Propozimet për territorialen/ Bashkë PD-PS, por pa konsensus. Basha: Decentralizim, para hartës. Fino: Sillni variantin  

Gëzim Saliu

Basha, Fino, VasiliKreu i PD-së: Kujtoni reformën e 2008-ës. Konsensus në Kuvend, t’i lëmë manovrat e tjera. Fino: S’ka rëndësi numri, 26, 39 njësi apo të tjera, rëndësi ka nëse biem dakord

Mazhoranca dhe opozita nuk gjejnë konsensusin mes tyre për të realizuar bashkërisht reformën territoriale. Edhe pse dje për herë të parë të dyja palët, PD për të djathtët dhe PS e LSI për të majtën, ishin bashkë në takimin e organizuar nga shoqatat e të zgjedhurve vendorë, ku u prezantuan 4 modelet për ndarjen, qëndrimet e tyre ishte diametralisht të kundërta. I pranishëm në seancën e dytë të konferencës “Decentralizimi dhe reforma territoriale” të organizuar nga shoqata e të zgjedhurve vendorë, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, deklaroi se mazhorancanuk i ofroi konsensusin në Parlament, duke i kujtuar votimin për reformën elektorale të 2008-ës. “Nuk besoj se kujtesa e tradhton shumicën e sotme se dje në opozitë, për reformën elektorale apo reforma të tjera të ngjashme, kështu e ka marrë dhe kështu e kemi bërë konsensusin. Konsensusi politik pra jepet në Parlament. Konsensus në Kuvend. T’i lëmë manovrat e tjera. Në qoftë se e keni harruar, konsultoni se çfarë bëmë për reformën elektorale të 2008-ës. E kam fjalën për z. Fino jo për z. Vasili, se z. Vasili ishte në grevë urie atëherë”, – tha ai në takim. Por përfaqësuesi i mazhorancës, njëkohësisht kreu i komisionit të posaçëm për reformën territoriale, Bashkim Fino, deklaroi se të majtët e kanë vullnetin për konsensus me opozitën, ku e ftoi PD-në të sjellë propozime konkrete, por duke respektuar afatin kohor. “Shpresoj që në takimin e fundit të 2 korrikut të triae shoqatat e opozitës të na sjellin një hartë konkrete dhe propozime konkrete. 5 variantet nuk i kemi parë aspak në aspektin politik. Opozita të konsultohet me 5 variantet dhe të tregojë nëse është dakord me njërin prej tyre. Nëse ka propozim të ri, të bazuar në kriteret që kemi marrë si komision t’i propozojmë, sepse kemi kohë për të arritur një zgjidhje konsensuale. Nuk ka rëndësi numri, pavarësisht 26, 39 njësi apo të tjera, rëndësi ka konsensus nëse e gjejmë të tillë. Duhet ta mbyllim brenda 31 korrikut. Jemi gati të presim sugjerimet tuaja por brenda afateve”, – tha Fino. Ndërkaq, moderatori i këtij takimi, analisti Artan Hoxha, e interpretoi si “elasticitet” qëndrimin e deputetit socialist, por për kreun e PD-së, Lulzim Basha, kjo ishte thjesht “çështje interpretimi”.

 

Decentralizim apo hartë territoriale?

Për kryedemokratin, me rëndësi parësore për këtë reformë është decentralizimi dhe shërbimi që do të ofrohet për qytetarët nga këto njësi vendore. “Para se të mbërrijmë tek harta, duhet të bëjmë decentralizimin e vërtetë për të përballuar nevojat dhe sfidat e vërteta të Shqipërisë së vitit 2014. Kjo nuk është koha për të bërë demagogji e për të thënë ju harxhoni më shumë e investoni më pak, sepse e vërteta flet ndryshe. Dhe këtë e them edhe si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Por e them edhe si ish-ministër Transporti. E vërteta flet që njësitë vendore në tërësi janë efiçente me ato kompetenca që u janë dhënë e ndoshta do të jenë edhe më efiçente, në qoftë se kompetencat do të vazhdojnë të shoqërohen me mbështetje financiare”, – deklaroi Basha. Sipas tij, si pjesa administrative e procesit ashtu edhe ajo territoriale duhet të ecin paralel për të kryer një reformë të plotë e efiçente. “Nuk mund ta blejmë patkoin më 22 korrik e të presim për janarin apo shkurtin, që të blejmë kalin, se nuk ka kuptim. Duhet t’i bëjmë, si minimum, paralelisht. Kjo është logjika”, – theksoi Basha. Kuvendi mori dy ditë më parë vendimin për të shtyrë deri më 31 korrik reformën territoriale e ndërsa opozita pas konsultimeve me shoqatat e të zgjedhurve vendorë pritet të dalë më 2 korrik me një projektrezolutë për reformën territoriale, duke vënë theksin tek decentralizimi dhe thellimi i autonomisë vendore.

 

Tryeza e dytë për territorialen/ Përfundimet: Decentralizim për zhvillim ekonomik e social

Shoqatat e të zgjedhurve vendorë organizuan dje seancën e dytë të konferencës “Decentralizimi dhe reforma territoriale”, në një takim të hapur ku morën pjesë dhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha, dhe përfaqësues të mazhorancës, Bashkim Fino, dhe Petrit Vasili. Në këtë takim u propozuan projektet e katër organizatave të pavarura, konkretisht, “Autonomia vendore dhe pesë opsione për organizimin territorial”, “Metodologjia e zonave funksionale për zhvillimin vendor”, “Riorganizimi administrativ-territorial fillon nga decentralizimi”, “Decentralizimi dhe rajonalizimi”. Konkluzionet e seancës së dytë ishin se nevojitet reforma e decentralizimit për zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik dhe social.

 

Grupi i shteteve kundër korrupsionit në KiE/ GRECO: Kufizimi i imunitetit të deputetëve, vetëm në Kushtetutë, jo në Kodin Penal

 Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit i Këshilli i Evropës, i njohur si GRECO, në raportin e publikuar dje nënvizoi se ndryshimi në Kushtetutë për imunitetin është i pazbatueshëm për faktin se nuk është reflektuar në Kodin e Procedurës Penale. Për sa u përket anëtarëve të parlamentit transparenca dhe hapja e punës së Kuvendit është penguar nga mungesa e mundësisë për të draftuar legjislacion përpara miratimit formal te tyre. Dobësia e deputetëve për të zhbërë influencat është e dukshme, por jo objekt i rregullimit. Më e rëndësishmja është se pavarësisht ndryshimeve të vlerësuara gjerësisht të Kushtetutës që kufizojnë imunitetin e deputetëve dhe gjykatësve, zbatimi i tyre është penguar nga mungesa e ndryshimeve përkatëse në Kodin e Procedurës Penale”, – thuhej në raport. Më tej, GRECO gjykoi se Shqipëria i ka ligjet dhe rregullat për ta luftuar korrupsionin, por ato i ndryshon vazhdimisht dhe interpretimet e tyre nga palët bëhen në mënyrë kontradiktore. Po ashtu raporti thekson se gjyqësori shqiptar, në veçanti, vuan nga niveli i ulët i besimit të publikut dhe pozita e tij përkundrejt degëve të tjera të pushtetit mbetet e dobët. “Gjyqësori nuk ka kontroll mbi zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, dhe e drejta për fillimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Apelit i takon ministrit të Drejtësisë”.

 

Share it :