Pretenca/ Pastrimi i produkteve të veprës penale, kërkohen 7 vjet burg për Demirxhiun

Sonila Mesareja

para euroProkuroria i kërkon Gjykatës edhe konfiskimin e një objekti me vlerë 6 milionë lekë, u ble me paratë e përvetësuara nga 3 firma

Prokuroria e Krujës ka kërkuar dënimin me 7 vite burg për një ish-inspektor tatimesh në zyrën rajonale të këtij qyteti, i akuzuar për “Pastrim produktesh të veprës penale”. Gjithashtu, prokurori kërkoi edhe konfiskim të pronës së përfituar nga përvetësimi i parave të tri subjekteve në zonën e Krujës, me vlerë 6 milionë lekë. Ky i pandehur një vit më parë është shpallur fajtor nga gjykata për veprën penale të “Falsifikimit të vulave, stampave, dhe formularëve”, e kryer më shumë se një herë në bashkëpunim. Sipas këtij vendimi, rezulton se nëpërmjet përshkrimit të transaksioneve të pavërteta dhe të falsifikuara në 112 fatura TVSH-je, ka përfituar shumën prej 6.100.135 lekë, për shkak se i pandehuri Osman Demirxhiu, gjatë viteve 2007-2008 ka punuar si inspektor i tatim-taksave në zyrën rajonale të Krujës. Gjatë këtyre viteve ka kryer kontrolle tatimore si inspektor në shoqërinë “SEAD” sh.p.k. dhe pas largimit nga detyra ka punuar si ekonomist i jashtëm dhe i paregjistruar në një ambient pa qira së bashku me gruan dhe një tjetër person, duke plotësuar dokumentacionin tatimor të tri subjekteve tatimpaguese, “SEAD” sh.p.k., “BRAZIL-X” sh.p.k. dhe “JONA dhe SENA” sh.p.k. me seli në Fushë-Krujë.

 

Kallëzimi

Tre administratorët e subjekteve tatimpaguese, “SEAD” sh.p.k., “BRAZIL-X” sh.p.k. dhe “JONA dhe SENA” kanë kallëzuar Osman Demirxhiun, duke dëshmuar se e kishin punësuar si ekonomist atë dhe të shoqen, duke raportuar dokumentet financiare pranë degës së tatimeve dhe çdo veprim tjetër në emër të këtyre shoqërive. Duke përfituar nga besimi që këta administratorë kishin te i pandehuri, ky i fundit ka nisur shtetasin G. Lama për në zyrën e tatimeve duke tërhequr tri blloqe TVSH-je me nga 50 fatura secila. Faturat tatimore të tërhequra në emër të këtyre shtetasve nuk rezulton të jenë plotësuar me emrat e tyre, por në emër të subjekteve të tjera duke pasqyruar të dhëna të rreme në formë dhe përmbajtje. Qëllimi i të pandehurit, sipas akuzës, ka qenë përfitimi në mënyrë të padrejtë i kreditimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Gjatë kryqëzimit të faturave, administrata tatimore ka konstatuar shkeljet, ku faturat e tërhequra në emër të tri subjekteve “SEAD” sh.p.k., “BRAZIL-X” sh.p.k. dhe “JONA dhe SENA” kishin emër shitësi këto dhe disa kompani të tjera ku Demirxhiu punonte si ekonomist, ndërsa si blerës disa kompani të tjera. Nisur nga dyshimet, u mblodhën 112 faturat origjinale për të bërë verifikimet. Pasi kanë kontaktuar me administratorët e shoqërive shitëse, këta të fundit kanë deklaruar për tatimet se nuk kanë marrë asnjë mall nga këto shoqëri që rezultojnë si blerëse. Më pas faturat u dërguan për ekspertim tekniko-grafik. Nga përfundimi i ekspertizës rezultoi se ishin plotësisht të falsifikuara nga Osman Demirxhiu. Rezultoi se me qëllim përfitimin e vlerës së TVSH-së në mënyrë të padrejtë, Demirxhiu ka plotësuar me të dhëna të rreme 112 fatura origjinale TVSH-je, të cilat janë përdorur në tatime nga disa shoqëri. Nga këto manovra janë përfituar 6 milionë lekë. Këto para, i pandehuri i ka investuar në veprimtari ekonomike, duke konsumuar veprën penale të “Pastrimit të produktit të veprës penale”.

 

Blerja e pronës

Nga hetimet ka rezultuar se në Budull të Krujës, i pandehuri ka një pronë prej 880 metrash katrorë truall, ku ka ndërtuar një veprimtari ekonomike. I pandehuri ka paraqitur një kërkesë në KRRT e Durrësit për miratimin e lejes së ndërtimit për një godinë “Magazinë+Godinë shërbimi në Bubq”. Personi që figuronte se kishte ndërtuar këtë godinë ka sqaruar për hetuesit se ai nuk ka lidhje me ngritjen e godinës, por i ka vënë në dispozicion Demirxhiut licencë e ndërtimit për të kryer vetë ndërtimin dhe i ka plotësuar gjithë dokumentacionin për të marrë lejen e ndërtimit. Madje, ai ka sqaruar se i ka bërë edhe një preventiv Demirxhiut për ngritjen e kësaj godine në vlerën 40 milionë lekë, nga të cilat duhej të paguante 15%, por që nuk u ra dakord dhe marrëveshja u prish. Hetimet zbuluan se i pandehuri, përmes shumës së përvetësuar nga TVSH-ja në mënyrë të padrejtë, ka investuar paratë në këtë godinë dhe për këtë arsye u mor sërish nën akuzë.

 

Vendimi/ Dënohet 1 vit burg ish-kryeinspektori i INU-së Elbasan, për 20 raste ndërtimesh të paligjshme

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan dënoi dje me 1 vit burg ish-kryeinspektorin e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë së këtij qyteti, Neritan Zotaj, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”. Ky shtetas akuzohet se me veprime dhe mosveprime nuk ka marrë masat e parashikuara nga ligji për prishjen, bllokimin apo marrjen e masave administrative për 20 raste ndërtimesh të paligjshme. Nga hetimet dhe më pas nga gjykimi, janë konstatuar dhe provuar raste të shpërdorimit të detyrës, përkatësisht 5 raste të mosmarrjes së masave administrative “Gjobë dhe pezullim punimesh”; 9 raste të mosmarrjes së masave “Gjobë dhe prishje të objekteve të paligjshme”; 5 raste të mosreferimit “Kallëzim penal” në organin e Prokurorisë dhe 1 rast të mosmarrjes së masave për “Prishje objekti”. Sipas akuzës, duke mos u marrë vendimet përkatëse dhe duke mos u marrë as në kohë, i është shkaktuar dëm shtetit duke u përllogaritur në këtë dëm vlera përkatëse e gjobës. Gjithashtu, shtetasit ka rezultuar se kanë ndërtuar pa paguar taksat që kërkon legjislacioni përkatës (taksë për pajisjen me leje ndërtimi, TVSH në ndërtim, taksa në lidhje me produktet e përdorura, taksa të cilave subjektet ndërtuese u janë shmangur). Sipas akuzës, me një sjellje inaktive, Neritan Zotaj, në cilësinë e kryeinspektorit, i ngarkuar me detyrën për marrjen e vendimeve përkatëse, nuk ka kryer detyrën, duke i shkaktuar kështu shtetit dëm jo vetëm material por edhe në cenimin e imazhit të institucioneve shtetërore. I pandehuri akuzohet për mosveprim ne rreth 20 raste duke sjelle si pasoje.

 

 

Share it :