Përurohet e 8-ta në Fier/ Rama: Përmes zyrave, kemi punësuar 9 mijë persona

rama zyrat e reja“Nga 7 zyrat e hapura janë kontaktuar deri tani 22 935 punëdhënës, 3-fishuam numrin e punëkërkuesve që kërkojnë informacion”

 Kryeministri Edi Rama përuroi dje Zyrën e Punës në qytetin e Fierit, e cila është e 8-ta, pas atyre të hapura në disa qytete të tjera të vendit. Sipas kreut të qeverisë, falë zyrave të punës dhe kërkesave të tregut të punës, 3500 njerëz u janë drejtuar qendrave publike të formimit profesional, për t’u përgatitur, me qëllim marrjen më pas të një vendi pune. “Janë 9 mijë histori suksesi të personave që janë punësuar nga zyrat e punës. 7 zyra pune, në një periudhë kohe kaq të shkurtër, kanë arritur të punësojnë 9 mijë persona drejtpërdrejt dhe në të gjitha shkallët e arsimimit, nga financierë tek ekonomistë, tek inxhinierë, tek rrobaqepës, tek centralistë, tek shoferë dhe tek të tjera profesione që janë kërkuar nga tregu i punës. Janë 4 mijë persona që janë punësuar nga këto zyra pune në industrinë përpunuese; janë rreth 1 mijë ne sektorin e informacionit dhe komunikacionit; 1 mijë të tjerë në shërbime; 500 në tregti dhe kështu me radhë”, – tha Rama.

 

Punësimi

Në takimin e djeshëm, Kryeministri Rama vlerësoi angazhimin e zyrave të punës edhe sa i takon interesimit të drejtpërdrejtë tek sipërmarrësit, si dhe njoftoi ndërhyrjen edhe me fondin tjetër të mbështetjes për fasonët, një tjetër fond të mbështetjes së punësimit. Sipas kësaj praktike, gjithçka që merret nga të ardhurat që vijnë prej kontributeve të tyre, do të kthehen përsëri te sipërmarrja në formën e një fondi të nxitjes së punësimit. “Ne kemi pasur një sukses të konsiderueshëm si fazë e parë me fondin e nxitjes së punësimit, deri tani. Ka pasur shumë më tepër aplikime sesa një vit më parë dhe përfituesit kanë vënë në dispozicion projekte që do të na sjellin përsëri rritje të punësimit. Ndërkohë duhet të hyjmë edhe me fondin tjetër të mbështetjes për fasonët, siç e kemi premtuar, që gjithçka ne marrim nga të ardhurat që vijnë prej kontributeve të tyre t’u kthehen atyre në formën e një fondi të nxitjes së punësimit, ku falë projekteve ata do të mund të përfitojnë drejtpërdrejt mbështetje financiare përkundër vendeve të punës që do të krijojnë”, – deklaroi ai. Ndërkaq, referuar Zyrës së 8-të të Punës të hapur në Fier, kreu i mazhorancës qeverisëse pohoi se me anë të shtatë zyrave të çelura deri më tani është arritur të kontaktohen 22 935 punëdhënës. “Është krijuar baza më fillestare për të lidhur punëdhënësit me punëkërkuesit dhe për t’u dhënë punëkërkuesve mundësinë që në një pikë kontakti të shohin në rrezen e qytetit apo të qarkut të tyre, çfarë mundësie ka për punë me dijet që ata kanë, me aftësitë që ata kanë, me diplomën që ata kanë, me eksperiencën që ata kanë dhe se si mund të trokasin, pa pasur nevojë që ata të bredhin lartë e poshtë, pa shpresë. Ne kemi arritur që ta 3-fishojmë numrin e punëkërkuesve që kërkojnë informacion. Vetëm këtë periudhë, po e marrim prej 300 ditësh, – por praktikisht puna e këtyre zyrave ka nisur më vonë sesa ç’ka filluar puna e qeverisë,- ne kemi arritur të kemi në librin e kontributeve të Republikës së Shqipërisë 43 795 punonjës më shumë. Janë vende të reja pune, janë edhe vende pune të formalizuara”, – u shpreh Rama, duke shtuar se qeveria do të vazhdojë me formalizimin e punës, si edhe me hapjen e vendeve të reja të punës.

