Projektligji “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve”/ Prokuroria e Përgjithshme dhe OSBE kundër qeverisë

Florenc Drizari

 

OSBE, Anagnosti: Disa çështje nuk janë marrë parasysh

 Projektligji, Ballauri: Për Prokurorinë e Përgjithshme, ky ndryshim në thelb, cenon dy garanci

 

xhafaj_3.3.2014Prokuroria e Përgjithshme dhe OSBE shprehën dje objeksionet e tyre ndaj projektligjit të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me të drejtat e të dënuarve në burgjet shqiptare. Qëndrimet e përfaqësuesve të OSBE-së dhe organit të akuzës u prezantuan gjatë seancës së djeshme dëgjimore që Komisioni i Ligjeve zhvilloi me institucionet e pavarura dhe me grupet e interesit lidhur me projektligjet “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve” dhe ligjit “Për disa ndryshime e shtesa në ligjin “Për Policinë e Burgjeve”.

 

PROKURORIA E PËRGJITHSHME

 Drejtorja e Kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm, Fjorida Ballauri, edhe pse i cilësoi si të domosdoshme ndryshimet e propozuara, në kuadër të reformimit të sistemit të trajtimit të të dënuarve, ajo u shpreh se projektligji cenon garancitë e të dënuarve. Më konkretisht, Prokuroria e Përgjithshme propozoi ndryshimin e nenit 16 të ligjit “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve”, i cili parashikon seksionet mjekësore të posaçme brenda institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale shërbejnë për trajtimin e të dënuarve dhe të të paraburgosurve që, gjatë qëndrimit në këto institucione, shfaqin çrregullime të shëndetit mendor.

Për Prokurorinë e Përgjithshme, ky ndryshim në thelb, cenon dy garanci: së pari, garancinë e të dënuarve, paraburgosurve të sëmurë për trajtim mjekësor të specializuar në Institucionet mjekësore të posaçme jashtë sistemit të burgjeve, trajtim mjekësor, i cili nuk mund t’i afrohet në spitalin, seksionet brenda sistemit të burgjeve; së dyti, cenon, si mbikëqyrjen e prokurorit, ashtu dhe të drejtën e ankimit në gjykatë të dënuarit, mbrojtësit ose kujdestarit për vendosjen, refuzimin e vendosjes, daljen ose refuzimin e daljes nga institucionet, seksionet mjekësore të posaçme, si të dënuarve, paraburgosurve të sëmurë, që mund të kenë nevojë për shërbim mjekësor në Institucione mjekësore të posaçme, ashtu dhe të dënuarve, paraburgosurve që gjatë qëndrimit në këto institucione, shfaqin çrregullime të shëndetit mendor. Sipas organit të akuzës kjo shpjegohet se në bazë të ndryshimeve ligjore të vitit 2008, prokurori është përjashtuar nga shqyrtimi i rasteve të dhunës, torturës, mosrespektimit të të drejtave të njeriut në ambientet e vuajtjes së dënimit dhe ato të paraburgimit, duke i krijuar akses personave që vuajnë dënimin dhe kanë pretendime për dhunë/torturë, etj., t’i drejtohen drejtpërdrejtë gjykatës. Gjithashtu prokuroria shpjegon se ndryshimi i vitit 2008 ka krijuar problem në praktikë, pasi të dënuarit në shumë pak raste i drejtohen gjykatës për çështje të keqtrajtimit, dhunimit, mosrespektimit të të drejtave të tyre. Kjo, për faktin e mungesës së informacionit apo problematikë tjetër, e hasur në ambientet e vuajtjes së dënimit.

 

OSBE

 Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, raportuan edhe përfaqësues nga OSBE-ja, të cilët kërkuan saktësimin procedurave që do të rregullojnë trajtimin dhe të drejtat dhe detyrimet e personave që quhen të paraburgosur. “Në përgjithësi të dy draftet i kanë marrë parasysh rekomandimet tona, por ne kemi edhe disa çështje të tjera të cilat nuk janë marrë parasysh, por ne mendojmë që janë të rëndësishme për t’u pasqyruar në ligj. Pika kryesore që në kemi në lidhje për ligjin “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve” është fakti që ne mendojmë se duhet të ketë një kre më vete i cili do të rregullojë trajtimin dhe të drejtat dhe detyrimet e personave që quhen të paraburgosur. Një tjetër pikë është edhe një çështje që lidhet me termin “të paraburgosur”. Në opinionin tonë, termi “të paraburgosur” paragjykon pozitën e personit ndaj të cilit nuk është marrë ende një vendim final nga gjykata”, – u shpreh Silda Anagnosti, përfaqësuese e OSBE-së.

