Propozimi për paketën fiskale Qeveria, marrëveshje me FMN-në, cilat do të jenë taksat e reja që do të shtohen  

Ervin Kaduku

rrobaqepesiQeveria nis zbatimin e “planit B” të taksave

–  Plani, i paraqitur në marrëveshjen e ekzekutivit, Rama me Fondin Monetar Ndërkombëtar, kërkon shtimin e taksave të reja, në rast se nuk realizohet mbledhja e parashikuar e të ardhurave fiskale, çka po ndodh…

Ndryshimet fiskale të propozuara së fundi nga qeveria duket se shënojnë fillimin e zbatimit të “planit B” të Ministrisë së Financave për të siguruar të ardhura, të sanksionuar në marrëveshjen-zgjedhë me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në programin trevjeçar që Fondi ka me qeverinë shqiptare parashikohet edhe një plan i dytë masash fiskale, veç këtyre, të aplikuara me paketën fiskale të fundvitit 2013, i cili parashikon aplikimin e rreth 10 taksave e tarifave nëse performanca e paketës së parë fiskale nuk është ajo që pritej. Në këtë grup taksash, parashikohet një rëndim i barrës fiskale për pronat e ndotësit e ambientit, siç vlerësohen edhe dy taksat e reja kombëtare.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, po fillon të konkretizohet pikërisht ajo çka qytetarët shqiptarë i druheshin me nënshkrimin e marrëveshjes së huasë me FMN-në: një “valë” e dytë taksash. Ndryshimet e fundit fiskale janë pasojë e të ardhurave të parealizuara. Përjashtuar TVSH-në, të gjitha të ardhurat rezultojnë në rënie, ndaj po fillohet me rritje të reja taksash. Planin B, në rast se të ardhurat nuk do të ishin të mjaftueshme e pati pranuar vetë ministri i Financave që gjatë prezantimit të paketës së re fiskale. Por, pikërisht në debatet e kësaj pakete “të nxituar” zyrtarisht tashmë, u fol edhe për paketa mbështetëse, siç është ajo e fasonit dhe e bujqësisë.

 

Taksat e reja

Një ndër këto taksa të reja është nisma e Ministrisë së Financave për të vendosur një tatim dysheme, nga i cili do të nisë pagesa e taksave për biznesin e vogël me një qarkullim vjetor deri në 8 milionë lekë. Rikthimi, në këtë mënyrë, i një kuote fikse të tatimit, e cila nuk do të jetë më pak se 25 mijë lekë në vit, nuk është mirëpritur nga biznesi e përfaqësues të tij, por as nga ekspertët, që vlerësojnë se ndryshime të vazhdueshme fiskale nuk sjellin gjë tjetër veçse një amulli te biznesi privat, por edhe tek administrata tatimore.

Për më tepër, nëse Ministria e Financave synon të ulë informalitetin, përfaqësuesit e Albkonfindustrisë theksojnë se ndryshimet e vazhdueshme në legjislacion tatimor janë një faktor nxitës i informalitetit. Sipas administratorit Gjergj Buxhuku, “ne synojmë uljen e informalitetit dhe këto ndryshime, nuk e nxisin uljen e tij, përkundrazi”. Ai thekson se disa ndryshime janë të pranueshme, kur flitet për rregullime apo përmirësime, por ndryshimi i shpeshtë i taksave, i kufijve ku ato duhet të aplikohen, përkeqëson funksionimin e sistemit fiskal.

Në këtë mënyrë e mendojnë edhe ekspertët kontabël. Sipas kontabilistit Ilir Binaj, ndryshimet e shpeshta krijojnë paqartësi me aplikimin sidomos kur nuk shoqërohen me udhëzime përkatëse për aplikim, apo kur këto udhëzime janë të nxituara. Sipas tij, në tërësi legjislacioni fiskal në vend lë hapësira për interpretime, e madje edhe keqinterpretime.

 

Biznesi i vogël

Për rastin konkret të vendosjes së kufirit minimal prej 25 mijë lekësh për t’u paguar edhe nga bizneset me xhiro 2-8 milionë lekë në vit, ekspertët kontabël thonë se ky prag tatimi është pozitiv nëse formalizon ekonominë, por sipas tyre, barrën më të madhe në luftën që i takon administratës shqiptare të bëjë në këtë drejtim, duhet ta kenë Tatimet, pasi është detyrë e kësaj administrate që të evidentojë çdo biznes që abuzon. Ata kujtojnë se kjo nuk është forma më e mirë e mundshme për të formalizuar tregun, pasi mund të ketë biznese me fitim më të vogël se 25 mijë lekë dhe kompanitë e kësaj fashe xhiro (2-8 milionë lekë) mund të kenë norma shumë më të ndryshme fitimi në varësi të profilit të punës: biznese shërbimi, tregtie, etj.

