Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe Presidenti amerikan, Barack Obama biseduan dje në telefon për të diskutuar mbi tensionet në Ukrainën lindore dhe luftën kundër grupit “Shteti Islamik” në Lindjen e Mesme. Biseda e tyre e fundit kishte qenë në muajin shkurt, tha Shtëpia e Bardhë.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Obama i tha zotit Putin se Rusia është e nevojshme të përmbushë angazhimet e marra në Minsk të Bjellorusisë këtë vit, duke përfshirë heqjen e trupave dhe armatimeve nga territori i Ukrainës.
Kremlini tha se dy udhëheqësit i kushtuan “vëmendje të rëndësishme” përballimit të terrorizmit dhe sidomos “Shtetit Islamik” dhe ranë dakord që Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, të takohen për të biseduar mbi këtë çështje.




