Gëzim Saliu
“Do ti japim një pamje tërësisht të re të gjitha godinave që janë në anë të rrugës kryesore të Beratit”
Kryeministri Rama përuroi dje pedonalen e qytetit të Beratit, ku duke u ndalur tek ajo se çfarë kishte premtuar një vit më parë tha se këto investime janë fillimi i mbajtjes së premtimit dhënë qytetarëve se në 4 vitet e ardhshme do të investohen më shumë se në 20 vite të marra sëbashku. “Në një vit ne kemi investuar në këtë qytet më shumë sesa në 10 vitet e fundit të marra sëbashku. Për të përmbushur zotimin tonë, në fakt na mjafton edhe një vit tjetër, sepse edhe në vitin që vjen do të bëjmë përsëri më shumë se në 10 vitet e fundit. Këto janë projekte që çelin rrugë të reja për ekonominë, janë projekte që çelin rrugë të reja për atë industri që Shqipëria duhet ta ketë të parën dhe që Berati duhet të jetë lokomotivë në zhvillim e saj, që është turizmi,” u shpreh Kryeministri.
Projektet
Duke u ndalur tek projektet e nisura në qytet, kreu i qeverisë e quajti një program zhvillimi dhe premtoi vazhdimin e mbështetjes për të nxjerrë nga harresa qytetin e vjetër. “Do të vazhdohet më tutje me çuarjen më tej të këtij aksi kryesor, do të vazhdohet më tutje me çuarjen më tej të procesit të rehabilitimit në lagjet historike, por padyshim do të vazhdohet më tej, për t’i dhënë një pamje tërësisht të re të gjitha godinave që janë në anë të rrugës kryesore dhe për të rritur kështu edhe vlerën e gjithë strukturave, qofshin ato të biznesit, qofshin ato të banimit, në gjithë këtë zonë. Nga ana tjetër rikonstruksioni i Hotel Turizmit të famshëm dhe transformimi i tij nga një ngrehinë e vjetër e një kohe të shkuar në një ngrehinë që duke respektuar traditën do të marrë një zhvillim tërësisht të ri do t’i japin gjithë kësaj shëtitoreje dhe një pikë të re referimi”, tha Rama. Po ashtu kryeministri u ndal edhe të ndërtimet pa leje, për të cilat tha se nuk do të lejohen, duke përmendur këtu edhe frazën e përdorur nga Pikaso sipas të cilit,: “Ne shkatërrojmë për të ndërtuar.” “Ne nuk ndërtojmë për të shkatërruar, siç ka ndodhur vite të tëra, ku edhe investimet që janë bërë në emër të ndërtimit më shumë kanë sjellë shkatërrim dhe rrënim, sesa kanë sjellë ndërtim. Sigurisht, edhe në Berat nuk do të lëmë pa shkatërruar ndonjë godinë pa leje, nuk do lëmë pa shkatërruar ndonjë godinë që i zë sytë qytetit të vjetër, nuk do lëmë pa shkatërruar ndonjë godinë të ngritur me arrogancë dhe me brutalitet të madh, duke i bërë një karshillëk të madh gjithë popullit të mirë e të urtë të Beratit”, pohoi kreu i qeverisë. Pedonalja në bulevardin “Republika” dhe sheshi “Teodor Muzaka”, financim i Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe Bashkisë Berat është cilësuar si një ndër ndërhyrjet urbane më të rëndësishme për qytetin. Si pjesë e programit “Rilindja e qyteteve”, prej një viti, në Berat po realizohet projekti për rikonceptimin tërësor të hapësirës publike, ku po kryhen 3 milionë dollarë investime.
Batutat me dorëzimin e medaljes/ Rama, Nasufit: Ja jepje sa herë Saliut me shpresë për fonde, por merrje vetëm shallin në qafë
Në përurimin e djeshëm të pedonales së Beratit, kryeministri Rama mori edhe një medalje bronzi, me shtëpi karakteristike të qytetit në shenjë mirënjohjeje, nga ana e kryebashkiakut Fadil Nasufi. Pas marrjes së saj, kreu i qeverisë nuk kurseu batutat, duke iu referuar parardhësit të tij, për të cilin tha se pas kaq kohësh po e përmendte sërish në Berat. “Kur vinte Saliu për fushatë Fadili ishte gjithmonë ai që i dilte dhe e priste. Vinte dhe shiritin dhe nuk e linte Saliun të kthehej pa i dhënë ndonjë nga këto, se gjithmonë shpresonte që duke i dhënë këto do ti vinin dhe investimet nga mbrapa, po sic e dini e vetmja gjë që i mbeti nga takimi me Saliun është ky shalli në qafë ndërkohë që pak po e sigurtë është që duke na dhënë ne nga këto hekurishtet e zbukuruara i hap vetes rrugë për të thënë tani që kemi nevojë dhe për ca investime të tjera. Unë kisha kohë pa përmendur Saliun po e di që ju e doni shumë dhe ai ju do shumë prandaj e përmenda këtu. Kam shumë dëshirë që këtë kujtim, tani e kam seriozisht, tja kaloj zëvendës kryeministrit i cili në fakt është drejtuesi dhe koordinatori i gjithë programit të Rilindjes të Qyteteve” tha kryeministri.




