Driçim Çaka
Projekti, 120-155 milionë euro. Bileta do të kushtojë 50 lekë
Kryebashkiaku: Ftojmë qeverinë të japë garancinë sovrane
I premtuar 3 vjet më parë, projekti i tramit për linjën Kombinat-Kinostudio tashmë është një realitet. Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, bëri dje prezantimin e projektit, i cili pritet të kushtojë 120 deri 155.5 milionë euro. “Kur 3 vjet më parë artikulova për herë të parë angazhimin tim për këtë formë të transportit urban në Tiranë, shumëkush, madje edhe dashamirës, nuk ngurruan ta cilësonin thjesht dhe vetëm një premtim elektoral. Por ashtu si para tri vitesh, edhe tani jam optimist se jetësimi i këtij projekti, bazuar mbi shpresën dhe besimin e qytetarëve të Tiranës, do të bëhej realitet, sepse ishte një opsion i dëshiruar, tek i cili kishte besim qyteti i Tiranës, për të cilin kishte nevojë qyteti i Tiranës e madje ishte i vonuar për kryeqytetin”, – u shpreh Kryebashkiaku. Sipas Bashës, ky është një projekt i madh, i cili do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve që jetojnë në Tiranë dhe qindra mijëra shqiptarëve të tjerë që vijnë çdo ditë kryeqytet.
Trami
Transporti me tram sjell përfitim për lëvizshmërinë e qytetarëve për një kohë të shkurtër, me mjete të rehatshme dhe çmime të përballueshme. Po kështu, ky shërbim sjell përmirësim të ndjeshëm të parametrave të mjedisit, ku qarkullimi rrugor është dhe mbetet ndër burimet kryesore të ndotjes së ajrit. “Transporti me tram në këtë linjë do të përgjysmojë kohën e udhëtimit. Itinerari Kombinat-Kinostudio do të përshkohet vetëm në 24 minuta, kjo pasi linjat e tramit janë të dedikuara dhe të papenguara nga trafiku. Transporti me tram do të ulë koston e përgjithshme të transportit në qytet dhe do të ofrojë një shërbim më të shpejtë dhe më cilësor, shumë më cilësor, i cili synon dhe jam i bindur do të orientojë shumë më shumë qytetarë drejt përdorimit të transportit publik dhe braktisjes së përdorimit vend e pa vend të automjeteve private”, – theksoi Basha në fjalën e tij.
Linja Kombinat-Kinostudio
Linja, e cila ka një gjatësi rreth 9 km, përllogarit në fazën e parë të transportojë 90 mijë pasagjerë në ditë, me një perspektivë të dyfishimit deri në 186 mijë pasagjerë në ditë në periudhën afatmesme. “Kostoja e transportit, sipas studimit, parashikohet në 50 lekë/për person, ndërsa çmimi i mesatarizuar, duke përfshirë edhe shërbimet e aboneve mujore apo vjetore është 41 lekë/për person. Ka qenë dhe mbetet synimi ynë që, përveç shërbimit cilësor dhe komod të ofrojmë edhe çmime të përballueshme për xhepat e qytetarëve, e Tiranës, në veçanti. Realizimi parashikohet me koncesion ose partneritet publik – privat, ku partneri publik, natyrisht është Bashkia e Tiranës”, – u shpreh Basha. Kryebashkiaku ka theksuar se financimi i një projekti të tillë, në mbi 200 raste të studiuara nga konsulenti dhe qeveria franceze, ka si nevojë dhe domosdoshmëri edhe angazhimin e autoriteteve qendrore, përmes mekanizmave të garancisë sovrane të financimit, për të cilin Bashkia e Tiranës pret dhe uron një përgjigje pozitive nga qeveria shqiptare.
“Mesazhi” për qeverinë
Kryetari i Bashkisë i ka dërguar një “mesazh” edhe Kryeministrit se si ish-kryetari i Bashkisë ka në dorë të tregojë seriozitetin për realizmin e këtij projekti. “Në fund të fundit, pavarësisht se akoma nuk u zgjidh se kush e përmendi dhe si çështjen e tramit, tramin e kishim të dy kandidatët. Kryetari i Bashkisë përfundoi projektin, ish-kryetari i Bashkisë ka mundësi të tregojë seriozitetin dhe përkushtimin duke angazhuar atë levë dhe mekanizëm që do të angazhonte çdo qeveri evropiane, garancinë sovrane për Bashkinë e Tiranës, për të realizuar tramin, jo për kryetarin e Bashkisë, por për qytetarët e Tiranës”, – u shpreh kreu i Bashkisë.
Projektet e tjera
Kryebashkiaku ka shprehur edhe kënaqësinë e përfundimit të të gjitha projekteve strategjike të premtuara prej tij gjatë fushatës elektorale, ku disa kanë përfunduar, disa janë në zbatim dhe disa nisin së shpejti. “Kemi përfunduar projektin e menaxhimit të trafikut në kohë reale, i cili po funksionon dhe po jep rezultatet e veta maksimale në menaxhimin më të mirë të trafikut në Tiranë. Projekti i bulevardit dhe lumit të Tiranës ka nisur e po vijon zbatimin. Brenda këtij muaji i propozojmë Këshillit Bashkiak autorizimin e Bashkisë së Tiranës për dhënien me koncesion të terminalit multimodal të pasagjerëve, stacion që u ka munguar në dekada autobusëve ndërurbanë, trenit dhe tramit, me mbështetjen e ekspertizës më të mirë dhe fondeve të Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim. Me projektin e tramit, përmbushim jo vetëm një premtim dhënë tri vite më parë, por po kështu zgjidhje të qëndrueshme, afatgjatë për zhvillimin ekonomik, planifikimin e territorit, lëvizshmërinë dhe transportin publik, së shpejti për mbetjet dhe menaxhimin e integruar të tyre, jo thjesht për tre vitet e ardhshme, por për 20 vitet të ardhshme”, – përmendi kryetari i Bashkisë së Tiranës. Sipas Bashës, një Tiranë moderne dhe evropiane mund e duhet të ndërtohet mbi ambicie, plane e vizione, jo vetëm për të nesërmen, por edhe të pasnesërmen e fëmijëve tanë e fëmijëve të fëmijëve tanë.




