Prapaskenat/ Takimi Rama-Basha “kushtëzohet” nga vizita e Ramës në Gjermani. Kërkesa e PS-së ndaj PD-së

Gëzim Saliu

 

PS kërkon që takimi mes dy krerëve të zhvillohet para vizitës së 1 prillit të Ramës

 

Anulohet mbledhja, amendamentet për ligjin e nëpunësit civil nuk shqyrtohen në Komisionin e Integrimit. Peza tërheq amendimet për të ndryshuar ligjin e mediave audiovizive

 

Rama-basha1Partia Socialiste kërkon që takimi mes Kryeministrit Rama dhe liderit të opozitës, Basha, të zhvillohet këtë javë. Negociatat mes palëve vazhdojnë edhe pas takimit të deputetëve përkatës Taulant Balla nga PS-ja dhe Majlinda Bregu nga PD-ja e ndërkohë duket se arsyeja kryesore e këtij “nguti” të socialistëve lidhet me vizitën që pritet të kryejë më 1 prill kreu i qeverisë në Gjermani, ku pritet të zhvillojë një takim me Kancelaren gjermane Angela Merkel. Duke marrë shkas nga fakti se Gjermania ishte një ndër pesë vendet që votoi për shtyrjen e dhënies së statusit së vendit kandidat ndaj Shqipërisë, vizita e Ramës pas takimit me liderin e opozitës në vend do të ishte një notë më shumë se pozitive për vendimin e BE-së në muajin qershor. Në këtë kontekst, mbetet për t’u vlerësuar nëse takimi mes Ramës dhe Bashës, në rast se ndodh gjatë kësaj jave, do të paraqitet nga ana e Kryeministrit si vlerë e qeverisjes së majtë, formë kjo për të përfituar kredite nga shteti gjerman apo si fryt i bashkëpunimit të të dyja palëve dhe i kontributit të vazhdueshëm të opozitës në kuadër të aspiratës evropiane të vendit. Ndërkohë, nga ana e saj, PD ka bërë të ditur qëndrimin zyrtar për çështjen përmes letrës së kreut të saj Lulzim Basha, i cili ka bërë me dije se ky takim mund të zhvillohet, vetëm nëse Kryeministri do të pranojë që konsensusi në komision për reformën administrative të finalizohet si i tillë edhe në votimin e saj në Kuvend.

 

Lëvizjet

Megjithëse nuk janë zhvilluar negociata të drejtpërdrejta si një ditë më parë, në të dyja kampet politike ka pasur lëvizje dje lidhur me përcaktimin e detajeve për tryezën e pritshme mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Pasi PD ka bërë të qartë qëndrimin e saj lidhur me reformën administrative, ku kërkon që konsensusi të mbetet deri në fund të procesit, PS ende nuk është përgjigjur drejtpërdrejt lidhur me këtë kërkesë. Por pavarësisht se kjo përgjigje ka munguar, e cila duket se do të jetë përcaktuese për uljen e palëve në një tryezë të përbashkët, PS ka dhënë shenjat e para duke u tërhequr përkohësisht nga votimi në Kuvend i ndryshimeve të ligjit për nëpunësin civil si edhe nga amendamenti i AMA-s. Amendamentet që ishin parashikuar të shqyrtoheshin ditën e djeshme në orën 17:00 në Komisionin e Integrimit, nuk janë shqyrtuar, pasi mbledhja është anuluar pas vendimit të grupit socialist për të kërkuar konsensus për një prej çështjeve më të rëndësishme për opozitën. Po ashtu, dje në mesditë, nënkryetari i Komisionit të Medias, Alfred Peza, ka depozituar zyrtarisht tërheqjen e amendamentit të tij për ndryshimin e ligjit të mediave audiovizive, ku me këtë lëvizje i hapet rrugë shpalljes së 4 vendeve bosh në AMA-s dhe shkarkimit të kryetares Endira Bushati. Për këtë praktikë, Partia Demokratike ka bërë të qartë qëndrimin e saj, duke e cilësuar si tentativë të mazhorancës për të kapur institucionet e pavarura. Nga ana tjetër, duhet nënvizuar fakti se këto dy tërheqje nga ana e mazhorancës për nëpunësin civil dhe ligjin e AMA-s, si edhe ftesa e Kryeministrit Rama ndaj liderit të opozitës për një takim lidhur me reformën administrative territoriale vijnë vetëm pak ditë para se kreu i qeverisë të niset në Gjermani, ku do të zhvillojë takim me Kancelaren gjermane, Angela Merkel.

