Përfundon hetimi/ Abuzimi me faturimet e abonentëve, 13 faturistë të CEZ-it dërgohen në gjyq

Sonila Mesareja

Sahati-matesa-energjie-290x300 Prokuroria: Aplikuan në mënyrë abuzive 215 milionë lekë të reja gjobë ndaj abonentëve. Dëmi për mbi 1600 abonentë nga tetori 2010 deri në janar 2011

Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi dje për gjykim 13 ish-punonjës të CEZ Shpërndarje, të cilët akuzohen për abuzime duke mbifaturuar abonentët. Në përfundim të hetimit rezultoi se 13 faturistët aplikuan në mënyrë abuzive 215 milionë lekë të reja gjobë ndaj abonentëve. Pas përfundimit të hetimit, dosja ka mbërritur për gjykim në Gjykatën e Tiranës për akuzën e “Falsifikimit kompjuterik”, parashikuar nga neni 186/a, prg. 2 i Kodit Penal. Në bazë të hetimit të kryer, rezulton se vetëm gjatë periudhën tetor 2010-janar 2011, këta ish-punonjës, nëpërmjet veprimeve fiktive, kanë aplikuar në mënyrë abuzive faturime me shënimin “dëm ekonomik” për mbi 1600 abonentë familjarë dhe jofamiljarë (biznese etj.), në shumën në total rreth 215 milion lekë të reja.

 

Hetimi

Burime zyrtare nga akuza bëjnë me dije se nga hetimi ka rezultuar, gjithashtu, edhe një fakt tjetër interesant. Në faturat abuzive që u janë shpërndarë abonentëve është shënimi “energji e pa matur” dhe “dëm ekonomik”, ndërsa në referimet që kanë bërë pranë kompanisë faturistët kanë shënuar “rilidhje e paligjshme”. Pra, sipas akuzës, abonentët e mbifaturuar në mënyrë abuzive nuk janë vënë në dijeni që shuma e madhe e parave që duhej të paguanin ishte si shkak i “rilidhjes së paligjshme”, ndërkohë që rezulton nga hetimi se asnjë prej abonentëve të mbifaturuar nuk u është ndërprerë energjia elektrike, pasi kanë qenë pagues të rregullt. “Të 13 të pandehurit që janë dërguar për gjykim janë pjesa e dytë e hetimit të një totali prej rreth 40 ish-punonjësve të CEZ Shpërndarja sh.a, të cilët akuzohen për “falsifikim kompjuterik””, – bëjnë me dije burime zyrtare të akuzës. Ndërkohë që, për dy ish-punonjës, është në zhvillim procesi gjyqësor dhe prokuroria ka paraqitur konkluzionet përkatëse, në të cilat kërkon nga 3 vjet burg, konkretisht për shtetasit Luan Xhiherri dhe Mërkur Ndreu.

 

Abuzimi

Në mënyrë të përmbledhur rezulton se procedura për aplikimin e gjobave në masën 4.000 kilovatë për konsumatorët familjarë (që i korrespondon pagesa prej 64.800 lekë) dhe 20.000 kilovatë për konsumatorët jofamiljarë (bizneset) – që i korrespondon pagesa prej 292.800 lekë – në rastet e konstatimit të shkeljeve nga ana e konsumatorëve është arbitrare dhe e pambështetur në ligj (për këtë arsye edhe ERE ka ndërhyrë duke shfuqizuar këtë procedurë), por nga ana e lexuesve të energjisë elektrike – edhe brenda kësaj procedure të pambështetur në ligj – janë kryer falsifikime duke paraqitur abonentë të cilëve nuk është ndërprerë asnjëherë energjia si abonentë që janë rilidhur në mënyrë të kundërligjshme me rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Sipas akuzës, nga aparati PDA i kësaj të pandehurës Sheqeruka janë “kryer” matje të energjisë elektrike në të njëjtën kohë gjë që praktikisht është e pamundur. Kështu, veçanërisht rastet e datës 20.10.2010 ku, në intervalin kohor 22:00 – 23:30, janë “konstatuar” si abonentë të rilidhur në mënyrë të paligjshme mbi 80 abonentë, nga të cilët shumë abonentë janë “konstatuar” dhe janë hedhur në sistem si të rilidhur në mënyrë të kundërligjshme në të njëjtën kohë apo me vetëm 1-2 minuta diferencë kohore nga njëri-tjetri.

