoftojmë të gjithë studentët që të bëjnë ashtu si çdo vit, pagesën prej 2000 lekësh pranë zyrave të Postës Shqiptare apo bankave të nivelit të dytë dhe më pas të paraqiten në drejtorinë e shkollës ku kanë bërë aplikimin e formularit A1 ose A1Z dhe të dorëzojnë mandat pagesën, një politikë kjo e ndjekur nga Ministria e Arsimit që prej vitit 2007”, – u shpreh zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, gjatë një daljeje për mediat.

 

 

Share it :