 

 

Elbasan

Hapet Zyra e Punës, Rama: Shifrat e punësimit në 2014, shteti do të nxisë sipërmarrjen

Hapja e Zyrës së re të Punës në Elbasan do të jetë një mundësi më shumë për personat e papunë për të gjetur një vend pune. Kështu, deklaroi dje Kryeministri i vendit, Edi Rama, në përurimin e Zyrës së Punës në këtë qytet, duke theksuar se Elbasani është qarku i tretë me numrin më të madh të të papunëve dhe po ashtu i treti në vend për nga trajtimi me ndihmë ekonomike. Sipas kreut të qeverisë, është e domosdoshme të krijohet një marrëdhënie e re mes shtetit dhe biznesit. “Duhet të jemi të vetëdijshëm dhe duhet të bëjmë çmos që të ecim përpara me vetëdijen se shteti nuk mund të jetë punëdhënësi më i madh; se shteti nuk mund të jetë përgjigja për çdo punëkërkues; se kërkesa e madhe për punësimin që ka sot Elbasani dhe ka gjithë Shqipëria nuk mundet dot të plotësohet me vende pune në shtet. E kundërta duhet të jetë e vërtetë. Shteti duhet të jetë nxitës i madh i punësimit, përmes nxitjes së sipërmarrjes, përmes rritjes së sektorit privat, përmes transformimit të biznesit në një partner të pandashëm strategjik”, – tha Rama. Më tej, kreu i qeverisë bëri të ditura shifrat e lidhura me çështjen e punësimit, të cilat, sipas tij, tregojnë rritjen e besimit të qytetarëve tek gjetja e punës së përshtatshme në zyrat e reja. “Në vitin 2013, përgjatë gjithë vitit, arritën të punësoheshin nëpërmjet zyrave të Punës vetëm 600 persona. 600 persona janë më pak sesa numri i njerëzve që punojnë në rrjetin e zyrave të Punës. Ndërkohë që, vetëm në 1 muaj, në 3 zyra, në Tiranë, në Durrës dhe në Vlorë, u punësuan dyfishi i atyre që deri dje u punësuan në një vit nga të gjitha zyrat e Punës së Shqipërisë, 1055 persona. Në vetëm pak javë, në këtë regjistër elektronik, kanë mbërritur nga ana e biznesit 3 herë më shumë kërkesa për njerëz që janë të dispozicion për të punuar, sesa gjithë vitin e shkuar, në gjithë rrjetin kombëtar të punësimit. Mesatarja mujore e pritjes së punëkërkuesve në zyrat e Punës, për 2013 ishte 3898. Ndërsa në 2014 është dyfishuar, është 6389 dhe është dyfishuar vetëm përmes 4 zyrash pune të ripërtërira, që sot me Elbasanin bëhen 5”, – deklaroi Kryeministri Rama.

 

 

Reforma administrative

Ministri Çuçi: 150 komuna s’kryejnë asnjë investim, shqiptarët humbin 25 milionë USD

Reforma administrative-territoriale ishte në qendër të takimit që zhvilloi dje në qytetin e Shkodrës ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, i cili e cilësoi atë si kryereformën që do të ndryshojë cilësinë, sasinë dhe qasjen për të gjitha shërbimet për qytetarët dhe investimet publike në nivel vendor, por edhe qendror. Duke bërë publike një sërë shifrash lidhur me ndarjen aktuale administrative, Çuçi theksoi se njësitë e vogla të qeverisjes vendore janë gati të paralizuara. Sipas tij, shumë komuna dhe bashki të vogla e kanë të vështirë, madje të pamundur, të përmbushin përgjegjësitë e tyre në përputhje me ligjin. “Sot, nga 308 komuna që ka Shqipëria, 150 (ose rreth 50% e tyre) nuk kryejnë asnjë investim. 98% e buxhetit të këtyre 150 komunave sigurohet nga transfertat e buxhetit të shtetit dhe vetëm 0-2% sigurohet nga taksat e tarifat vendore. 71 nga këto komuna nuk mbledhin asnjë taksë, pra, nuk gjenerojnë asnjë të ardhur vendore. Ndërkohë, në një vit, taksapaguesit shqiptarë paguajnë 25 milionë dollarë për të mbajtur administratën e komunave. Të dhënat tregojnë se në vitin 2013 gati të gjitha të ardhurat e siguruara nga taksa që pagoi biznesi i vogël në të gjithë vendin, shkuan për paga dhe shpenzime personeli, duke mos i kthyer mbrapsht asnjë shërbim apo investim publik”, – theksoi ai. Duke iu referuar qarkut të Shkodrës, ministri Çuçi tha se ky qark ka 33 njësi vendore dhe, sipas të dhënave të Censusit të 2011-ës, ka rreth 214.000 banorë. “Lëvizja demografike në mënyrë të veçantë e ka prekur qarkun e Shkodrës, sidomos në njësi të veçanta vendore në zonat malore ku mbi 40% e komunave kanë më pak se 2000 banorë. Komuna të tilla, si: Blerim, Vig-Mnelë, Gjegjan, Qerret apo rastet ekstreme si, komunat Shllak me 671 banorë apo komuna Shosh me 304 banorë, që ndoshta është komuna me popullsi më të vogël në Shqipëri, nuk kanë asnjë mundësi qeverisjeje. Këto njësi kanë humbur më shumë se 50% të popullsisë nga viti 2001 deri në vitin 2011 apo rasti ekstrem i përmendur i komunës Shosh që ka humbur në 10 vjet mbi 73% të popullsisë së saj”, – u shpreh ministri i Pushtetit Vendor.

Share it :