Prokuroria kërkoi dënimin me 33 vjet burg Gjykata shpall të pafajshëm dy të akuzuarit për vrasjen e Endri Bejtes

Sonja Caka

denimiVrasja në ambientet e Gjykatës së Lezhës, një nga të akuzuarit, efektiv i policisë rrugore

 

Befasim dhe rritim. Këto kanë qenë dy ndjesitë e familjarëve të Endri Bejtes, të riut 33-vjeçar që u vra dy vjet më parë brenda ambienteve të Gjykatës së Lezhës. Vendimi është dhënë dje nga Gjykata e Laçit, e cila i ka liruar dy të akuzuarit Dritan Lorenci dhe Alban Deda për mungesë provash. Ky vendim vjen pas kërkesës së prokurorit të çështjes një seancë më parë, i cili në bazë të provave të grumbulluara kërkoi nga gjykata deklarimin fajtorë dhe dënimin në total me 33 vite burg për dy të dyshuarit, përkatësisht me 18 vite burg për policin rrugor Lorenci dhe 15 vite për Alban Dedën, të akuzuar për vrasje në bashkëpunim të 33-vjeçarit Endri Bejtja dhe plagosjen e një tjetër personi. Gjatë procesit gjyqësor, të gjithë dëshmitarët e thirrur për të dëshmuar, si punonjës gjykate, efektivët e policisë që ruajnë gjykatën apo dhe persona që kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes, nuk kanë rrëfyer se kush ka qëlluar, kë kanë parë të qëllojë mbi viktimën apo dhe personat e plagosur. Në vendngjarje janë gjetur 17 gëzhoja dhe pistoleta, të cilat iu nënshtruar ekspertizës kriminalistike.

Vendimi

Vendimi i treshes gjykuese të kësaj çështjeje Besnik Shira, Migena Laska dhe Marsela Shehu ka ardhur pas kërkesës së prokurorit të çështjes, i cili i deklaroi fajtorë dy të pandehurit, duke kërkuar dënimin me 18 vite burg për Dritan Lorencin dhe 15 vite burg për të pandehurin tjetër, Alban Deda. Sipas përfaqësuesit të akuzës, fillimisht, viktima Endri Bejtja është plagosur rëndë dhe më pas, ka qenë efektivi rrugor Lorenci ai që i ka këputur qafën duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ka ndodhur në brendësi të ambienteve të Gjykatës së Lezhës, pas përfundimit të një procesi për pronat, ku në oborr është bërë një betejë e vërtetë me breshëri armësh. Pas ngjarjes, policia arrestoi shtetasit Alban Deda 37 vjeç nga Lezha, Viktor Vërshimi 19 vjeç nga Mamurrasi i plagosur, Ermal Lulashi 26 vjeç nga Shëngjini, Sokol Sejdia, 36 vjeç banor në Lezhë, Mëhill Ndreu 57 vjeç banor në Lezhë dhe Dritan Lorencin, efektiv i policisë rrugore. Por, përgjatë hetimit të kësaj çështjeje, numri i personave të dyshuar u reduktua në dy, konkretisht në Alban Dedën dhe Dritan Lorencin.

Konflikti

Sipas akuzës, konflikti ka nisur për motive pronësie pasi familja Deda kishte hapur gjyq me familjen Ndreu duke pretenduar se kishte ndërtuar një lokal dhe hotel në tokën truall në pronësi të tyre në qytetin bregdetar të Shëngjinit. Sherri në fillim ka nisur brenda në gjykatë ndërsa po bëhej një seancë përgatitore për çështjen, dhe më pas ka degjeneruar me armë zjarri dhe sende të forta jashtë në rrethinat e institucionit gjyqësor. Ngjarja e bujshme bëri që forcat speciale të mbërrinin në qytetin e Lezhës duke marrë në siguri gjykatën dhe institucione të tjera shtetërore.

