Psikologji/ Adoleshenca, kjo moshë e “tmerrshme”

Adoleshenti-familjaPjekuria e fëmijëve na vendos para vështirësive të ndryshme, duke përfshirë çështje apo probleme të papërballura më parë. Ato janë të reja si për ne që jemi prindër por edhe për ata-fëmijët tanë. Çfarë duhet të presim nga adoleshentët që po kalojnë këtë moshë të tmerrshme?.

Të dyja palët janë groposur në atë botëkuptimin e tyre dhe nuk hapin rrugë as edhe një centimetër nga bindjet e tyre, “ata pleqtë demode që s’marrin vesh nga bota e sotme” apo “ata kalamajtë që nuk dinë se ç’ndodh në këtë botë”. Ka mundësi që të vërtetën dhe të drejtën të mundohemi ta gjejmë mes dy palëve në mesin e artë, një zgjidhje të përbashkët, duke dhënë shembullin personal, me tolerancën tonë. Ne jemi shembulli konkret nga ku ata do të mund të mësojnë si nga ana teorike ashtu edhe nga ana praktikë, toleranca duhet të jetë e pranishme gjithmonë sidomos prej nesh. Por që të arrijmë deri tek ajo pra e vërteta ne si njerëz të pjekur duhet të investojmë një dozë të konsiderueshme mirëkuptimi, tolerance, gatishmërie për të ndryshuar, vendosmëri dhe sidomos durim…durim.

Dua të theksoj si fillim (gjë që e nevrikos shumë adoleshentin) marrëdhënia me të. Nëse deri tani “i kemi folur atij” tani është e domosdoshme “të bashkëbisedojmë me të” . Ndoshta shumë prindër nuk bashkohen me mua por duke i ndjekur veprimet e dy palëve jam e sigurtë që do të arrijmë në përfundimin se duke vepruar në këtë mënyrë edhe adoleshentët nuk do të mërziten me fjalët tona si: “E bëra për ty” dhe “e kam nga eksperienca jetësore se kjo gjë do të jetë më e mirë për ty”… etj. Por duhet të kemi kujdes nga fjalitë që përdorim para tyre si “më shkatërrove jetën” apo “je shumë mosmirënjohës”. Është e vërtetë se ndoshta kemi të drejtë sepse jeta është shumë e ngarkuar me shumë strese, ngarkesa, punë, presione, papunësi etj. Por duhet të jemi të kujdesshëm në fjalët që themi sepse thënie të shqiptuara me këto fjalë mund ta hedhin poshtë gjithë punën tonë të bërë me ta.

Nuk duhet që ju si prindër të kapitulloni para adoleshentëve, duhet të ndodhë e kundërta, duhet konkretisht të gjykojmë e të bisedojmë së bashku për planet e qëllimet e së ardhmes. Në vend që t’i vendosim para një fakti të mbaruar, sidomos kur ka të bëjë me të ardhmen e tyre.

Pika tjetër shumë e rëndësishme qëndron në faktin se tashmë ai e kaloi moshën e fëmijërisë dhe po fillon një kapitull tjetër të jetës, ai tashmë po hyn në botën e të rriturve. Për shumë prindër ky kalim i fëmijës është shumë i vështirë të pranohet që fëmija i tyre nuk është më fëmijë por i rritur, do ta theksoja një proces i dhimbshëm. lidhur me këtë Madam dr. Dominik Gober, psikiatre dhe psikoanalitike franceze, thotë: “Adoleshenca është një periudhë e vështirë drejt autonomisë dhe seksualitetit. Ai është një proces i shkëputjes nga prindërit, drejt pjekurisë seksuale dhe të daljes në pah të aftësisë dhe dëshirës për të qenë sado pak i vetmuar, gjithashtu edhe ndoshta në vend “të krizës” sot ne përdorim termin “proces”, e kam fjalën për “procesin e adoleshencës”. Nga njëra anë ajo është koha kur vjen dhe paraqitet individi me pjekuri seksuale. Ndërkohë, kjo është shumë e rëndësishme, sepse ndodhin ndryshime edhe në anën psikike të adoleshentit ose adoleshentes, fillon të ndahet nga prindërit fillon të jetë i pavarur-autonom. Kjo është arsyeja që ka krizë si tek njëra palë ashtu edhe tek pala tjetër .

Sado e vështirë është kjo periudhë për ne si prindër ky proces i ndarjes është i domosdoshëm. Ne e pranojmë dhimbjen e kuptojmë që është e pashmangshme që fëmijët ne po i lejojmë ose jo të rriten kjo gjë më nuk varet prej nesh. Më kujtohet, para disa vitesh, kur një kushëriri im shkoi në ushtri, e ëma bëri gjithçka që të mos ishte e pranishme kur do të ndahej me të birin, ajo nuk e përballonte dot. I ati i djalit më kujtohet se tha: “Lëre djalin të shkojë, që të kthehet burrë”. Vite më vonë e kuptova sa të strukturuara ishin fjalët e tij.

