Probleme në Ballsh / Laçi barazon kundër Bylisit, dhunohet përfaqësuesi i FSHF-së

Jurges Veizaj

 Përballja midis skuadrave është mbyllur në barazim, duke i dhënë një ndalesë laçianëve që pretendojnë shumë

 Në fund të ndeshjes në stadiumin “Adush Muça” ka pasur dhunë, viktimë e së cilës ka qenë edhe shef i Sektorit të Garave, Besnik Çela

 

skenderbeuNjë ndeshje shumë e vështirë ka qenë ajo midis Bylisit dhe Laçit. Në historikun e përballjeve të këtyre dy skuadrave ka pasur gjithmonë probleme. Kjo, edhe për shkak të rivalitetit që kanë pasur, por edhe për temperamentin e të dyja tifozerive. Një sfidë që dihet se shkakton tension dhe as kësaj radhe nuk ka munguar. Për sa i përket ndeshjes, sfida ka përfunduar e bardhë, duke mos u prekur asnjëra nga të dyja rrjetat. Ndeshja ka filluar me vonesa dhe gjatë gjithë sfidës ka pasur probleme. Edhe pse nuk ka pasur tifozë, nuk kanë munguar problemet. Në sfidë mungoi goli nga të dyja skuadrat, që nuk arritën të tregoheshin finalizuese. Problemet kanë nisur kur arbitri i ndeshjes akordoi për skuadrën laçiane një penallti. Një 11-metërsh që ngriti në protesta skuadrën e Bylisit, që nuk ishte dakord me këtë vendim. Protestat u bënë edhe më agresive duke shtyrë ekzekutimin e saj në 10 minuta. Pas 10 minutash, atëherë kur ndeshja duhet të kishte mbaruar pranë topit u vu Vucaj. Lojtari gaboi në mënyrë të dyshimtë përballë Frashërit, duke goditur traversë. Një shtyllë që u duk më shumë si një gabim i bërë me paramendim dhe jo rastësore. Kjo, pasi lojtari ka menduar se më këtë humbje mund të qetësonte pak gjakrat. Nëse do të kishte qenë gol, pasojat mund të kishin qenë edhe më të rënda. Kjo, pasi tifozët ishin tepër të irrituar. Incidenti më i rëndë ndodhi kur presidenti i Bylisit u fut në fushë, duke sulmuar me shkop gome. Viktimë e këtij sulmi ishte Besnik Çela, i cili ka në FSHF rolin e shefit të Sektorit të Garave. Pas goditjes, Çelës i është dhënë ndihma e pare mjekësore në ambientet e dhomave të zhveshjes dhe më pas është nisur me ambulancë drejt spitalit të Fierit për një kujdes më të specializuar. Informacionet e para bëjnë të ditur se nuk ka asnjë rrezik për jetën e tij dhe se ai gjendet në gjendje të mirë shëndetësore. Kjo, pasi edhe goditjet nuk kanë qenë të rënda. Ndërkohë në fundin e takimit janë goditur gjithashtu edhe futbollistë te skuadrës së Laçit. Ky moment dhune nuk ishte një rast i shkëputur në këtë ndeshje, pasi tensioni për të ishte paralajmëruar qysh më parë edhe nëpërmjet deklaratave mediatike nga kampi ballshiot. FSHF ishte munduar që të bënte një organizim të mirë, duke kërkuar edhe përforcime me forca policore. Mirëpo këto masa nuk kanë mjaftuar, pasi organizatorët e ndeshjes dhe skuadra mike janë përballur me irritimin e një numri të madh tifozësh të cilët të vendosur mbi karroceri të makinave apo mbi objekte afër stadiumit kanë ushtruar dhunë psikologjike dhe kanë hedhur sende të forta në fushën e lojës, duke bërë që ndeshja të fillonte me 20 minuta me vonesë. Edhe gjatë zhvillimit të lojës, tensioni ka qenë në shkallen më të lartë, duke sjellë ndërprerjen e ndeshjes në fundin e pjesës së parë. Kështu, të dyja ekipet e mbyllën ndeshjen me nga një pikë. Nga ana tjetër do të pritet edhe një reagim nga FSHF. Federata u shpreh se nuk ka për ta lënë me kaq këtë sjellje dhe pritet që të ketë sanksione për skuadrën mallakastriote.

