Kreu i qeverisë, Edi Rama, deklaroi dje në Parlament se Shqipëria është gati t’i bashkohet programit të BE-së dhe të bëhet mikpritës i një numri të caktuar migrantësh sirianë, të cilët largohen nga atdheu i tyre për shkak të luftës. Edhe pse deri më tani Shqipëria nuk është në itinerarin që përshkojnë refugjatët për të shkuar në Evropën Perëndimore, Rama pohoi se me ardhjen e dimrit Shqipëria mund të jetë një destinacion i tyre, ndaj vendi duhet të përgatitet. “Nëse Turqia do bëjë marrëveshje me BE-në për të marrë përsipër në terrenin e saj të flukseve për të luftuar në bashkëpunim sistemin e ngritur të trafikantëve që është një sistem që funksionon 24 orë në 24, atëherë fluksi do shkojë duke u ulur. Është kërkuar disponibiliteti edhe i rajonit për mosshfryrjen e menjëhershme të refugjatëve nga njëri vend te tjetri, përgjatë Korridorit ku kalojnë refugjatët, ku Shqipëria nuk bën pjesë. Refugjatët nuk pranojnë të qëndrojnë në kampet e ngritura, ata vijojnë të ecin drejt Gjermanisë. Shqipëria nuk është e prekur dhe gjasat janë të mos preken nga kjo krizë. Por me ardhjen e dimrit, fluksi mund të ngecë në Ballkan, por këtë mund ta bëjë më të pranishme shtrëngesa që do bëjë Gjermania apo Austria. Shqipëria është e gatshme të përfshihet në programin e Bashkimit Evropian me një projekt të qartë që në epiqendër të saj ka Gjermaninë dhe Austrinë”, – tha Rama. Ndërkaq, në fjalën e tij në seancën parlamentare Kryeministri sqaroi edhe votën për heqjen e embargos së SHBA-së ndaj Kubës. Ai tha se nuk ka asnjë skandal që Shqipëria votoi kundër SHBA-së, pasi paraardhësi i tij, sipas Ramës, kur ka qenë në pushtet, ka bërë të njëjtën gjë. “Del ish-kryeministri dhe me papërgjegjshmërinë që e karakterizon lëshon alarmin se u pozicionuam kundër SHBA-së dhe u vumë në krah të Kubës. Realiteti është ky që do t’ju tregoj tani, kjo është një rezolutë që kalon në çdo sesion, vit pas viti, për të mos marrë historikun e gjatë, mora atë të shkurtër dhe që nga 2005 deri në 2015 në këtë rezolutë Shqipëria ka votuar gjithmonë njësoj, kundër rezolutës vetëm Izraeli, SHBA, Ishujt Marshall dhe një vend tjetër. Në nëntor 2006, kur Kryeministër ishte ai që vuri alarmin, prapë vetëm 4 kundër e gjithë pro, edhe Shqipëria. Ja çfarë i punoni ju të vërtetës”, – theksoi Rama.





