Projekti i Porto Romanos pa studim fizibiliteti”/ Meçollari: Askush nuk investon në një “gropë financiare”

Projekti i Porto Romanos pa studim fizibiliteti”/ Meçollari: Askush nuk investon në një “gropë financiare”

Ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare shqiptare, Artur Meçollari, ka ngritur pikëpyetje mbi projektin e portit në Porto Romano, duke deklaruar se projekti nuk shoqërohet me një studim të mirëfilltë fizibiliteti.

Gjatë një interviste në emisionin Studio24 në News24, Meçollari u shpreh se kjo është një nga arsyet kryesore pse kompanitë europiane nuk kanë shprehur interes për projektin.

Sipas tij, mungesa e një analize të plotë teknike dhe ekonomike i bën investitorët të tërhiqen, pasi askush nuk është i gatshëm të investojë në një projekt që mund të rezultojë i paqëndrueshëm financiarisht.

“Porto Romano nuk ka një studim fizibiliteti dhe nuk dihet qartë se kush ka vendosur për përzgjedhjen e këtij lokacioni. Është ndërtuar një port në një zonë ku, sipas tij, nuk është e përshtatshme për një infrastrukturë të tillë”, deklaroi Meçollari.

Ai shtoi gjithashtu se zona paraqet rreziqe sizmike dhe ka qenë më parë një territor kënetor, faktorë që sipas tij e bëjnë edhe më problematik zhvillimin e një porti në atë vend.

Në këtë kontekst, ish-oficeri i lartë i marinës theksoi se mungesa e fizibilitetit e bën projektin të duket si një “gropë financiare”, duke shpjeguar pse kompanitë ndërkombëtare nuk kanë reaguar apo nuk kanë shfaqur interes për të investuar

Share it :