Arsyetimi se kështu mund të ulet informaliteti, sipas përfaqësuesve të biznesit jo vetëm që është i gabuar, por edhe paragjykues. Gjergji Gjika, përfaqësues i Shoqatës së Fasonistëve, thotë se një masë e tillë është paragjykuese pasi i takon administratës tatimore të luftojë evazionin. “Nëse nuk je në gjendje të masësh sa është xhiro reale e bizneseve të vogla, të mesme e të mëdha, atëherë shumë shpejt një ligj i ri tatimor mund të vijë edhe për bizneset e mëdha, për korporata e kështu nga zyra, tatimori do të përcaktojë sa mundet dhe duhet të paguajë biznesi në shtet. Pra, nuk bazohet te kriteret që ka ekonomia e tregut: që është xhiro, tatimfitimi”.

Në fakt, tatimfitimi i ri 7.5% për bizneset me 2-8 milionë lekë xhiro në vit ka siguruar më pak të ardhura dhe vendosja e kufirit është një mënyrë për të mbushur gropën. Këtë e pranon vetë Ministria e Financave në relacionin që shoqëron projektligjin “Për taksat vendore”, ku thuhet se “këstet e parapagimit të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për vitin vijues, për tatimpaguesit me qarkullim vjetor 2-8 milionë lekë, llogariten në bazë të të dhënave të deklaratës tatimore të një viti më parë. Forma dhe përmbajtja e deklaratës tatimore vjetore përcaktohet me udhëzim të ministrit të Financave”. Sipas këtij relacioni, projektligji rishikon normat tatimore për biznesin e vogël. Sipas nenit 11 të ligjit në fuqi, tatimpaguesit me qarkullim vjetor nga 2 deri në 8 milionë lekë tatohen me shkallën tatimore 7.5% mbi qarkullimin, kurse tatimpaguesit me qarkullim vjetor nga 0 deri në 2 milionë lekë, tatohen me një shumë fikse prej 25 mijë lekësh në vit. Nga ana tjetër, në bazë të nenit 15 të ligjit, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, për subjektet me qarkullim 2-8 milionë lekë, llogaritet në bazë të formularit të deklarimit tatimor të biznesit të vogël të një viti më parë”. Për këtë arsye, theksohet në relacion, “tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për vitin 2014, i llogaritur mbi bazën e deklaratave të vitit 2013, rezulton në shumicën e rasteve më i vogël se 25 mijë lekë. Në këtë mënyrë, pra, tatimpaguesit me qarkullim nga 2 deri në 8 milionë lekë rezultojnë me ngarkesë fiskale më të vogël se tatimpaguesit me qarkullim nga 0 deri në 2 milionë lekë. Kjo ka shkaktuar reagime të shumta te tatimpaguesit me qarkullim nga 0 deri në 2 milionë lekë, pasi e konsiderojnë këtë si të padrejtë dhe të paargumentuar.

Relacioni pranon gjithashtu që paketa fiskale ka rritur taksat për bizneset me xhiro deri në 2 milionë lekë, ndërsa rezultojnë me rënie ato me xhiro më të madhe 2-8 milionë lekë. Duke iu referuar bizneseve të vogla në relacion theksohet se “propozimi i mësipërm merr shkas nga reagimet e shumta të ardhura nga kjo kategori biznesesh, e cila deri në fund të vitit të kaluar paguante përkatësisht shumën 8 dhe 5 mijë lekë në vit. Pretendimi i tyre se, me futjen e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin në masën 25 mijë lekë në vit, ngarkesa e tyre fiskale rritet dukshëm, realisht qëndron”.