Momenti tjetër shumë i rëndësishëm është t’u sigurojmë të rinjve adoleshentë një hapësirë të mjaftueshme personale (si reale dhe psikike), ku të ndihen të qetë, ku të mos i shqetësojë askush. Ky është vendi ku ata kanë të drejtën dhe lirinë të kërkojnë dhe të zbulojnë veten, ku mund të jenë të trishtuar, të struken në vete ose në të kundërt atje ku mund të shpalosin e të lëshohen në krahët e ëndrrave dhe fantazisë. Është vendi ku ata mund të qëndrojnë vetëm me veten e tyre, ku trupi i tyre po pëson një transformim metamorfoz, ku gradualisht ata do të njihen edhe me ndryshimet trupore .

Është interesant fakti se ne duhet të “sigurojmë” një hapësirë, ku adoleshenti që vetë të na kërkojë dhe të na gjejë nëse ka nevojë për të biseduar, gjë që shpesh është për adoleshentët është sforcim. Megjithëse adoleshentët kanë nevojë për dialog dhe mbështetje, por është shumë i ndjeshëm për temat, të cilat e emocionojnë dhe shpesh i duken se prindërit duan t’i marrin lirinë, e cila së fundi i ka pushtuar të tërësisht.

Prindërit, adoleshenti dhe e dashura 

Vetëm të hapësh e të mbyllësh sytë dhe fëmijët hop u rritën. Është e vështirë ta pranojmë, por kjo gjë është tashmë një fakt – ata tashmë janë mjaftueshëm të rritur për të pasur të dashur. Kjo është situata ku plas konflikti i njohur mes prindërve, adoleshentit dhe të dashurës.

Gabimet që bëjnë prindërit lidhur me të dashurën e djalit

Dëshira për të qenë prindër modern zhduket menjëherë, porsa zbuloni që ai djali i juaj i vogël-i madh ka të dashur. Në këtë rast shfaqet gabimi bazik i prindërve-kundërshtimi, mos miratimi, ndalimi të dalin bashkë dhe më pas fillojnë leksionet, që është i vogël apo e vogël për të pasur të dashur. Ky reaksioni i juaj negativ, ishte gabimi i juaj i madh që ai ose ajo më kurrë nuk do ju tregoj as për këtë të dashur dhe për asgjë tjetër. Historitë e saj apo të tij do ti kuptoni shumë vonë, si një problem me një rëndësi të veçantë për fëmijën tuaj adoleshent. Kështu që me të vërtetë do ju lërë pa gjumë me siguri do t’ju filloje edhe dhimbja e kokës. Si konkluzion duhet të keni kujdes për reagimin tuaj të parë si dhe për herën e parë që është për fëmijën tuaj, pra për të dy palët ka një herë të parë. Prindërit duhet të dinë ta kontrollojnë veten sepse janë shembulli konkret për fëmijët që janë përherë përballë nesh.

 

Kur do të vijë për të parën herë e dashura në jetën e tij ose në jetën e saj?

Që në kopsht, fëmijët e vegjël shfaqin interes ose tërheqje me mënyrën e tyre shumë naive për shokët e gjinisë tjetër. Kapen për dore, i japin puthje të ndrojtura njëri-tjetrit apo ndonjë përqafim të shpejtë e të turpshëm, por këto veprime shkojnë deri këtu. Kështu nuk ka vend për mërzitje, për sa u përket prindërve, këto janë kujtime shumë të këndshme që do të mbeten të paharruara në mendjen e të dy palëve, fragmente nga fëmijëria…

Rreth moshës 12-13-vjeçare fëmijët kanë të dashur me plot kuptimin e fjalës. Është koha për puthjen e parë, shëtitje të kapur për dore dhe për ndonjë përqafim, dëshira e madhe për të qenë pranë njëri-tjetrit. Dhe ky është moment më delikat që t’i tregoni fëmijës-adoleshent se ju jeni pranë tij në këto momente kaq të bukura dhe romantike. Duhet t’i tregoni se jeni shoku i tij me të cilin ai mund të ndajë çdo lloj rrëfimi dhe se tek prindi ai do të gjejë gjithmonë mbështetje dhe përkrahje.

Prindi duhet të prezantohet me të dashurin ose të dashurën e adoleshentit/es, është shumë e rëndësishme. Nëse bëni këtë veprim, do të jeni më të qetë, duke e ditur se me kë është fëmija juaj adoleshent. Duke treguar miratim dhe interes për ndjenjën e adoleshentit, fëmija do t’ju ndiejë më shumë si mik, mbështetës dhe si dy njerëz të afërt që mendojnë njësoj.

