Deri dje çmimi i biletave përcaktohej nga Këshilli i Ministrave
Ndryshimi i ligjit, pas protestave të shoqatave për rritjen e çmimit
Pas një marrëveshjeje paraprake mes Ministrisë së Transporteve dhe shoqatave për rritjen e çmimit të biletës nga 30 lekë në 50 lekë, qeveria ka bërë një hap mbrapa. Për t’iu shmangur përgjegjësisë për rritjen e çmimit të biletave, ditën e djeshme Këshilli i Ministrave propozoi disa ndryshime në ligjin nr. 8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar”. Sipas propozimit të qeverisë, çmimi i biletave të urbanëve do të vendoset nga Këshilli Bashkiak, ndërkohë që deri dje ky çmim vendosej dhe mund të ndryshohee vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave. “Tarifat e biletave të transportit qytetas të udhëtarëve me autobus miratohen me vendim të këshillit bashkiak, sipas nenit 14, të këtij ligji. Tarifa e llojit të biletës në transportin qytetas të udhëtarëve me autobus miratohet nga këshilli bashkiak në përputhje me nivelin e standardit të kërkuar për këtë shërbim”, – thuhet në vendimin e qeverisë. Po kështu, Këshilli i Ministrave ka vendosur se fondet për kompensimin e biletave për një sërë kategorish në nevojë do të përballohen nga institucioni përgjegjës. “Fondet për kompensimin e tarifës së transportit të kategorive të personave, që përfitojnë nga legjislacioni në fuqi për transportin qytetas, përballohen nga institucionet përgjegjëse sipas ligjit. Masa, kriteret dhe procedurat për kompensimin e kësaj tarife përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, – përfundon vendimi i qeverisë.
Ligji
Ky ndryshim në ligj vjen vetëm pak ditë pasi shoqatat e transportit urban zhvilluan një protestë 24-orëshe në Tiranë. Protesta paralizoi qarkullimin e qytetarëve përgjatë gjithë ditës. Shoqatat e transportit kërkonin rritjen e çmimit të biletës nga 30 lekë në 70 lekë ose qeveria të ulte TVSH-në për transportin urban si dhe të subvenciononte akcizën e naftës.
Bashkia
Pak ditë më parë, Bashkia e Tiranës reagoi lidhur me propozimin e qeverisë për të kaluar kompetencat e çmimit të biletave të pushteti vendor. “I bëjmë me dije publikut dhe qeverisë se problemi nuk është tek çmimi i biletës. Qëndrimi i Bashkisë së Tiranës është i qartë dhe i prerë, kundër rritjes së çmimit të biletës. Nuk është zgjidhje rëndimi i xhepave të qytetarëve në këto kohë të vështira me çmimin e rritur të transportit urban. Zgjidhja është ajo që i kemi propozuar që në dhjetor qeverisë: ulja apo eliminimi i TVSH-së për shërbimin e transportit publik dhe eliminimi i akcizës së naftës për transportin urban qytetas. Kjo është e vetmja rrugëzgjidhje e problemit pa rënduar koston për qytetarët, dhe për këtë i takon qeverisë të marrë vendimet përkatëse dhe jo të fshihet duke hequr përgjegjësitë që i ka me ligj”, – thuhej në reagimin e Bashkisë.
Ministri i Shëndetësisë
40 milionë euro për QSUT-në
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në takimin e analizës vjetore të QSUT-së, u shpreh se në harkun kohor të disa viteve do të investohen të paktën 40 milionë euro. ”Projektet do t’i fillojmë që këtë vit, kirurgjia e re, spitali i sëmundjeve të brendshme, spitali i pediatrisë dhe i onkologjisë. Bashkë me përgatitjet me sistemin e plotë të furnizimit të spitalit. Nuk duam të kursejmë nëse ju duhet të kërkoni teknika të reja për informacion në QSUT dhe më mirë aty tek ju nuk ka si të bëhet tjetër dhe jo vetëm në shëndetësi por edhe në Shqipëri. Unë besoj se kemi rezerva edhe brenda asaj çfarë kemi sot disponibël me mjetet financiare dhe materiale dhe me burimet njerëzore”, – tha Beqaj. Ndërkaq, kreu i Shëndetësisë ka përcjellë një mesazh mes personelit mjekësor të QSUT-së, se mjekët që kanë mbushur moshën e daljes në pension duhet të lënë punën. ”Dalja në pension ose plotësimi i kushteve të pensionit është një ngjarje e parashikuar në jetë. Ju lutem përpiquni të m’i reduktoni kërkesat për të punuar edhe pas moshës së pensionit”, – theksoi ministri i Shëndetësisë.
INUK
Prishet kati shtesë i një objekti pa leje në rrugën “Idriz Dollaku” në Tiranë
Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar prishi dje shtesën e një ndërtesë 7-katëshe në rrugën “Idriz Dollaku”, në njësinë bashkiake nr. 1 në Tiranë. Operacioni i mirorganizuar u realizua në vazhdën e aksioneve për prishjen e të gjitha ndërtimeve të paligjshme kudo që ato ndodhen. Pasi ishte verifikuar më parë dokumentacioni dhe konstatuar se ndërtimi ishte i paligjshëm, njësitë operacionale të INUK-ut hynë në objektin e paligjshëm dhe nisën rrëzimin e mureve anësore dhe strukturës prej betoni në një hapësirë prej rreth 250 m². Krahas përdorimit të lëndëve eksplozive për prishjen e objekteve në lartësi, INUK-u po përdor edhe mjete të thjeshta krahu në zotërim të skuadrës speciale për të mos rrezikuar jetën e banorëve dhe prishur qetësinë e tyre. Veprimet e grupeve të gatshme dhe inspektorëve të terrenit të INUK-ut dhe INUK Tirana 1, për krijimin e zonës së sigurisë, mbështeteshin nga shërbimet e komisariatit nr. 1 të Drejtorisë së Policisë Tiranë.
Studimi
Vetmia, shkak për sulmet në zemër
Të qëndruarit vetëm gjatë kohës kur jeni më të vjetër në moshë, mund të jetë shumë e rrezikshme për shëndetin. Në këtë përfundim kanë dalë një grup hulumtuesish në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Të ndihesh i injoruar nga të tjerët mund të rrisë presionin e gjakut në zonat e rrezikshme për sulmet e zemrës dhe gjithashtu rrit mundësinë e rritjes së depresionit”, – u tha gjatë një konference në SHBA. Hulumtuesit e Shteteve të Bashkuara i udhëzojnë ata që janë në moshë të shtyrë, që të mendojnë të jenë sa më aktivë në moshën e shtyrë. John Cacioppo, profesor i Psikologjisë, shpenzoi gati 20 vite të studimit të ndikimit të vetmisë, gjurmoi shëndetin e më shumë se 2 mijë grave dhe burrave, të moshës 50 e më shumë për më shumë se gjashtë vite. Burrat dhe gratë më të vetmuar ishin dyfish më të rrezikuar për të vdekur gjatë asaj periudhe se sa ata që janë ndier më të dëshiruar dhe më të nevojshëm. Një tjetër studim ka gjetur se vetmia është dyfish më vdekjeprurëse sesa trashësia.




