Skema do të mbështetet në parimin që ata që janë në punë do të paguajnë për ata që janë pa punë
Fondi për ndihmën ekonomike kap shifrat e 200 milionë dollarëve
Përveç ndihmës ekonomike, të gjitha familjet në nevojë do të marrin buxhet shtesë, në mënyrë që të ndihmohen për të dalë nga varfëria. Gjatë një diskutimi në Elbasan për ndihmën sociale, ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, ka zbuluar nismën e re për ndihmën e familjeve të varfra. “Çdo familje që trajtohet me ndihmën ekonomike dhe ka një fëmijë në arsimin e detyruar, atëherë ne do t’i paguajmë një buxhet ekstra për ta nxjerrë nga varfëria e dijes”, – u shpreh Veliaj. Po kështu, do t’u ofrohet ndihmë edhe familjeve që do t’u bëjnë vaksinat fëmijëve dhe do t’i çojnë në shkollë. Ndihma ekonomike tashmë do të quhet “Shqipëria solidare”. Fondi i ndihmës ekonomike nuk do të jetë më me paratë e shtetit, por do të mblidhet nga të ardhurat e taksapaguesve. Skema do të mbështetet në parimin që ata që janë në punë do të paguajnë për ata që janë pa punë. Fondi për ndihën ekonomike kap shifrat e 200 milionë dollarëve. Duke filluar nga muaji qershor ndihmën ekonomike do ta marrin vetëm gratë dhe jo burrat. “Nga ky muaj ndihmën do ta marrin vetëm gratë, pasi 90% e grave e shpenzojnë këtë ndihmë për familjen”, – theksoi Veliaj. Ministri Veliaj gjatë takimit ka përmendur edhe faktin se me anë të dixhitalizimit ndihma ekonomike do të shpërndahet më mirë pasi çdo person rezulton i regjistruar nëse ka makinë, punë apo udhëtime për jashtë shtetit.
Përfituesit
Ndihmën ekonomike mund ta përfitojnë të gjitha ato familje, të cilat nuk kanë të ardhura ose kanë të ardhura të pamjaftueshme. Përfitojnë ndihmë ekonomike, jetimët e papunë, mbi 25 vjeç, jetimët e moshës 18-25 vjeç, të cilët nuk janë vendosur në institucionet e shërbimeve shoqërore ose nën kujdestari si dhe prindërit e fëmijëve të lindur trinjakë e më shumë, që u përkasin familjeve në nevojë. Për të përfituar ndihmë ekonomike njëri nga bashkëshortët duhet të paraqes, pranë administratorit shoqëror të seksioneve të ndihmës dhe shërbimeve shoqërore ne bashki/komune, ku ka vendbanimin nga data 1-15 të çdo muaji, dokumentet, së bashku me kërkesën e nënshkruar nga të gjithë anëtarët madhorë të familjes. Familjet e invalidëve të punës duhet të paraqesin kopjen e noterizuar të vërtetimit KMCAP-it.




