Sonila Mesareja
Qytetarët, letra në Ministrinë e Drejtësisë me ankesa ndaj gjyqtarëve, akuza për zvarritje pafund të gjyqeve
Në Gjykatën e Krujës ka nisur të zbatohet projekti pilot “Për një drejtësi pa vonesë”, i cili u bë i mundur me mbështetjen e OSBE-së dhe USAID-it. Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, i pranishëm në takimin e nivelit të lartë “Për një drejtësi pa vonesa”, ka garantuar se do të jetë në krah të çdo reforme që ndikon në rritjen e efiçencës së sistemit gjyqësor, si dhe në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj këtij sistemi. Numri një i drejtësisë shqiptare theksoi se institucioni që ai drejton, mbetet i vendosur në realizimin e reformave, të cilat çojnë drejt konsolidimit të shtetit të së drejtës, rritjes së transparencës, përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit të aktorëve të pushtetit gjyqësor. “Falënderoj OSBE-në dhe USAID-in për nisjen e këtij projekti dhe për çdo reformë që kanë financuar me qëllim rritjen e efiçencës së drejtësisë”, – tha në nisje të fjalës së tij ministri i Drejtësisë, ndërsa duke u ndalur tek zvarritja e proceseve gjyqësore, Naço u shpreh se ky projekt vjen si një sfidë ndaj kësaj dukurie. “Eksperienca e deritanishme në Gjykatën e Krujës tregon se që në fillimet e tij ky projekt ka dhënë rezultate dhe treguesit janë premtues që kjo eksperiencë të shtrihet edhe në gjykata të tjera. Ky projekt fillimisht duhet të pranohet nga vetë gjyqtarët e më pas të zbatohet nga ta. Janë të patolerueshme rastet e zvarritjes së gjykimit të çështjeve deri në tre, katër apo pesë vjet, apo rastet e pushimit të çështjeve pas një apo dy vitesh gjykimi. Zvarritja e proceseve gjyqësore do të bëhet objekt kontrolli. Kërkesa për rigjykim të shpejtë është një detyrim kushtetues, po ashtu edhe gjykimi brenda afatit kohor”, – tha ministri.
Problematika
Ministri i Drejtësisë ka sjellë në vëmendje të të pranishmëve edhe një letër qytetari, ku ky i fundit ka shprehur shqetësimin e tij për zvarritjet e pafundme në Gjykatë të çështjes së tij. “Dua të sjell në vëmendjen tuaj shqetësimin e një qytetari, i cili prej vitesh mbahej peng i zvarritjeve të pajustifikuara nga ana e Gjykatës. I dekurajuar në maksimum nga neglizhenca e treguar në gjykim, përmes një letre adresuar në Ministrinë e Drejtësisë, qytetari shprehej: “Do të kishte qenë më mirë që të kërkoja pushimin e gjykimit dhe hapjen e një padie të re, sesa të përballesha me zvarritjet e pajustifikuara të çështjes”. Sipas ministrit, këta shembuj jo vetëm që ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin negativ të publikut, në uljen e besimit të tyre te sistemi i drejtësisë, por edhe në mohimin e të drejtës së palëve për një proces të rregullt ligjor. “Gjithsesi, në jo pak raste seancat gjyqësore shtyhen edhe për mospjesëmarrje të palëve në proces, apo edhe për mungesë korrektësie të palëve në paraqitjen e provave”, – u shpreh ministri, duke akuzuar drejtpërdrejt edhe përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, palë në gjykim, të cilët bëhen shkak për shtyrjen e vazhdueshme të proceseve civile apo penale. “Për këtë kërkohet që institucionet shtetërore, jo vetëm të përfaqësohen në gjykim, por edhe të marrin të gjitha masat për të zbatuar urdhrat e vendimet e gjykatës gjatë seancave gjyqësore”, – përfundon numri një i institucionit të drejtësisë.
Rauning: Gjykata e Krujës po jep një shembull të mirë
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig, tha se projekti synon të rrisë efiçencën e gjykatave dhe, sipas tij, rezultatet e para që vijnë nga Gjykata e vogël e Krujës, janë vërtetë shumë shpresëdhënëse. “U jemi veçanërisht mirënjohës gjykatëseve. Ata morën në dorë menjëherë projektin dhe sollën një qasje të re, një drejtësi pa vonesa. Gjykata e Krujës po jep një shembull të madh në vend. Për projektin dua të them një fjalë të urtë: “Nëse do që të shkosh larg, shko me shokë”. Ne nuk po përpiqemi të ndryshojmë praktikën e Gjykatës në një ditë, por duam një ndryshim që ti qëndrojë kohës, ndaj jemi mbledhur këtu sot, dhe mesazhi kryesor është që angazhimi juaj ndaj kësaj qasje të re është i një rëndësie thelbësore për të bërë çdo seancë gjyqësore kuptimplotë ndaj nevojitet kontributi i çdo pjesëmarrësi në gjyq. Të gjithë duhet të ndërmarrim për ta bërë këtë realitet”, – përfundoi ambasadori i OSBE-së.
Letrat e Tahirit / Ministri: Kanë filluar inspektimet, KLD thotë se ka vend për verifikime
Ministri Naço u shpreh edhe në lidhje me rastet e inspektimeve të gjyqtarëve për të cilat më herët, ministri i Brendshëm, z. Tahiri, i është drejtuar publikisht Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani. “Unë mbështes dhe inkurajoj të gjitha veprimet e ministrit Tahiri. Qëllimi ynë është i përbashkët, që të luftojmë krimin dhe korrupsionin kudo që ai shfaqet. Në rastin e parë jam njohur me përmbajtjen e letrës dhe kam bërë verifikime bashkë me stafin tim si dhe kam dërguar inspektorët në Gjykatën e Kavajës. Në rastin e dytë kam qenë në një vizitë pune në SHBA por jam venë në dijeni dhe sot ndërkohë jam njohur me përmbajtjen e letrës por edhe me një shkresë të ardhur nga KLD-ja, nga nënkryetari i saj, i cili e kishte marrë letrën drejtuar Presidentit të Republikës, kishte verifikuar nëpërmjet inspektoratit të Këshillit, që kishin konkluduar duke dhënë disa verifikime. Unë besoj se KLD-ja duhet ta kishte bërë inspektimin sepse ka qenë në kohë e informuar, pra duhet të kishte dërguar inspektorët. Në bazë të përmbajtjes së shkresës së KLD-së, thuhet se është konkluduar se ka vend për verifikime. Janë dy inspektorate që kanë një memorandum bashkëpunimi midis tyre dhe në rast se i fillon inspektimet njëri nuk i fillon dot edhe tjetri që të mos ketë mbivendosje ose mund të ketë një inspektim të përbashkët”. Ndërkohë që lidhur me këtë deklarim të ministrit ka pasur një reagim nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Në reagimin e KLD-së thuhet që ministri Naço të mos bëjë shantazhe te gjyqtarët por të fokusohet te reformimi i sistemit. Sipas KLD-së, deklarata është në rrugë të kundërt me bashkëpunimin. KLD thekson se vlerëson procedimet ndaj gjyqtarëve dhe se këto procedime kanë qenë iniciative e këtij institucioni. “KLD i kërkon Ministrit të Drejtësisë dhe të gjithë aktorëve të tjerë që të mos i bëjnë shantazh gjyqtarëve, por të fokusohen në zgjidhjen e problemeve që ndikojnë në reformimin e sistemit të drejtësisë në mirëfunksionimin e gjykatave” vijon reagimi.