 

 

Skënderbeu një hap afër titullit, Lushnja e dobët për ta ndalur

Skuadra korçare ka arritur të marrë fitoren e radhës që i çon drejt titullit, duke mundur myzeqarët

 Ekipi lushnjar edhe pse u mundua nuk pati fuqinë e duhur për të ndalur djemtë e Josës

Kanë nisur dje ndeshjet e javës së Superligës Shqiptare. Dy sfidat që janë luajtur dje ka qenë ajo midis Bylis-Laçi dhe Skënderbeu-Lushnja. Të dyja sfidat kanë qenë emocionuese, por në Ballsh është pasuar edhe me probleme. Në Lushnjë ka qenë një triumf i radhës për Skënderbeun. Kështu ka qenë përballja ndaj Lushnjës për ekipin korçar. Kampionët në fuqi edhe kësaj radhe janë duke e ndjekur hap pas hapi titullin që është shumë afër. Ekipi i drejtuar nga Josa ka arritur që të bëjë shumë mirë edhe në sfidën ndaj Lushnjës, duke i mposhtur me rezultatin 4 me 2. Ekipi myzeqar, edhe pse ka shënuar, e ka pasur të pamundur që të marrë një fitore apo dhe një barazim. Rezultat ky që i çon edhe më poshtë shpresat e tyre për të qëndruar në Superligë. Skënderbeu kishte udhëtuar drejt Lushnjës me qëllim marrjen e trepikëshit. “Ujqërit e dëborës” ishin të vetmit që kishin fituar në “Roza Haxhiu” dhe kanë arritur ta bëjnë këtë gjë përsëri. Josa vuante edhe nga problemi i mungesave, për shkak dëmtimesh, por edhe kualifikimesh. Pas rikthimit të Bicit, Josës i shtoheshin mungesat e Arapit, Dimos dhe Radasit, që në total u bashkoheshin edhe Orelesit, Ademirit, Fagut dhe Abazit. Duke pasur parasysh edhe kundërshtarin, skuadra jugore nuk ka mundur që të përballet me një Pejiçin në superformë. Kroati arriti që të shënonte dy gola mjaft të rëndësishëm, duke çuar edhe më afër suksesit skuadrën e tij. Vendimtar ka qenë edhe Orges Shehi, i cili arriti që të priste në minutën e 10 një penallti duke u kthyer në një faktor mjaft të rëndësishëm për fatin e ndeshjes. Topi i ulur nga Pejiçi shërben si asist për Lilajn që me bashkëpunimin e Spahos fiton të drejtën për të festuar. Lushnja ka menjëherë mundësinë për t’i dhënë vetes shpresë, por Canka, autor i pesë golave këtë sezon për të tijtë gabon përballë Shehit. Kaq mjafton që Skënderbeu të bëhet zot i fushës dhe i rezultatit duke shënuar dhe golin e dytë në minutën e 20-të, me Lilajn që këtë herë i kthen favorin Pejiçit. Për kroatin dërgimi i topit në rrjetë është një lojë fëmijësh. Mbrojtja e lagunarëve fut ujë nga të gjitha krahët dhe në minutën e 35-të, Ribaj çon në 3-0 rezultatin i pashqetësuar në zonë. Vërshëllimat e publikut duket se i stonojnë, Fonsekës që pas dy minutash shkurton diferencën. Pjesa e dytë nis mirë për Lushnjën, me Bjelanoviçin që në minutën e 48-të shënon dhe të dytin për të tijtë. Nga ky moment të dyja skuadrat shpërdoruan një mori rastesh përpara se Pejiç të shënonte dhe golin e 4-2 në minutën e 85-të duke dribluar dhe portierin Spaho. Tri pikë të rëndësishme për korçarët që hedhin një tjetër hap drejt trofeut të kampionatit ndërsa për Lushnjën rikthimi një kategori më poshtë është thjesht çështje kohe. Kjo pasi skuadra nuk ka arritur që të marrë pikët e nevojshme dhe duke parë kalendarin në ndeshjet që vijnë do të jetë e vështirë që të rikuperojnë.

 

 

 

 

 

Shqipëria siguron miqësore me Rumaninë

Më në fund një sfidant i denjë për kuqezinjtë. Shqipëria do të luajë kundër Rumanisë miqësoren e saj të radhës. Sfida do të luhet me datë 31 maj 2014. Takimi do të zhvillohet në Sion të Zvicrës në stadiumin “Stade de Tourbillon”. Djemtë kuqezinj të drejtuar nga Xhani de Biazi do të përballen me një kombëtare, të cilën Shqipëria e njeh mirë si në ndeshje zyrtare ashtu edhe në ato miqësore. Kjo përballje është një test tjetër i rëndësishëm për ekipin e De Biazit. Kjo, pasi komshinjtë rumunë janë shumë të ngjashëm në futboll për sa i përket nivelit. Pas Maltës skuadra rumune është një test më i rëndësishëm që do të nxjerrë në pah edhe më mirë se sa ka përparuar kombëtarja jonë.