 

Si të bëhemi shokë me adoleshentin?

Besoj e njihni zemërimin e vazhdueshëm të adoleshentit? Provokimi më i madh për të është të zbulojë atë që mendon njësoj si ai, qofshin shokët e tij në përgjithësi njerëzit që e kuptojnë dhe e miratojnë atë. Mosha e adoleshencës është koha kur ai është shumë i ndjeshëm dhe hatërmadh.

Me vështirësi i pranon fjalët e prindërve sidomos kur jeni përballë. Është i mendimit se ju flisni “në gjuhë të huaj”. Kjo është arsyeja që sjell shkatërrimin e marrëdhënieve mes jush. Megjithatë, mos u dorëzoni, provoni ta drejtoni “ishullin e vetmuar”, që kërkon ta bëj banorin e vet. Tregoni se ju, prindërit e tij, jeni njerëzit që më mirë se kush do e kuptoni, sepse e doni pa kushte dhe hyni në situatën që ai është duke kaluar, ja disa këshilla si të veproni.

Mos i kaloni temat tabu. Flisni hapur me fëmijët për seksin, drogën, dashurinë, shtatzëninë, alkoolin, kriminalitetin. Mos jetoni me ankthin se po t’i flisni adoleshentit lidhur me këto tema do ta shtyni të hyjë në rrugë të keqe. Duhet të keni parasysh se nëse ju nuk i flisni adoleshentit për këto tema kush do i flas? Është e kundërta, do i tregoni adoleshentit se me gjithë diferencën e moshës që ekziston mes jush, ju interesoheni për të njëjtën gjë.

Bashkëbisedoni me adoleshentin edhe për eksperiencën tuaj që keni kaluar. Nuk ka asnjë adoleshent që mos të ketë interes të dijë si jeni njohur apo prezantuar me babain e tij apo me mamanë dhe si ka dalë ai në këtë botë. Mos harroni faktin se jeni prindër dhe duhet të paraqiteni denjësisht para fëmijës tuaj që është adoleshent. “Profesioni prind” nuk është aspak i lehtë dhe duhet të dish ta bësh, fatkeqësisht nuk ka shkollë për të mësuar këtë profesion.

Kur jeni duke biseduar me fëmijën tuaj adoleshent, tregoni për rininë tuaj megjithëse ka qenë shumë e ndryshme se e të rinjve të sotshëm megjithatë jeni të detyruar t’i tregoni për jetën dhe eksperiencën tuaj që keni kaluar kur keni qenë të rinj. Për jetën në shkollë, për aksionet, zboret, për njohjen me bashkëshortin apo bashkëshorten tuaj, si jeni dehur për herë të parë, si keni marrë notë negative në provim etj. Në këtë mënyrë do të krijoni interes adoleshentit dhe do i jepni mundësi t’ju tregojë për jetën e tij private dhe ndjenjat e tij. Një veti karakteristike e adoleshentit është edhe dëshira e madhe për të dalë mbi të tjerët, pra bashkëmoshatarët e tij. Secili prej tyre dëshiron të mburret më shumë se shokët, prej këtyre tregimeve dalin edhe historitë e vogla që ata tregojnë mes tyre, sa herë është dehur ai, sa herë ka dalë me këtë vajzë dhe çfarë ka bërë me këtë apo atë vajzë. Kështu ai do të mundohet t’i tregojë historitë e vogla ku do të mundohet t’jua kalojë edhe juve, duke u bazuar në historitë e treguara prej jush. Në këtë mënyrë adoleshenti mund t’u tregojë shumë për veten e vetë.

Mos kritikoni, por hyni në gjendjen e tij. Askujt nuk i pëlqen kritika dhe rrallëherë kritika ka ndihmuar dikë të përmirësohet. Mos e ndaloni adoleshentin të dalë të takojë të dashurën apo të dashurin, të mos pijë dhe të mos kryejë akte seksuale. Duhet të kemi parasysh fjalën e urtë të popullit tonë si: “Lëshoje litarin apo tërhiqe, por kurrë mos e këput”, ndalesa që ju mund t’i bëni adoleshentit me dhunë dhe me ulërima mos mendoni se do ta ndalojë, aspak!  Të jeni i sigurt se do të ndodhë e kundërta dhe efekti do të jetë negativ. Më mirë bashkëbisedoni me të për veprimin e tij, me kujdes dhe me takt mësojeni si të vetëmbrohet dhe të veprojë me masë. Është e rëndësishme t’i mësoni adoleshentit sensin e masës së veprimit, edukimi i kulturës së sensit të masës është shumë i rëndësishme.