 

Taksat kombëtare

Ndërkohë, së fundi në Kuvend është prezantuar edhe projektligji “Për taksat kombëtare”, i cili parashikon futjen e dy taksave të reja vjetore që do të rëndojnë mbi individët, por edhe mbi bizneset. Në veçanti, nga ky projektligj pritet të preken shoqëritë e transportit apo të shpërndarjes të produkteve, të cilat zotërojnë shumë automjete. Të prekur do të jenë edhe qytetarët, si për zotërimin e automjetit edhe kartave SIM të telefonisë. Taksa të reja apo të ndryshuara, shqetësimi i ekspertëve është elasticiteti shumë i lartë i administratës në ndryshime, ndërsa administrata nuk është e tillë në aplikimin e tyre. Për më tepër, ata kujtojnë se lëvizjet e shpeshta, qoftë edhe kur flitet për ulje, janë një goditje për sipërmarrjet që kohët e fundit po shpenzojnë shumë energji në sigurimin e fitimeve, pasi po përballen me kërkesa të ulëta në treg. Me sa duket, duhet pritur një “rrebesh” i ri taksash që këtë vit…

 

 Staniacion total, rritja ekonomike në shifra minimale

–  Në tre muajt e parë të këtij viti, në krahasim me tremujorin të katërt të vitit 2013, treguesi i Vlerës së Shtuar Bruto vlerësohet me një rritje prej vetëm 0,16%…

–  Dyshime të fuqishme për manipulim të shifrave për të maskuar staniacionin total

Vlera e Shtuar Bruto për tremujorin e parë 2014, sipas INSTAT-it, tregon që ekonomia në janar-mars 2014 ka pasur një rritje minimale, prej 1,65 përqindësh kundrejt tremujorit të parë të vitit 2013. Por, në tre muaj, ekonomia është rritur me vetëm 0.16%, duke krijuar dyshime të fuqishme se qeveria ka manipuluar shifrat për të fshehur staniacionin total. Degët kryesore të ekonomisë për tremujorin e parë të vitit 2014 krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2013 shfaqen si më poshtë:

 

Rritja në 12 muaj

Aktiviteti bujqësor në tremujorin e parë të vitit 2014 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë pati rritje prej 3,06%.

Grupi i industrive u rrit me 8,24% në tremujorin e parë të vitit 2014 krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2013, e ndikuar kryesisht nga Industria Nxjerrëse, e cila pati një rritje me 41,62% dhe industria përpunuese e cila pati një rënie me 9,87%.

Aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e parë të vitit 2014 pati rënie prej 5,3% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2013.

Grupi i degëve tregti, hotele dhe restorante pati një rritje prej 2,66% në tremujorin e parë të vitit 2014 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Në këtë grup, tregtia pati një rritje prej 5,52% ndërsa hotele dhe restorante patën rënie me rreth 14,64%.

Aktiviteti i transportit në tremujorin e parë të vitit 2014 u ul me 24,98% krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.

Grupi posta dhe komunikacioni u shfaq me një rritje prej 3,64% në tremujorin e parë të vitit 2014 përkundrejt tremujorit të parë të vitit 2013.

 

 Rritja Ekonomike Tremujore Tremujori I, 2014

Rritja në tre muaj

Grupimi shërbimet të tjera në tremujorin e parë të vitit 2014 pati rritje me 1,97% kundrejt tremujorit të parë të vitit 2013. Në këtë grup, administrata publike, arsimi, shëndetësia ndikuan pozitivisht dhe aktivitetet e tjera të shërbimit kolektiv, social, kulturor etj. Ndërsa rënia ndikohet nga ecuria negative e sektori financiar, sektorit të pasurive të patundshme, rentës dhe aktiviteteve ndihmëse të biznesit (aktivitete ligjore, të arkitekturës, inxhinierike si dhe konsulenca financiare, komerciale etj.).

Sa i përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin paraardhës të vitit 2013, treguesi i Vlerës së Shtuar Bruto vlerësohet me një rritje prej 0,16%.

Aktiviteti bujqësor në tremujorin e parë të vitit 2014 krahasuar me tremujorin paraardhës u ul me 0,36%.

Grupi i industrive pësoi rënie me 7,7% në tremujorin e parë të vitit 2014 krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013.

Aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e parë të vitit 2014 shënoi rënie me 4,52% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013.

Grupimi tregti, hotele dhe restorante pati një rënie prej 0,09% në tremujorin e parë të vitit 2014 krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013.

Aktiviteti i transportit në tremujorin e parë të vitit 2014 u rrit me 0,9% krahasuar me tremujorin paraardhës.

Dega posta dhe komunikacioni u shfaq me një rritje prej 0,36% në tremujorin e parë të vitit 2014 në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2013.

Dega shërbime të tjera në tremujorin e parë të vitit 2014 u shfaq me një rritje prej 0,29% në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2013.

 

 

 

Share it :