Fituesit shpallen nesër, regjistrimet deri në 26 tetor. Me formularin A3 mbyllen aplikimet në universitete për vitin akademik 2014-2015
Agjencia Kombëtare e Provimeve do të shpallë nesër fituesit e fazës së dytë në universitete, kandidatët që kanë plotësuar formularin A3. “AKP shpall listën e fituesve të raundit të dytë, më datë 23.10.2014, të ndarë sipas programeve përkatëse të studimit, në përputhje me kuotat e rishpërndara nga MAS. AKP u dërgon IALP-ve listat e kandidatëve fitues në formë shkresore, brenda datës 23.10.2014. Këto institucione, duke filluar nga kjo datë, i publikojnë listat e kandidatëve fitues në vende të dukshme në mjediset e fakulteteve përkatëse. Sekretaritë mësimore të fakulteteve në datat 24.10.2014 deri në 26.10.2014, prej orës 08:00 deri në orën 18:00, të pranojnë dokumentacionin për të grithë kandidatët fitues”, – përcakton udhëzimi nr. 41 i Ministrisë së Arsimit. Kandidatët paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:
-Dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e një prej dokumenteve
-2 fotografi personale
-Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1600 lekë, paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare ose bankave të nivelit të dytë për llogari të IALP-ve përkatëse, nga të gjithë kandidatët e shpallur fitues në këtë raund.
-Deklaratën e paraqitur e cila plotësohet dhe firmoset nga kandidati në prani të punonjëses së sekretarisë mësimore.
Regjistrimi
“Sekretaritë mësimore të fakulteteve mbajnë regjistër të veçantë për dorëzimin e dokumentacionit me të dhënat mbi datën dhe orën e dorëzimit, si dhe nënshkrimin e kandidatëve fitues dhe konfirmojnë në portalin “matura.akp.gov.al” dorëzimin e dokumentacionit. Regjistri i veçantë, firmosur dhe vulosur nga titullari i Institucionit Publik të Arsimit të Lartë që kryen regjistrimin dhe nga kryesekretari mësimor, dërgohet në AKP brenda datës 28.10.2014. Sekretaria mësimore pajis kandidatin me fletë-regjistrimi ku shënohet numri i regjistrimit, emri i kandidatit, si edhe data dhe ora e regjistrimit. Fletë-regjistrimi i vulosur duhet të jetë i nënshkruar nga dekani dhe kryesekretarja mësimore e fakultetit. Kandidatët e shpallur fitues në programet e studimit me kohë të plotë nuk mund të regjistrohen për të ndjekur njëkohësisht studimet, në dy programe studimi në IAL-t publike dhe/ose private”, – thuhet në udhëzimin e MAS. Institucionet Publike të Arsimit të Lartë të dorëzojnë në AKP, në formë shkresore dhe elektronike, brenda datës 20.11.2014, listat përfundimtare të studenteve të regjistruar për çdo program studimi të ciklit të parë me kohë të plotë.
“Kandidatët e shpallur fitues në programet e studimit me kohë të plotë nuk mund të regjistrohen për të ndjekur njëkohësisht studimet, në dy programe studimi në IAL-t publike dhe/ose private”
Mungesa e dosjeve/ Nikollla: Studentëve të “Vitrinës” do t’u japim një dokument të barasvlershëm me diplomat
Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit kanë detyruar MAS-in që t’u ofrojë një zgjidhje të rinjve që kanë mbaruar te “Vitrina”. Studentët e “Vitrinës” që kanë mbaruar ciklin e studimeve dhe që nuk kanë ende një diplomë në dorë, Ministria e Arsimit do t’i pajisë me një dokument ligjor të barasvlershëm me diplomën që duhet të merrnin. Kjo masë e Ministrisë së Arsimit iu komunikua studentëve, që protestonin pranë ministrisë për gjetjen e një zgjidhje, pasi ky institucion i mbyllur nuk ka dorëzuar këtë dokumentacion, megjithëse e detyronte vendimi i Këshillit të Ministrave. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, në një takim me studentët, tha se nuk ka asnjë interes që të bllokohen diplomat e tyre. Por, sipas saj, mungesa e dokumentacionit nga ky institucion solli këtë situatë. Sipas Nikollës, diplomat e pakta që kanë mbërritur nga “Vitrina”, shumica janë pa vulën e dekanit apo rektorit, ndërsa për shumë të tjera mungojnë fare dosjet personale të studentëve.
Komisioni i Shëndetësisë/ Deputetët, kundër Ministrisë për relacionin e shërbimeve të urgjencës
Ngritja e urgjencës kombëtare në vend do të zgjidhë përfundimisht problemet që ka hallka më e rëndësishme e sistemit shëndetësor, në shërbim të pacientëve. Projektvendimi që ka hartuar Ministria e Shëndetësisë tashmë ka të detajuar vendndodhjen e saj, brenda QSUT-së, por edhe krijimin e qendrave të posaçme që do të ofrojë këtë shërbim. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në një raportim në komisionin parlamentar të Shëndetësisë tha se këtë vit do të shtohet numri i autoambulancave me 20 të tilla, por edhe një helikopter për urgjencat nga ajri. “Për herë të parë duke nisur nga viti 2015 në buxhetin e shëndetësisë, urgjenca do të dalë si një program më vete. Nëse tradicionalisht në buxhetin e shëndetësisë kemi pasur menaxhimin, shëndetin publik, shërbimin parësor dhe shërbimin spitalor, duke filluar nga viti i ardhshëm do të kemi një program buxhetor më vete gjë që besojmë se garanton vijimësinë e financimit të qëndrueshëm dhe të këtij shërbimi. Brenda këtij viti flota e autoambulancave do të zgjerohet me 20 autoambulanca të reja dhe po ashtu parkut të helikopterëve të urgjencë mjekësore do tu shtohet dhe një helikopter tjetër i ri”, – tha Ilir Beqaj gjatë diskutimeve për projektligjin “Për shërbimin e urgjencës mjekësore”. Në raportimin përpara deputetëve, zyrtarët e ministrisë së Shëndetësisë thanë se po mendohet që vihen në dispozicion edhe mjete detare, që të ofrojnë shërbim për pacientët edhe gjatë sezonit turistik. Ndërkohë që deputetët kanë shprehur edhe disa sugjerime në lidhje me ndryshimin që duhet ti bëhen disa neneve të tij. “Mjaft elemente që në këtë ligj duhet të diskutohen, në princip ligji ka themel të qëndrueshëm dhe objektivin e duhur e ka të realizuar dhe do të dua që tashmë ky relacion ka ardhur këtu tek ne, nuk e kthejmë dot mbrapsht në qeveri që ta përmirësojmë. Por sugjerim miqësor është për ministrinë që ti bëj avokati këtij ligji se është ligj për qytetarët ky”, – tha Petrit Vasili. Sipas të dhënave që raportojnë strukturat e shëndetësisë, aktualisht çdo vit marrin shërbim nga urgjencat rreth 350 mijë persona.




