Sonila Mesareja
Prokurorët kërkojnë shtyrjen e gjyqit dhe kohë për sjelljen e A. Ndokës për të dëshmuar kundër biznesmenit të akuzuar për vrasjen e Dritan Lamajt
Gjyqi ndaj të pandehurit Arben Frroku, i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj është shtyrë ditën e djeshme, për shkak të mosparaqitjes në seancë të dëshmitarit të mbrojtur nga drejtësia, A. Ndoka. Prokurorët nuk dhanë detaje rreth arsyes së kësaj mungesë që bëri të shtyhej gjyqi, ndërsa kërkuan kohë duke kërkuar shtyrjen e gjyqit. Dyshohet se mediatizimi i ardhjes së këtij dëshmitari në Gjykatën e Krimeve të Rënda ditën e djeshme të ketë qenë edhe shkaku i mosprurjes së tij nga policia. I menjëhershëm ka qenë reagimi i të pandehurit Frroku për këtë mosparaqitje, duke ironizuar drejtësinë me një deklaratë të kancelares gjermane Angela Merkel se Shqipëria nuk ka drejtësi. “Nuk flet kot Merkel, kur thotë a e dini që s’keni drejtësi. Jepini fund kësaj telenovele”, – ka deklaruar ai për gjykatën nga brenda kafazit të hekurt, ndërsa vijoi me akuzat ndaj Prokurorisë se nuk kanë prova ndaj tij.
Debati
Mediatizimi i ardhjes në gjykatë të bashkëpunëtorit të drejtësi dyshohet të ketë qenë shkaku që Policia e Shtetit nuk e ka shoqëruar dje A. Ndokën për të dëshmuar në gjyqin e Frrokut. Prokurorët kërkuan kohë për sjelljen e tij, ndërkohë që avokatët replikuan, duke kërkuar arsye se përse duhej kjo kohë. Madje, ka replikuar nga kafazi i hekurt edhe i pandehuri, i cili e konsideroi gjyqin ndaj tij si një telenovelë, pasi në këtë proces po sillen dëshmitarë që nuk thonë asgjë, që nga kameriere e banakiere. “Dihet se unë kam pasur konflikt me Lamajn, pasi kam bërë kallëzim për këtë gjë, përse duhet të vijnë dëshmitarët ta tregojnë këtë gjë?”, – iu drejtua Frroku togave të zeza dhe prokurorëve. Sipas tij, për të Prokuroria sajoi gjetjen e një dëshmitari, që nuk po sillet në gjykatë, ndërkohë që procesi është kthyer në telenovelë. Pas këtij reagimi, Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe shtyu gjyqin për javën e ardhshme.
Reagimi
Dje nuk ka qenë përplasja e parë verbale mes të pandehurit dhe prokurorëve. Për herë të parë, Arben Frroku replikoi me përfaqësuesin e akuzës, prokurorin Anton Martini, pas tërheqjes së këtij të fundit nga pyetja e 30 dëshmitarëve të akuzës, duke kërkuar nga Gjykata të njoftohen 12 të fundit, mes të cilëve është edhe bashkëpunëtori i drejtësisë. Ky i fundit identifikoi biznesmenin Frroku si autor të vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj. Ndërkohë që heqja dorë nga pyetja e këtyre dëshmitarëve apo dhe pyetja e njërës prej dëshmitareve të ardhura dje në seancë nëse ishte kërcënuar që ndryshoi dëshminë, solli reagimin e Frrokut, i cili iu drejtua prokurorit me fjalët: “Edhe 5 mijë dëshmitarë të sillni, nuk më implikojnë në atë vrasje“. Pas këtij reagimi, prokurori Martini kërkoi nga Gjykata që t’i tërhiqet vërejtja të pandehurit për sjelljen dhe fjalët e thëna në sallën e gjyqit.
Ministri e Drejtësisë/ Nënshkruhet marrëveshja, Shqipëria anëtare e Organizatës për Drejtësi
Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, nënshkroi dje një marrëveshje bashkëpunimi me Organizatën Evropiane të së Drejtës Publike (EPLO). Në këtë organizëm marrin pjesë 30 shtete partnere mes tyre dhe 6 shtete të cilat janë pjesë e Bashkimit Evropian, ndërsa sipas ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, ky anëtarësim do të shërbejë që Shqipëria të përmirësojë reformat në drejtësi duke shkëmbyer eksperiencat më të mira nga EPLO. Të pranishëm gjatë ceremonisë së nënshkrimit ishin Presidenti i EPLO, prof. Spyridon Flogaitis, si dhe Ambasadori i Greqisë në vendin tonë, z. Leonidas Rokanas. Organizata Evropiane e së Drejtës Publike është themeluar si një organizatë ndërkombëtare. Qëllimi i Organizatës është krijimi dhe përhapja e njohurive në fushën e së drejtës publike duke përfshirë të drejtën publike kombëtare, krahasuese dhe evropiane, të drejtat e njeriut, të drejtën mjedisore, etj., si edhe promovimin e vlerave evropiane me anë të së drejtës publike anembanë botës. Për shkak të rëndësisë që paraqet dhe fushës që mbulon, aderimi në këtë marrëveshje është shumë i rëndësishëm për Republikën e Shqipërisë. “Duke pasur në fokusin e saj mbështetjen në aktivitetet shkencore, kërkimore, arsimore, trajnuese, mësimdhënëse, si dhe në ndërtimin e kapaciteteve dhe aktivitete të tjera, në ofrimin e ndihmës për institucionet demokratike në Evropë dhe në të gjithë botën, unë shpreh bindjen time se pjesëmarrja në këtë organizatë do të jetë një ndihmë e jashtëzakonshme jo vetëm në forcimin e kapaciteteve administrative, por dhe në nxitjen e reformave, që po ndërmerren në sistemin e drejtësisë, lidhur me proceset integruese të Shqipërisë, me fokus të veçantë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, – u shpreh pas nënshkrimit të marrëveshjes ministri Naço.
Tiranë/ Bllokohet furgoni me pije dhe shampo të falsifikuara
Një 44-vjeçar është vënë në pranga nga policia e kryeqytetit pasi në furgonin e tij iu kapën mallra të falsifikuara. Skuadra e Antikrimit Financiar bllokoi një furgon me pije alkoolike dhe joalkoolike, produkte ushqimore dhe shampo e produkte të tjera për fëmijë. Policia e Tiranës raportoi se është arrestuar 44-vjeçari Fatmir Hima, të cilit në automjet i janë sekuestruar 46 birra dhe shishe me verë, 99 Soda; 207 bidona pijesh freskuese, 273 shishe Aloe Vera, 20 kuti kartoni me lëngje frutash, 2550 pako kechup, -1000 mijë copë qese me mbishkrimin “Camamela“, 914 copë shampo 43 copë kuti qumështi për fëmije, 103 pako me Pampers, 105 copë elektrik dore dhe 120 kanaçe me pije freskuese. Materialet hetimore për Himën do i kalojnë organit të akuzës për hetime të mëtejshme.




