QSUT pa drita, ndërpriten operacionet dhe ekzaminimet, pacienti godet me karrige infermierin

Blerta Mrishaj

qsut

Reagojnë mjekë e drejtori i spitalit: Bluzat e bardha ndihen të kërcënuara nga ngjarje të tilla, ndërkohë që, sipas tij, autorët duhet të ndëshkohen

 

Pas dy ditë pritjeje për të thërrmuar gurët në veshka, një pacienti në shërbimin e Urologjisë, i është sosur durimi, aq sa dje ka thyer karrigen ndaj një infermieri të shërbimit të urologjisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Drejtoria e QSUT-së sqaron se mungesa e energjisë elektrike bëri që pacienti të mos i nënshtrohej aparaturës së thërrmimit të gurëve në veshka. Kjo situatë e ka nervozuar pacientin dhe për pasojë ai ka e goditur pranë shkallëve të shërbimit me karrige pas koke duke i lënë plagë të rëndë. “Është një pacient që ka ardhur dje me gurë në veshka. Ka shkuar te kabineti për të thyer gurët. Në këtë kohë ka pasur probleme elektrike. Meqë nuk përbënte urgjencë u la për sot (dje) në mëngjes. Në mëngjes për shkak të një defekti elektrik jashtë spitalit ka pasur ndërprerje energjie dhe ne kemi ndërprerë punën. Është konfliktuar fillimisht me personelin aty, atëherë ka ndodhur dhe agresioni, ka marr një karrige, e ka goditur në kokë”, – tha Mustafa Xhani, shef i Urologjisë, QSUT.

Reagimi

Nga QSUT-ja bëhet e ditur se shkak për dhunën është bërë mosvënia në funksion e aparaturës, duke e justifikuar këtë me cilësinë e dobët të rrymës elektrike që shërben për të vënë në funksionim aparaturën. Për këtë arsye edhe ditën e djeshme pacienti është kthyer mbrapsht nga infermieri, duke mos kryer goditjen në veshka, ndërkohë që e njëjta arsye i është dhënë edhe sot. Të njëjtat burime saktësojnë se në shenjë irritimi pacienti e ka goditur nga pas infermierin disa herë në kokë, për t’u ndalur vetëm nga personat e pranishëm në momentin e skenës. Ai është larguar nga vendngjarja, ndërkohë që infermieri i zhytur në gjak, është marrë nën kujdesin e menjëhershëm të mjekëve. Ai i është nënshtruar një skaneri, pastrimit të plagëve në kokë dhe rezonancës magnetike. Infermieri ndodhet në gjendje të mirë. Nuk dihet ende identiteti i personit që ushtroi dhunë, i cili pas ngjarjes është larguar menjëherë nga ambientet e spitalit. Mësohet gjithashtu se Drejtoria e QSUT ka ngritur një task-forcë për të inspektuar nga afër situatën e krijuar.

Mjekët

Shefi i shërbimit të Urologjisë, Mustafa Xhani, tregoi se çfarë ngjau sot në kabinetin e thyerjes së gurëve në veshka.“Është një pacient që ka ardhur dje me gurë në veshka. Ka bërë gjithë dokumentacionin dhe ka shkuar sot (dje) te kabineti të thyejë gurët në veshka, në këtë kohë ka pasur probleme elektrike dhe nuk mund të futej në aparat se nuk ishte e sigurt. Meqë nuk përbënte ndonjë urgjencë, u la për sot (dje) në mëngjes. Për shkak të një defekti energjetik, jashtë spitalit, ne kemi ndërprerë punën madje deri në një urdhër të dytë deri kur të stabilizohet gjendja me dritat. Ky person është konfliktuar fillimisht gojarisht me personelin aty dhe atëherë ka ndodhur agresioni, ka marrë një karrige dhe ka goditur ndihmësmjekun, që është një bluzë e bardhë që ishte në krye të detyrës. Ajo bluzë e bardhë është lyer me gjak”.