 

 Harta territoriale/ Bashkia e Leskovikut: Ndarja e re, si në kohën e diktaturës. Edhe Livadhjaja kundër

Kryetari i Bashkisë së Leskovikut kundërshton ndarjen e re territoriale, duke e konsideruar variantin e propozuar si të njëjtë me atë të kohës së diktaturës. Në një letër dërguar ndërkombëtarëve, Presidentit të Republikës, Kryeministrit Rama dhe ministrit Çuçi, kryebashkiaku Fatmir Guda thekson se në hartën e re administrative, Leskoviku rrezikon ekzistencën. “Mazhoranca në Kuvendin e Shqipërisë në shkelje të Kushtetutës në nenin 108 ka hartuar një hartë territoriale që jo vetëm nuk merr në konsideratë interesat ekonomike të zonës së Leskovikut, por as nuk ka marrë mendimin e komunitetit të Leskovikut, nëse janë apo jo dakord me shkrirjen e njësisë vendore Bashkia Leskovik. Zgjidhja që i propozohet Leskovikut në variantin qeveritar është e njëjtë me eksperiencën e diktaturës para viteve ‘90, duke krijuar ish-komitetin famëkeq ekzekutiv të rrethit Kolonjë”, – thuhej në letër. Sipas kryebashkiakut të Leskovikut, reforma territoriale ka degjeneruar në pazare të pastra politike dhe nuk është aspak në funksion të demokracisë për qytetarët. Po ashtu lidhur me hartën e re territoriale ka shprehur kundërshti edhe Komuna Livadhja përmes një peticioni banorët e minoritetit grek kanë ngritur shqetësimin e tyre në lidhje me kalimin nën varësi të Konispolit të tre fshatrave të Komunës. “Duke marrë shkas nga problemet e krijuara në lidhje me ndarjen e re administrative-territoriale, në komunën tonë pas marrjes së vendimit nga Komisioni Parlamentar i Reformës Administrative-Territoriale, për shkëputjen e tre fshatrave të Komunës Livadhja, fshatit Vagalat, Sopikut, Pandalejmon dhe kalimin e tyre në Bashkinë e Konispolit, shprehim shqetësim dhe indinjatën e komunitetit të këtyre fshatrave dhe gjithë minoritetit grek”, – thuhej në peticion.

 

 Rasti i Strazimirit/ PD: Heshtja e Ramës, po aq kriminale sa aktet banditeske të deputetëve të tij

Partia Demokratike denoncoi dje mosreagimin e kreut të qeverisë ndaj goditjes së deputetit demokrat në mjediset e Kuvendit, duke theksuar se heshtja e Ramës për 11 ditë tregon, sipas opozitës, se pas këtij akti qëndron ai vetë. “U bënë sot 11 ditë që Edi Rama hesht pas agresionit fizik dhe kërcënimit me jetë të deputetit të opozitës, Gent Strazimiri, në godinën e Kuvendit të Shqipërisë, me një akt mafioz të organizuar prej tij deri në detaje. Por Edi Rama hesht prej më shumë se një jave, edhe kur deputeti i tij, tashmë me emër dhe prova të pakontestueshme për të shkuarën kriminale, pra Arben Ndoka, kërcënoi me jetë zëdhënësen e Partisë Demokratike. Heshtja e Edi Ramës, është po aq kriminale sa aktet banditeske të deputetëve të tij”. Më tej, deputetja demokrate theksoi: “Akti i parë publik që bëri deputeti i Edi Ramës, ishte goditja e deputetit të opozitës dhe kërcënimi me jetë i zëdhënëses së Partisë Demokratike. Këto akte banditeske dhe publikimi i fakteve të aktivitetit kriminal të këtij deputeti kanë tronditur mbarë opinionin publik. Vetëm për Edi Ramën nuk ka ndodhur asgjë. Ai hesht dhe bën të paditurin. Hesht, sepse, pas këtij agresioni të pashembullt ndaj opozitës dhe përfaqësuesve të saj, qëndron vetë ai, Edi Rama”.

 

 

 

Share it :