Porti do bëhet. Çfarë nuk bëhet me shumë lekë, bëhet edhe me më shumë lekë akoma
Nga Klodian Tomorri
Sot kryeministri tha që organizatat ndërkombëtare të krimit janë shqetësuar shumë nga ndërtimi i portit në Porto Romano sepse aty nuk do bëjnë dot më trafiqe.
I thotë dhe i thotë seriozisht këto. Por harron se qeveria ka shpallur investitorë strategjikë kriminelë të rrezikshëm. Me firmën e vetë kryeministrit.
Dhe sikur të mos mjaftonte kaq, këtu u çua Accori për ortakëri biznesi me një nga bandat më të rrezikshme te vendit. Me gjithë Macronin e shkretë.
Përveç kësaj tha dhe që janë ca vende, që po luftojnë kundër Portit.
Porti i thatë i Maqedonisë së Veriut ishte planifikuar të ndërtohej në Strugë fillimisht-tha- pastaj e çuan në Shkup. Janë interesa, të mëdha, tha.
Nuk përmendi emra vendesh, që po luftojnë kundër Portit të Porto Romanos. Por zhvendosja nga Struga në Shkup fut në lojë Selanikun.
Pra, paska qenë Greqia, një nga ato vendet që luftojnë kundër. Po mirë, kur Greqia luftoka kundër, ne pse donim t’ia jepnim tenderin e ndërtimit të Portit një kompanie greke?
Kush e kualifikoi Arqirodonin, a si e ka ajo? Kush e përzuri Vinçin, Van Oordin etj etj, duke ia lënë tenderin e Portit grekës.
Faktikisht ministria nga lob grek është drejtuar. Por nejse. Këto janë të gjitha justifikime kot.
Vende kundër portit mund të ketë shumë. Edhe Kina mund të jetë kundër fjala vjen. Por çfarë lidhje ka kjo?
Vetëm 2 fuqi ka që mund të pengojnë ndërtimin e Portit. Ato janë SHBA-të ose BE-ja? Përderisa këto, nuk kanë asnjë problem siç thotë vetë kryeministri, atëherë suksesi i Portit është i sigurt.
Ndaj krimi të gjejë vend ku të futet se trafiqe nuk ka më. Edhe armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm bashkë me Van Cleevin dhe Geri Selenicën të hidhen përpjetë. Porti do bëhet. Çfarë nuk bëhet me shumë lekë, bëhet edhe me më shumë lekë akoma.