 

 

Itali

Irma Hadaj u qëllua 37 herë me thikë, shkak vizita te kushërira

Vizita te kushërira që sapo ishte bërë nënë duket se ka qenë shkaku i zënkës që degjeneroi në një tragjedi për familjen Hadaj. Sipas policisë italiane, gjatë marrjes në pyetje, 36-vjeçari Hadaj ka shpjeguar se gjithçka nisi për shkak të një vizite që ai me dy vajzat i ka bërë një kushërire të tij, e cila sapo ishte bërë nënë. Çifti ka filluat zënkat mes tyre dhe gjithçka degjeneroi në përdorimin e thikës, me të cilën ai e ka qëlluar 33-vjeçaren 37 herë. Ka qenë autopsia që ka nxjerrë shkakun e vdekjes dhe sa herë është qëlluar Irma Hadaj nga i shoqi, të cilit dje i është komunikuar edhe akuza në ambientet e burgut. Madje, sipas mediave italiane, burri u ka qëndruar besnik deklarimeve të pas ngjarjes, ndërsa ka shprehur pendesë për krimin e kryer. Ndërkohë, tepër e rëndë ka qenë situata në familjen e 33-vjeçares, prindërit dhe vëllai i së cilës jetonin në të njëjtën rrugë. Po e njëjta situatë ka qenë edhe në azilin e të moshuarve ku punonte Irma Hadaj prej vitesh si asistente. Ata e kanë përshkruar si një vajzë mjaft punëtore dhe jo problematike. Madje, si një person mjaft të qetë. Lidhur me konfliktin mes çiftit, të njohur të tyre tregojnë se e njëjta situatë, por jo kaq e rëndë është përsëritur edhe 3 vite më parë, kur për t’i shpëtuar prangosjes së policisë, Lulzim Hadaj u kthye për në Shqipëri, në qytetin e tij të Vlorës. Viktima në atë kohë kishte nisur praktikat e divorcit, por nuk i kishte vazhduar për shkak të kërcënimit të të shoqit se do i merrte dy vajzat me vete në Shqipëri. Kjo e tërhoqi atë nga praktikat e ndarjes, ndërsa Lulzimi është shfaqur sërish në jetën e saj pak kohë më parë.

Tiranë

Dita Botërore e Refugjatëve, mbërrijnë 16 muxhahedinë të tjerë

Në ditën Botërore të Refugjatëve,në Shqipëri vëmendja është përqendruar në ardhjen e muxhahedinëve. Grupi i tretë i muxhahedinëve, i përbërë nga 16 persona, që mbërriti mbrëmë në aeroportin e Rinasit, pritet të strehohet në Babrru, në Qendrën e Pritjes së Azilkërkuesve. Drejtori i kësaj qendre, Skënder Dedja u shpreh se kjo qendër plotëson të gjitha standardet për plotësimin e nevojave të muxhahedinëve. Për momentin në Shqipëri gjenden rreth 78 refugjatë dhe rreth 66 azilkërkues. Ata vijnë nga e gjithë bota ku mund të listojmë: Irak, Iran, Afganistan, Kinë, Kosovë, Bosnjë, Tunizi, Nepal, Indi, Jordani, Turqi. Aktualisht pjesën më të madhe të refugjatëve në Shqipëri e zënë iranianët (muxhahedinët), e ardhur kampi Ashraf i Irakut dhe janë 60 persona. Shteti Shqiptar sot ofron një sërë shërbimesh jetike për personat në nevojë për mbrojtje ndërkombëtare duke ndritur 11 pika kufitare të vendit me mjedise të përkohshme pritje – për jo më shumë se 24 orë për t’i transferuar më vonë në Qendrën Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit. Në vazhdën e traditës së saj humanitare për mbështetjen e personave në nevojë dhe kontributin në parandalimin apo shuarjen e konflikteve që prekin të drejtat themelore dhe liritë e personave, sidomos atyre që diskriminohen, Qeveria e Republikës së Shqipërisë, ka marrë vendimin e saj human e bujar për t’i ofruar strehim një grupi prej 210 personash, me nevoja të ngutshme, nga kampi Ashraf i Irakut, në vijim të zbatimit të marrëveshjes për strehimin e tyre në Shqipëri, duke u solidarizuar me thirrjen e Kombeve të Bashkuara për të ndihmuar të gjithë ata që janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës, konfliktit dhe persekutimit, gjithashtu, ky vendim i Qeverisë Shqiptare ka ardhur edhe në përgjigje e qeverisë shqiptare ndaj kërkesës së Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse Shqipëria ka qenë një partner i fortë i Shteteve të Bashkuara në vendosjen e paqes dhe stabilitetit në Irak.

 

 

 

Share it :