Lëreni fëmijën të jetë i pavarur aq sa duhet. Mos e ndiqni direkt duhet me takt. Do të vijë dita që ai do të largohet nga shtëpia e babait. Duhet t’i tregoni se keni besim tek ai. Kjo gjë do ta bëjë atë më të përgjegjshëm dhe më të guximshëm që të justifikojë pavarësinë dhe besimin tuaj dhe t’ju nderojë për mendimin që keni për të.

Ju prindër, mundohuni ti largoni nga mendja mënyrat direkte ta shkëpusni adoleshentin apo adoleshenten nga i/e dashuri. Një lidhje dashurie do të do e bënte më të lumtur, do të ketë më shumë besim, do të bëhej më atraktiv dhe bile do të ishte më komunikues. Në raste të veçanta dashuria do ta pengonte në mësimet dhe në angazhimet serioze.

Mos e krahasoni fëmijën tuaj me shokët e tij, as me motrat apo me vëllezërit. Komentet si “Përse nuk mund të jesh si vëllai yt” shembuj me krahasime, ju do të bënit fëmijën të urrente jo vetëm prindërit, por edhe vëllain ose motrën, sepse gjithmonë do t’i dukej vetja më poshtë se ata. Mundohuni të jeni të bindur se çdo njeri është i ndryshëm nga tjetri, ka si të mirat dhe të këqijat, pra pluse dhe minuse. Mos harroni se edhe ju nuk keni qenë mrekullisht të përsosur, pa të pyesim prindërit tuaj. Kujtoni adoleshencën tuaj a ju pëlqenin komentet?.

Ju lutem planifikoni kohë që të merreni më shumë me adoleshentin tuaj. Tregoni më shumë interes si për jetën e tij dhe veprimtaritë me të cilat merret . Me kujdes mos u bëni të mërzitshëm. E rëndësishme është që fëmija juaj të marrë mbështetje emocionale nga ju dhe ai duhet ta dijë se ju krenoheni me të. Shfaqeni dashurinë që keni për të me vepra si dhe lidhjet e forta që keni me të. Kujdes pa e llastuar dhe pa e tërbuar me plotësim dëshirash të pakuptimta. Nuk duhet të ndërtoni me të marrëdhënie interesash.

Të jeni i ose e kujdesshme ma pamjen tuaj të jashtme nëse adoleshenti/ja juaj ka ftuar shokët e tij. Mos i jepni mundësi adoleshentit të turpërohet prej prindërve, por veproni ndryshe që ai të ndjehet krenar dhe i e lumtur për praninë tuaj, në këtë mënyrë ai do të ngrihet shpirtërisht dhe përsëri do të pranojë me kënaqësinë praninë tuaj. Në se paraqiteni si mama ose baba i këndshëm, kështu ju mund të përfshiheni në bisedat me shoqërinë e adoleshentëve të pranishëm. Është mirë për ju si prindër të prezantoheni me shokët dhe shoqet e fëmijës tuaj që do të jetë edhe një fillim i mirë për ju dhe për afrimin me të.

Vëzhgoni adoleshentin tuaj çfarë është duke parë, duke dëgjuar apo çfarë lexon. Kështu do të keni mundësi të bisedoni për temat që e interesojnë atë. Ndërsa fëmija juaj do të komunikojë më hapur dhe më lehtë me ju,ndërsa keni prekur ashtu kot temën e tij të dashur.

Drekoni ose darkoni së bashku me adoleshentin tuaj. Kjo do të përmirësojë komunikimin me të. Ose do t’ju jepej shansi dhe mundësia që të bisedoni me të. Darka familjare duhet të kthehet në një traditë të dashur për ju të gjithë, ku secili të tregojë për veten. Flisni hapur me adoleshentin edhe për problemet e familjes, me kujdes, pa i dramatizuar dhe pa i kthyer në konflikte.

Dëgjoni fëmijët tuaj. Nëse adoleshenti ka filluar të tregojë ndodhi që kanë interes për të, mos i ndërprisni. Nëse e bëni me dëshirë dhe durim, adoleshenti do të jetë i bindur se ju jeni miku ose mikja më e mirë që ai ka, kështu që edhe ai do të ketë dëshirë t’ju dëgjojë ju deri në fund, duhet ta mësoni se edhe si duhet të dëgjojë bisedën e personit që përballë deri në fund.

E rëndësishmja është se asnjëherë nuk është vonë të përmirësoni marrëdhëniet me adoleshentin tuaj. Dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme e me vlerë si për ju ashtu edhe për fëmijën tuaj.

Përgatiti: Rajna Kovaçi      

 

 

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :