Sonila Mesareja
Reagojnë ashpër familjarët, kërcënojnë me jetë prokurorin dhe familjen e tij, arrestohet Mehmet Shutina, kunati i të pandehurit. Prokurori, padi penale familjarëve të Ballës
Kërcënohet me jetë prokurori që kërkoi dënimin me 35 vite burg për Ndriçim Ballën, nënoficerin e akuzuar për vrasjen e ndodhur në zonën e ish-Bllokut në shtator të vitit të kaluar, ku mbeti e vrarë gabimisht ekonomistja Majlinda Hoxha dhe i plagosur objektivi i atentatit, Elton Fusha. Prokurori Ramadan Troci u kërcënua në sallën e gjyqit nga një prej familjarëve të të pandehurit, pikërisht prej kunatit të Ballës, Mehmet Shutina, i cili u arrestua me urdhër të Gjykatës, pasi doli nga salla e gjyqit. Por, ndërkohë ka reaguar edhe vetë prokurori Troci, i cili ka depozituar një padi penale ndaj Shutinës dhe familjarëve të tjerë të Ndriçim Ballës për kërcënim ndaj tij dhe familjarëve për shkak të detyrës. Reagimi i ashpër i familjarëve të të pandehurit erdhi pas kërkesës së prokurorit Troci, i cili deklaroi fajtor Ndriçim Ballën, duke kërkuar dënimin e tij me 35 vite burg për veprat penale të vrasjes dhe plagosjes.
Pretenca
Prokuroria e Tiranës kërkoi dje dënimin me 35 vite burg për ish-nënoficerin e Forcave të Armatosura, Ndriçim Balla, 33 vjeç, i akuzuar për vrasjen e ekonomistes Majlinda Hoxha dhe plagosjen e Elton Fushës. Pasi ka lexuar dinamikën e ngjarjes, motivin dhe provat që disponon, prokurori Troci kërkoi nga Gjykata dënim maksimal për krimin e kryer nga i pandehuri, ngjarje që mori një jetë të pafajshme dhe që dyshohet të ketë ndodhur për 25 mijë lekë reja, për një punë të papaguar. Por, viktimë nuk mbeti objektivi Elton Fisha, personi që kishte marrë me qira lokalin e basteve në zonën e ish-Bllokut, por ekonomistja e punësuar prej tij, e cila ndodhej në tavolinë me të dhe të shoqin. Mësohet se ka qenë pikërisht ky i fundit që ka identifikuar ai autor të dyshuar Ballën, duke bërë që policia ta vërë në pranga brenda një kohe të shkurtër.
Reagimi
Tepër i ashpër ka qenë reagimi i familjarëve të të pandehurit Balla pas dhënies së pretencës nga prokurori, madje duke kaluar deri në kërcënime personale. Kunati i Ballës, Mehmet Shutina i është drejtuar prokurorit në prani të gjyqtarit se do përgjigjej privatisht për masën e lartë të dënimit dhënë ndaj Ballës, me pretendimin se i afërmi i tyre nuk është autori i ngjarjes. Madje, Shutina ka shkuar më tej kur i ka kërcënuar me jetë prokurorit edhe fëmijët e tij. Por, nuk ka zgjatur asnjë minuta nga salla e gjyqit deri te dera e gjykatës kur policia i ka vënë prangat kunatit të të pandehurit, pas urdhrit të dhënë nga Gjykata, e cila ka qenë dëshmitare e kërcënimeve. Ndërkohë që, edhe vetë prokurori Troci ka depozituar një padi penale ndaj familjarëve të të pandehurit, si i kërcënuar personalisht dhe familjarisht për shkak të detyrës. Për shkak se ka konflikt interesash, duke qenë se prokurorët e kryeqytetit e njohin prokurorin e kërcënuar, dosja ndaj Shutinës do të hetohet nga Prokuroria e Krujës.
