Qeveria ka shfuqizuar vendimin e saj të mëparshëm për të regjistruar numrat IMEI të telefonave celularë. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 121 dhe 124, të ligjit nr. 8485, datë 2.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave, vendosi: Shfuqizimin e vendimit nr. 354, datë 4.6.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen e bazës së të dhënave IMEI dhe regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celulare, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme”, thuhej në vendimin e mbledhjes së kaluar që ka hyrë në fuqi me botimin e djeshëm në fletoren zyrtare. Ndaj këtij vendimi të qeverisë ishin hasur kundërshti të mëdha nga opozita, shoqëria civile si edhe së fundmi Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e tij. Sipas Kushtetueses, vendimi i qeverisë për regjistrimin e kodit IMEI ishte i papajtueshëm me Kushtetutën. Nisur nga vendimi i qeverisë, mbledhja e radhës në 21 tetor e Gjykatës Kushtetuese nuk ka pse të zhvillohet më.