 

 Baloteli duhet të largohet nga Milani

Një nga ikonat e Milanit, Hoze Altafini, mendon se Mario Baloteli është një dështim dhe se kuqezinjtë duhet ta shesin gjatë verës. Sulmuesi italian nuk e ka treguar veten këtë sezon, ndërsa forma e tij e dobët vazhdoi edhe në ndeshjen ndaj Atletiko Madridit në Ligën e Kampioneve. Sipas Altafinit, për sezonin e dobët të Milanit nuk duhet fajësuar zëvendëspresidenti Adriano Galiani, por futbollisti 23-vjeçar. “Adriano ka bërë çfarë ka mundur. Dështimi i vërtetë është Baloteli. Mirëpo, tashmë nuk është befasi. Ai vazhdon gjithmonë t’i bëjë gjërat e njëjta. Lojtarët e mëdhenj dallohen përmes karakterit dhe personalitetit. Kjo nuk ekziston në rastin e tij. Vetëm krahasojeni me Kakanë”, – ka deklaruar Altafini për “Corriere dello Sport”.

 

 

Borusia Dortmund humb në shtëpi

Borusia e Mynshengladbahut ka fituar me rezultat 2-1 përballë Borusias së Dortmundit në “Signal iduna Park”, për të shpresuar që të luajë në Evropë në sezonin e ardhshëm. Të dy golat e mysafirëve u shënuan në pjesën e parë, ndërsa realizues ishin Rafael (31’) dhe Maks Kruse 40’ në minutën e 40-të. Vendasit arritën që të shënonin vetëm një gol në pjesën e dytë, përmes Millosh Jojiç në të 77-ën edhe pse mysafirët luajtën me një futbollist më pak nga minuta e 69-të. Pas kësaj fitoreje, Mynshenglabah numëron 39 pikë dhe është pesë pikë larg vendit që shkon në Ligën e Kampioneve, ndërsa ka gjasa reale për të luajtur në Europa League.

 

Martino: Çështja “Nejmar” ka ndikuar në formën e lojtarit

Gerardo Martino mendon se rënia në formë e Nejmarit është pasojë e të dhënave që dolën në pah rreth transferimit të tij. Çështja e kalimit të 21-vjeçarit në “Camp Nou” është shoqëruar me dërgimin e klubit katalanas në gjykatë dhe me dorëheqjen e tashmë ish-presidentit Sandro Rosel, si pasojë e mashtrimeve me taksa të shumës së vërtetë të blerjes së brazilianit. “Pozita e tij në fushë nuk ka ndryshuar shumë qëkur u kthye nga lëndimi. Si anësor i majtë apo qendërsulmues, paraqitjet e tij kanë qenë shumë të mira. Kundër Mançester Siti luajti në të djathtë dhe ishte shumë i mirë. Ai po luan mirë në të gjitha këto tri pozita në sulm. Kthimi pas një muaji jashtë është gjithmonë i vështirë për të kthyer ritmin dhe pastaj të gjitha vështirësitë që ndodhën rreth çështjes së transferimit të tij. Nëse më duhet të zgjedh arsyen, do të thosha se rënia në formë është pasojë e gjërave jashtë fushe”, – u ka thënë argjentinasi gazetarëve.

 

Mojes: Liverpuli, favorit ndaj nesh

David Mojes ka deklaruar se Liverpuli është favorit për ndeshjen e së dielës që zhvillohet në “Old Trafford”. Mançester Junajtid pret Liverpulin në top formë të dielën në “Old Traford” dhe Mojes ka vendosur që titullin e favoritit t’ia japë kundërshtarit. “Pozita e tyre në kampionat sugjeron se ata janë para ndesh. Ata do të vijnë si favoritë. Unë nuk e di nëse do të prisni që ne të fitojmë. Ju e dini se çfarë jemi ne. Ne jemi duke punuar me progres. Po shikojmë që të bëjmë ndryshime në kohë. Por, unë shpresoj se ne mund të tregojmë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Jemi në gjendje t’i fitojmë këto ndeshje. Lojtarët e kanë treguar këtë së fundmi”, – u shpreh tekniku i djajve të kuq.

 

Falkao shpreson të kapë botërorin

Radamel Falkao shpreson që të jetë i gatshëm për të përfaqësuar Kolumbinë në Kupën e Botës që mbahet këtë verë në Brazil. Sulmuesi i Monakos dëmtoi ligamentet e gjurit në fillim të vitit dhe është pritur të mungojë në garën e madhe. Por, 28-vjeçari është i lumtur me shpejtësinë e rikuperimit dhe beson se ai mund të kthehet shumë shpejt në formën më të mirë. “Po ndihem mirë dhe progresi në gjurin tim ka qenë spektakolar. Unë punoj shumë çdo ditë dhe rikuperimi im po shkon shumë pozitivisht. Shpresoj që të jem mirë dhe të rikuperohem me kohë për Botëror, edhe pse jam i fokusuar momentalisht te Monako”, – deklaroi ish-sulmuesi i Atletiko Madridit.

Share it :