Ngjarja
Ngjarja për të cilën u kërkua dënimi me 35 vjet burg ka ndodhur mbrëmjen e 8 shtatorit 2013 në zonën e ish-bllokut, ku Balla me pistoletën e punës tentoi të vrasë Elton Fushën për një borxh prej 25 mijë lekë të reja, ku për pasojë u plagos objektivi i atentatit ndërsa mbeti e vdekur Majlinda Hoxha, ekonomiste e punësuar nga Fusha në lokalin e tij të basteve. Bashkëshorti i kësaj të fundit ka identifikuar autorin, pasi në momentin e vrasjes ishin së bashku në lokal. Mësohet se Balla ka pranuar konfliktin me Fushën për borxhin 25 mijë lekë që ia kishte të vëllait për një punë të papaguar në banesën e Eltonit, por jo që të ishte ai autori. Madje, Balla ka pretenduar se në kohën kur ka ndodhur ngjarja ka qenë me gruan dhe vajzën dhe kjo mund të verifikohej nga akuza. Të njëjtit pretendim i ka qëndruar edhe gruaja e Ballës, e cila i ka kërkuar akuzës që përmes kompanive celulare të provonte vendin ku ka qenë i shoqi momentin e vrasjes.
Fier/ “Humb” Prokuroria përballë Gjykatës, lirohet Ben Qimja
Gjykata del më e fituar përballë Prokurorisë në betejën për mbajtjen ose jo në burg të Arben Isufaj, i njohur ndryshe edhe si Ben Qimja. Pas shtyrjes së vendimit dy ditë më parë, dje gjyqtarja Igerta Hysi vendosi lirimin e Isufajt, duke mos pranuar kërkesën e akuzës për shtyrjen për 1 muaj të afateve të paraburgimit. Gjyqtarja ka vendosur të lirojë me masën “Arrest shtëpie” biznesmenin e kërkuar nga drejtësia italiane, tashmë vetëm për një akuzë që rrezikon maksimumi deri 3 vjet burg. Gjykata e Torinos e ka liruar nga akuzuat më të rënda Ben Qimen, duke e shpallur të pafajshëm për akuzat e pjesëmarrjes në organizata kriminale, për të cilën rrezikonte deri në 30 vjet burg. Sipas akuzës, Arben Isufaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane të drejtësisë, për shkak se Gjykata e Torinos Itali, me vendimin datë 22.6.2010 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest ne burg”, si dhe është lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për veprat penale të pjesëmarrjes në organizatën kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike, parashikuar. Pasi Gjykata e Lartë, me kërkesë të palës mbrojtëse, shpalli moskompetente gjykatat e Tiranës për shqyrtimin e kërkesës për ekstradim të shtetasit Arben Isufaj (Ben Qimja), në datë 9.7.2014, Gjykata e Apelit Tiranë (ku po shqyrtohej në themel kërkesa për ekstradim) shpalli moskompetencën dhe shqyrtimi i çështjes së masës së sigurisë dhe themelit i kaloi për shqyrtim gjykatës së rrethit gjyqësor Fier. Në datë 10.7.2014, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier e vlerësoi të drejtë masën e arrestit me burg (të vendosur fillimisht nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe më pas nga Apeli Tiranë). Në momentin që gjykata e Fierit vlerësoi të ligjshme masën e sigurisë “Arrest me burg”, afatet e paraburgimit (90 ditë) po shkonin drejt limiteve (kishin mbetur edhe 11 ditë) për shkak të “pingpongut” ndërmjet gjykatave të Tiranës, Gjykatës së Lartë dhe më pas në atë të Fierit. Gjithsesi, në bazë të Kodit të Procedurës Penale, organi i Prokurorisë ka në dispozicion edhe një zgjatje të afatit të paraburgimit me 1 muaj në përfundim të afatit 90 ditor. Por, kjo kërkesë u rrëzua nga gjykata e Fierit duke shënuar kështu një përplasje të fortë institucionale Gjykatë-Prokurori.




