Në kohën e thyerjeve shpirtërore të njerëzve, në rrethana të mjerueshme sociale dhe ekonomike, në situata jo të qeta, në goditje fatkeqësish, në kohëra luftërash, etj., paraqitja e propagandës destruktive atakon anën emotive të individit duke ndikuar në sjellje dhe duke krijuar konfuzion e mosbesim, gjë që vjen deri te paralizimi i plotë i jetës normale pothuajse në të gjitha sferat dhe m’u për këtë arsye përhapja e propagandës bëhet në situata të tilla kritike. Propaganda destruktive në esencën e saj është totalitare. Nuk ka qëllime humane, por krijon sjellje të kushtëzuara te njerëzit, pra, që të jetë në gjendje me mekanizmat të automatizuar t’i kontrollojë dhe t’i përshtatë sjelljet e tyre shoqërore.
Fjala propagandë mund të përcaktohet si: aktivitet shoqëror, i bazuar në ligjet e psikologjisë, e cila nënkupton punë dhe kufi të organizuar në përhapjen e ideve të përcaktuara dhe besimit në to. Kufiri i aktiviteteve propaganduese është kur individi, shoqëria apo mbarë një popullsi i pranon idetë e ofruara (imponuara) dhe besimin në to, si dhe të sillet në harmoni me normat dhe rregullat.
Parë nga këndvështrimi i përgjithshëm, propaganda si nocion është neutral; kahja e saj varet nga qëllimi i saj. Ajo mund të jetë konstruktive (revolucionare) dhe shumë e dobishme kur të aplikohet për çështje me prioritet human, njerëzor, kombëtar etj., por gjithashtu mund të jetë edhe destruktive (reaksionare) dhe shumë e dëmshme si dhe e rrezikshme, jo vetëm për individin, por për mbarë shoqërinë, kur ajo aplikohet për interesa të caktuara të atyre që e kanë në dorë timonin e kësaj fuqie. Sjellja e njeriut është e kushtëzuar nga faktorë të ndryshëm të rrethit shoqëror dhe vetvetiu njeriu përpiqet që t’i përshtatet rrethit. Organizmi, në të cilin ndikon faktori i jashtëm dhe ndryshon baraspeshën e tij të deritanishme, aspiron që të neutralizojë këtë baraspeshë dhe të vërë prapë balancën e mëparshme. Pra, me ndryshimin e faktorit të jashtëm, ndikohet drejtpërdrejt edhe në sjellje, dhe me to manipulohet në mënyra të planifikuara, kështu që është e mundur, sipas interesit, t’i modifikojmë, respektivisht t’i ndryshojmë sjelljet, dëshirat, vullnetin e njerëzve, e për një gjë të tillë si mjet mjaft efikas përdoret propaganda.
Një nga llojet kryesore të propagandës është ajo ekonomike që ndryshe mund të quhet edhe si forma më e gjerë e promocionit. Propaganda ekonomike është aktivitet i organizuar, me intensitete e dinamikë përkatëse, në mënyrë që nëpërmjet zbatimit të metodave dhe të masmediave të komunikojë me tregun, duke e informuar dhe dhënë porosi konsumatorit:
Propaganda ekonomike destinohet për njeriun. Njeriu nuk është vetëm homo economicus, por edhe qenie sociologjike dhe psikologjike. Përmbajtja e porosive dhe e apeleve të propagandës ekonomike duhet të ketë edhe me një dozë të ngacmimit në psikikën e njeriut, përkatësisht të blerësit, konsumatorit.
Psikologjia në propagandën ekonomike nuk është e pranishme vetëm në rrafshin e porosive dhe të apeleve propagandistike, por ka vend parësor edhe në analizat e marrësve të porosive, të konsumatorëve dhe të shfrytëzuesve.
Duke u bazuar në reagimet e blerësve formësohet programi dhe aksionet e propagandës ekonomike.
Por me ndikim edhe më të madh tek njerëzit ka qenë njëra nga llojet e propagandës ajo që ndryshe mund të quhet propaganda destruktive.
Propaganda destruktive zhvillohet dhe aplikohet pothuajse nga secili pushtet, për nevoja të veta në shumë fusha, si në fushën sociale, në fushën ekonomike, në fushën e marketingut, në fushën e religjionit e sidomos në atë politike, qoftë ajo e brendshme apo e jashtme.
Propaganda destruktive në esencën e saj është totalitare. Ajo nuk ka qëllime humane, as zhvillimin e personaliteteve të njerëzve, por të kundërtën, që të krijojë tek ata sjellje të kushtëzuara, pra, që të jetë në gjendje me mekanizmat të automatizuar t’i kontrollojë dhe t’i përshtatë sjelljet e tyre shoqërore.
Dihet se emocionet janë pjesë shumë e rëndësishme e jetës shpirtërore të njeriut. Në bashkësinë e dukurive psikike, ato paraqesin sferën më të ndjeshme dhe njëkohësisht edhe më të lënduarën. Dhe kur duhet që dikë ta nxjerrim nga baraspesha shpirtërore dhe t’ia tronditim moralin, atëherë së pari atakohet pjesa emocionale e jetës së tij. Pra, në instancën e fundit, qëllimi final i propagandës destruktive është një atak i tillë që i shkakton dhembje njeriut dhe që e dezintegron jetën e tij psikike. Në kohën e thyerjeve shpirtërore të njerëzve, në rrethana të mjerueshme sociale e ekonomike, në situata jo të qeta, në goditje fatkeqësish, në kohëra luftërash etj., paraqitja e propagandës destruktive atakon anën emotive të individit, duke ndikuar në sjellje dhe duke krijuar konfuzion e mosbesim, gjë që vjen deri te paralizimi i plotë i jetës normale pothuajse në të gjitha sferat, dhe m’u për këtë arsye përhapja e propagandës bëhet në situata të tilla kritike. Pasiguria në këto situata imponon ndjenjën e panikut, e cila kaplon individin dhe ia lëkund personalitetit e qëndrueshëm të tij. Dhe po në këto faza të destabilitetit moral, nxitësit e propagandës ndikojnë mbi individin duke ia imponuar atij idetë e caktuara për qëllimet e tyre manipuluese.
Propaganda si dukuri figuron që nga kohërat më të hershme, por në mënyrë të organizuar psikologjie u përdor gjatë Luftës së Dytë Botërore, për qëllime të caktuara politike. Kjo strategji u zbatua në praktikë në mënyrë profesionale dhe mori dimensione të reja nga nazistët gjermanë gjatë sundimit të politikës hitleriane.
Efektet e suksesshme të propagandës gjatë Luftës së Dytë Botërore i nxiti pushtetarët e shumë shteteve që ta studiojnë këtë dukuri me seriozitetin më të madh nëpër institute e laboratorë legalë e ilegalë.
Që të jetë propaganda e suksesshme, zakonisht ajo i dedikohet individit ose një shtrese të caktuar, varësisht prej interesave të propaganduesit. Ne kemi veprimtari të gjerë të propagandës në jetën e përgjithshme, duke filluar nga ajo familjare, natyrisht që aplikohet nga prindërit për qëllime edukative, pastaj propagandë shkollore-arsimore, propagandë fetare, propagandë sektare, propagandë tregtare, propagandë mediatike, propagandë qeveritare, pra me një fjalë, vetëdijshëm apo jo, ne jemi të bombarduar çdo ditë nga format e ndryshme të propagandës institucionale.
Mesazhet dhe format e tjera bindëse sajohen në bazë të karakterit të individit ose shtresave ndaj të cilave planifikohet që të ushtrohet ky “art i bindjes”.