 

 

 

Me dyer të mbyllura /Kreu i SHISH-it i raporton nesër Sigurisë,  opozita kërkon transparencë

 Flamur Noka: Mbledhja me dyer të hapura, qytetarët kanë nevojë të informohen

Kryetari i Shërbimit Informatik Shtetëror, SHISH, pritet të raportojë nesër në Komisionin për Sigurinë Kombëtarë në Kuvendin e Shqipërisë. Kërkesa për thirrjen e tij në Komision ishte bërë me herët nga deputetët e opozitës. Deputetët e Partisë Demokratike kishin kërkuar që kreu i shërbimit të inteligjencës të raportojë për akuzat e bëra nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri për mungesë informacioni lidhur me ngjarjet e fundit kriminale, ndërkohë që mazhoranca shtoi edhe një pikë tjetër në rendin e ditës, atë të përgjimeve të policisë – lajm i cili doli në media pak ditë më parë. Kjo çështje nuk kaloi pa debate në Komisionin e Sigurisë dhe deputetët shkëmbyen akuza politike mes tyre lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni. Një pikë tjetër që shkaktoi debate në mbledhjen e djeshme ishte dhe zhvillimi i kësaj seance me dyer të hapura. Kjo kërkesë u bë nga opozita, ndërkohë që përfaqësues të mazhorancës theksuan ruajtjen e sekretit shtetëror ndaj publikut. Seanca u la që prezantimi i kreut të SHISH-it të bëhet me dyer të hapura dhe raportimi i tij para deputetët të Kuvendit të zhvillohet jashtë syrit të medias.

“Në rast se do ta bëni me dhunë kartonësh, bëjeni, është çështja juaj. E vërteta është që duhet të kishte konsultime për këtë çështje dhe me kryesorja është, që për kërkesën që deputetët e opozitës kanë paraqitur në Komision që të raportojë kryetari i Shërbimit kanë nevojë të gjithë qytetarët të jenë transparentë dhe ta shohin të vërtetën. Në rast se kreu i Shërbimit ka faje apo rëndojnë mbi të akuza të ngritur nga ministri, apo ministri ka gënjyer në lidhje me situatën”, – tha deputeti Flamur Noka.

Në një reagim pas përfundimit të mbledhjes, kreu i këtij Komisionit të Sigurisë Spartak Braho, u shpreh se nëse vërtetohet që ka pasur përgjime të paligjshme do te ketë ndjekje penale për personat e përfshirë. “Pa dyshim, në qoftë se përgjimet janë bërë në kundërshtim me rregullat që përcakton ligji do të merren masa drastike, sepse është shkelur rëndë ligji. Personat që kanë urdhëruar përgjime të paligjshme do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale”, – tha Braho.

Në axhendën e kësaj mbledhje të Komisionit ishte ratifikimi i marrëveshjes së policisë shqiptare me EUROPOL-in.

 

 

Tahiri, letër Ajazit: Më konfirmoni urdhrin dhe rezultatet e përgjimit

 Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i ka kërkuar kreut të SHISH-it, Visho Ajazi, konfirmimin nëse dokumenti i nxjerrë në media dy ditë më parë, për mbledhje informacioni për drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit është i vërtetë. Në një letër zyrtare drejtuar kreut të Shërbimit Sekret Shqiptar, ministri i Brendshëm, në bazë edhe të marrëveshjeve të bashkëpunimit midis dy institucioneve ka kërkuar informacionin nëse ka të dhëna të grumbulluara deri më tani, në lidhje me përfshirjen e ndonjë prej shefave të policisë në ndonjë aktivitet kriminal. Në letër thuhet, se “lidhur me publikimin në media të një qarkoreje nëpërmjet të cilës kërkohet verifikimi, grumbullimi dhe madje edhe thellimi i informacionit mbi drejtuesit e policisë në qendër dhe në bazë, për implikimin në ndonjë veprimtari antiligjore, lutem për të shmangur ndonjë paqartësi, kërkoj konfirmimin tuaj zyrtar për ekzistencën e këtij urdhri”.

 

Share it :