Dje, në Muzeu Historik Kombëtar u hap ekspozita “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, me disa prej momenteve kryesore të kësaj ngjarjeje të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Fjalën e rastit e mbajti nëndrejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z. Dorian Koçi, i cili e vlerësoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit erdhi si një reagim mbarëshqiptar kundër copëtimit të tokave shqiptare nga shtetet fqinje. Kjo ngjarje përkon me Marrëveshjen e Kumanovës, e cila shënoi largimin e trupave serbe dhe vendosjen e Kosovës nën administrimin ndërkombëtar. Më 10 qershor 1878, u mbajt Kuvendi i Prizrenit, i cili shpalli formimin e Lidhjes së Prizrenit. Punimet e këtij kuvendi u drejtuan nga Iljaz pashë Dibra, ndërsa programi politik ishte hartuar nga ideologët e kombit shqiptar, si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Abdyl Frashëri, Jani Vreto, Zija Prishtina e të tjerë. Lidhja e Prizrenit përbën organizatën e parë politike dhe ushtarake të mbarë kombit shqiptar. Lidhja e Prizrenit duhej të zgjidhte tri detyra kryesore që përbënin shqetësim për të gjithë shqiptarët. Së pari, të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike të banuara nga shqiptarë siç ishte parashikuar në Traktatin e Shën Stefanit dhe në Kongresin e Berlinit në vitin 1878. Së dyti, të realizonte bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm në kuadër të Perandorisë Osmane. Së treti, të dëshmonte në mbarë opinionin publik evropian se shqiptarët ishin një komb i veçantë në Ballkan, pavarësisht nga ndryshimet fetare.
Organi më i lartë i Lidhjes së Prizrenit ishte Këshilli i Përgjithshëm, i cili kryente funksione legjislative. Ky organ krijoi një Komitet Kombëtar, i cili mori atributet e një qeverie të përkohshme. Komiteti Kombëtar përbëhej nga tri komisione: Për çështjet e Jashtme u ngarkua Abdyl Frashëri, për çështjet e Brendshme u ngarkua Shaban Prizreni dhe për çështjet Financiare ishte Sulejman Vokshi.
Komiteti Kombëtar krijoi nënkomitete krahinore në tri vilajetet kryesore shqiptare që rrezikonin të copëtoheshin. Nënkomiteti i Lidhjes së Prizrenit për vilajetin e Janinës dhe funksionari i lartë i shtetit osman Abedin pashë Dino, me veprime të shkathëta diplomatike, penguan aneksimin nga Greqia të krahinës së Çamërisë. Nënkomiteti i Shkodrës organizoi trupa vullnetare shqiptare nën drejtimin e Ali pashë Gucisë dhe Hodo beg Sokolit, të cilat u shkaktuan humbje të rëndë forcave malazeze të drejtuara nga Mark Milani. Shqiptarët arritën të mbronin me gjak Plavën, Gucinë, Hotin dhe Grudën.
Të gëzuar për fitoret e arritura, shqiptarët shprehën vendosmërinë që të mos lëshonin qytetin e Ulqinit. Nën presionin e flotës ndërkombëtare të Fuqive të Mëdha dhe të rrethuara nga trupat osmane dhe malazeze, komandanti osman Dervish Pasha theu më në fund qëndresën e shqiptarëve dhe më 26 nëntor 1880, Ulqini iu dorëzua forcave malazeze. Rezistenca e shqiptarëve kundër Portës së Lartë vijoi edhe më pas. Në muajin maj 1881, pas një numër arrestimesh të drejtuesve të saj dhe persekutimi të popullsisë shqiptare, Lidhja e Prizrenit u shtyp nga Porta e Lartë. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur në sallën e vogël të Muzeut Historik Kombëtar deri më 13 qershor.