 

Personat e dërguar për gjykim janë:

1. Shkëlqim Basha, akuzohet për 294 raste në “Qendër Tirana 2,

2. Beqir Kurtaj, akuzohet për 94 raste në “Qendër Tirana 1”,

3. Kujtim Karamuça, akuzohet për 101 raste për “Qendër Tirana 1”,

4. Arben Koleci, akuzohet për 111 raste në “Qendër Tirana 1”,

5. Nazif Sulaj, akuzohet për 30 raste në “Qendër Tirana 3”,

6. Nezir Kurti, akuzohet për 182 raste në “Qendër Tirana 1”,

7. Emri Toçilla, akuzohet për 21 raste në “Qendër Tirana 1”,

8. Agetina Gjondedaj, akuzohet për 64 raste në “Qendër Tirana 1”,

9. Luljeta Karaosmani, akuzohet për 150 raste në “Qendër Tirana 1”,

10. Mereme Sheqeruka, akuzohet për 211 raste në “Qendër Tirana 1”,

11. Madalena Dragoshi, akuzohet për 197 raste në “Qendër Tirana 2”,

12. Hyrvete Zhilli, akuzohet për 66 raste në “Qendër Tirana 1”,

13. Shpresa Stojku, akuzohet për 92 raste në “Qendër Tirana 1”

 

Gjykatë/ Pyetet kreu i Bashkisë, Gjika: Të dyja lejet e ndërtimit u shqyrtuan në KRT

Dëshmitë e disa prej anëtarëve të Këshillit Bashkiak apo të KRT-së së Bashkisë së Vlorës janë përplasur dje me atë të vetë kreut të këtij institucioni, kryebashkiakut Shpëtim Gjika. I pyetur për dy lejet e ndërtimit për të cilat akuzohet, Gjika tha ne gjyq se të dyja lejet e ndërtimit u shqyrtuan në KRT dhe më pas u miratuan. Lidhur me pretendimet e Prokurorisë se lejet nuk kaluan në Këshillin Teknik të KRT-së, kryebashkiaku Gjika tha se mendimi i Këshillit Teknik nuk është i detyrueshëm dhe nuk ka fuqi ligjore. Gjika pranoi para Gjykatës se leje ndërtimi janë dhënë edhe pa kaluar kërkesat në Këshill Teknik, duke përdorur si krahasim dhe kompleksin “Jon”. I pyetur në lidhje me dhënien e lejeve për 3 firma që nuk ishin krijuar ende në mars të 2010, Gjika është shprehur se në asnjë nen të Urbanistikës, sipas tij, nuk thuhet që subjekti ndërtues duhet të ketë licencë. Së bashku me Gjikën të pandehur janë dhe Aleks Ahmataj, Artan Ferati, Blerdi Liçaj, Eleni Dardhaj, Gentian Sherifaj, Gezim Feta, Mustafa Tartari, ndërsa Gjykata është drejt përfundimit të këtij procesi për sa i përket pyetjes së dëshmitarëve. Shpëtim Gjika akuzohet se në bashkëpunim me vartësen e tij, Eleni Dardhaj, ka falsifikuar dy leje ndërtimi, mbi bazën e të cilave janë ngritur ndërtime shumëkatëshe, në zonën e njohur si Tri Rasat dhe lagjen “Pavarësia” në Vlorë. Për herë të parë, edhe e pandehura Dardhaj ka qenë dje e pranishme në Gjykatën e Tiranës.

 

 

 

Share it :