Spitalet

Drejtori i QSUT-së, Edmond Rrushi, tha se bluzat e bardha ndihen të kërcënuar nga ngjarje të tilla, ndërkohë që, sipas tij, autorët duhet të ndëshkohen.“Sulmi ndaj infermierit Ruzhdi Merja është një ngjarje shumë e rëndë, kush godet bluzat e bardha do të ndëshkohet”, – tha ai, duke shtuar se infermieri është në gjendje më të mirë shëndetësore. Rrushi sqaroi ngjarjen, duke theksuar se ka pasur një defekt të energjisë dhe për këtë shkak është pezulluar ndërhyrja tek pacienti. Sipas tij, nga mungesa e energjisë janë pezulluar disa ndërhyrje kirurgjikale. Pacienti që qëlloi infermierin nuk ishte në gjendje urgjente, ndërsa ndërhyrja e tij (thërrmimi i gurëve në veshka) ishte shtyrë për t’u kryer. Infermieri i Shërbimit të Urologjisë u qëllua me karrige nga një pacient, duke i ka shkaktuar plagë në kokë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orën 11:00 në ambientet e jashtme të këtij shërbimi. Shkak për dhunën është bërë mosvënia në funksion e aparaturës, për shkak të cilësisë së dobët të rrymës elektrike.

 

Drejtori i ri i UKT-së

Fatbardh Islamaj zëvendëson Dollapin

Fatbardh Islamaj do të jetë kreu i ri i Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës. Ai është prezantuar para administratës së kësaj drejtorie. Islamaj zëvendëson në këtë post Sahit Dollapin. Ky i fundit u caktua nga Enti Rregullator i Energjisë si administratori shtetëror i CEZ Shpërndarjes.

 

Autonomia

Ndryshim financimit për spitalet, buxheti, bazuar në kosto efektivitet

Instituti i Sigurimeve Shëndetësore dhe Ministria e Shëndetësisë do të ndryshojnë mënyrën e financimit të spitaleve. Dje në një tryezë të rrumbullakët mes përfaqësuesve të USAID-it, kreu të shëndetësisë, Vangjel Tavo, dhe drejtores së ISKSH-së, Elvana Hana, dhe drejtuesve të spitaleve kanë diskutuar mbi domosdoshmërinë për autonominë spitalore si një hap drejt këtij reformimi rrënjësor në drejtim të menaxhimit të financave, të menaxhimit të burimeve njerëzore, të menaxhimit të shërbimeve të domosdoshme dhe ofrimit te tyre me kosto sa më të ulët. Drejtorja e ISKSH-së, Elvana Hana, kërkoi rritje të shkallës së autonomisë për spitalet dhe ndryshimin e formës së menaxhimit të tyre, në mënyrë që t’i përshtaten ndryshimeve të parashikuara në ligjin e ri të sigurimeve shëndetësore. “Procesi i nxjerrjes se kostove spitalore dhe hartimit te paketave të shërbimeve bazuar në këto kosto për të cilat po punon ISKSH dhe spitalet, do të sjellë një financim real të shërbimeve shëndetësore dhe me hapësirat që krijon ligji i ri i sigurimeve shëndetësore, do të bëhet edhe kontraktimi i shërbimit privat. Zhvillimi i procesit të kontraktimit si me ofrues publik ashtu dhe ata privat të bazuar më shumë në cilësi, në kosto-efektivitet dhe në konkurrencë për shërbimet e kontraktuara e te financuara”, – tha Hana. Ndërsa kreu i shëndetësisë, z. Vangjel Tavo, në hapje të këtij takimi ka theksuar rëndësinë e autonomisë spitalore, e cila pasqyrohet drejtpërsëdrejti në rritje të cilësisë së shërbimeve ofruar pacientit dhe përmirësim të performancës spitalore në tërësi. “Investimet e realizuara në vite e kanë bërë sektorin spitalor një sektor të kushtueshëm në sistemin e kujdesit shëndetësor, që zë 12-13% të shpenzimeve për shëndetësinë, pavarësisht faktit se ne kemi shumë vëmendje e kujdes për forcimin e sistemit të kujdesit shëndetësor parësor (si niveli i parë i kujdesit për pacientët). Spitalet vazhdojnë të jenë një pjesë e rëndësishme e sistemit të kujdesit shëndetësor, që ofrojnë jo vetëm kujdes të specializuar, por edhe kujdes bazë”, – u shpreh ministri i Shëndetësisë, z. Tavo, gjatë fjalës së tij.

 

 

 

 

 

 

 

 

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :