Për të 15-ën herë/ Dënohet 2 vjet burg, 38 vjet karrierë në vjedhjen e qyetarëve në autobusa

Sonja Caka

 

 

Historia e Pëllumb Patriotit, 63-vjeçarit nga Tirana, i cili dënimin e parë nga gjyqësori për vjedhje e ka marrë në vitin 1975 dhe të fundit në janar 2014

 

gjykata1Në 38 vjet karrierë në vjedhjen e qytetarëve në linjat e autobuzave i janë shënuar 14 përballje me gjykatën dhe për pasojë edhe 14 dënime. Kishte 11 vjet që nuk ndalohej nga policia për vjedhje dhe në janar të vitit 2013 do shënohej arrestimi tjetër. I 15-ti dënim për vjedhjen e një të moshuare po në autobusin e linjës Qendër-Laprakë u dha disa javë më parë, ndonëse i akuzuari në çdo moment e mohoi këtë akuzë.Madje aludoi se është akuzuar vetëm duke u bazuar në paragjykimin që kanë patur ndaj tij punonjësit e policisë, për shkak të kaluarës së tij kriminale. Megjithatë, në momentin e ndalimit nga uniformat blu, Patrioti ishte kapur me vrap nga dy gratë e dëmtuara, nënë e bijë. Gjykata dënoi me 2 vjet burg një 63-vjeçar, i njohur për historinë e tij shumë vjeçarë në përballje me gjyqësorin për të njëjtën akuzë për të cilën u dënua, atë të vjedhjes. Protagonisti i kësaj historie është Pëllumb Patrioti, i cili rezulton të jetë dënuar 14 herë nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “vjedhjes”, përkatësisht për vjedhje nëpër linjat e autobuzave. Para gjykatës, Prokuroria ka kërkuar dënimin me 2 vite burg për Patriotin, duke theksuar se “kjo masë e lartë dënimi u kërkua edhe për shkak të faktit se, i pandehuri Pëllumb Patrioti rezulton 14 herë më parë i dënuar për të njëjtën vepër penale, me masa burgimi, gjatë viteve 1975 – 2003”. Po kaq vjet e ka dënuar edhe gjykata, duke detyruar të pandehurin që të vuajë çdo ditë të dënimit në një burg të sigurisë së zakonshme.

Akuza

Prokuroria e akuzon të pandehurin Pëllumb Patrioti për vjedhje në dëm të shtetases Hanke Hoxha. Nga hetimi gjyqësor rezulton se Hanke Hoxha është me banim në fshatin Gurrë e Madhe, Tiranë. Më datë 28.01.2013 Hanke Hoxha, e shoqëruar nga vajza e saj Blerina Kasa dhe dy fëmijët e Blerinës, ka qenë duke urdhëtuar në autobusin e linjës, për tek Spitali Ushtarak, Tiranë. Kur kanë mbërritur në destinacion, duke zbritur nga autobusi, një person i moshës rreth 60 vjeç, ka futur dorën në xhepin e palltos së Hanke Hoxhës duke i ka marrë prej andej shumën 2 000 lekë si dhe një telefon të markës “Nokia”, me ngjyrë të zezë dhe është larguar me vrap. Hanke Hoxha dhe vajza e saj e kanë ndjekur këtë shtetas dhe e kanë kapur pas disa castesh, disa metra larg stacionit të autobusit. Pasi e kanë kapur, Hanke Hoxha i ka kërkuar t’i kthente telefonin dhe shumën e lekëve por, shtetasi në fjalë i është përgjigjur se nuk i kishte marrë gjë. Në këto moment, aty pranë ka kaluar një patrullë policie, punonjësit e së cilës kanë marrë djeni për ngjarjen nga e dëmtuara dhe kanë ushtruar kontroll fizik ndaj shtetasit në fjalë, i identifikuar si Pëllumb Patrioti. Nga kontrolli, Pëllumb Patriotit nuk i janë gjetur sendet, të cilat Hanke Hoxha pretendonte se, ky shtetas ia kishte vjedhur pak çaste më parë. Për pasojë, punonjësit e policisë i kanë shoqëruar personat në fjalë në ambjentet e Komisariatit të Policisë nr.3, Tiranë. Pasi kanë mbërritur në Komisariat, shtetasja Hanke Hoxha ka depozituar edhe kallëzimin përkatës në ngarkim të shtetasit Pëllumb Patrioti, duke e akuzuar për vjedhjen e celularit të saj dhe shumës prej 2 000 lekësh. Kjo akuzë është mbështetur edhe nga deklarimet e shtetases Blerina Kasa. I pyetur menjëherë pas kallëzimit si dhe gjatë gjithë hetimit Pëllumb Patrioti ka mohuar kategorikisht t’i ketë vjedhur sendet e përshkruara më sipër shtetases Hanke Hoxha. Në këto kushte Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka marrë të pandehur shtetasin Pëllumb Patrioti, duke e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes” së shtetases Hanke Hoxha. Gjatë gjykimit, Gjykata thirri dhe pyeti në cilësinë e dëshmitarëve shtetaset Hanke Hoxha, Blerina Kasa si dhe punonjësit e policisë Gledis Kena e Drilon Toska, të cilët kanë kryer shoqërimin e të pandehurit në Komisariat.

Dëshmitë

Sipas dëshmisë së shtetaseve Hanke Hoxha e Blerina Kasa rezulton se, gjatë rrugës me autobus për të shkuar për tek Spitali Ushtarak, e dëmtuara i ka liruar vendin e saj të pandehurit, me qëllim që ky të ulej pasi, i ishte dukur burrë i moshuar dhe i pamundur fizikisht. Kur kanë arritur tek stacioni i Laprakës, e dëmtuara së bashku me vajzën e saj dhe fëmijët e vajzës së saj kanë zbritur nga autobusi. Gjatë zbritjes, bashkë me të ka zbritur edhe i pandehuri, i cili ka futur dorën në xhepin e palltos së Hanke Hoxhës, duke i ka marrë nga xhepi shumën 2 000 lekë si dhe një telefon të markës “Nokia”, me ngjyrë të zezë me dhe është larguar me vrap. Hanke Hoxha dhe vajza e saj dëshmuan se, e kanë humbur nga sytë për pak caste dhe pasi e kanë pikasur sërish, e kanë ndjekur dhe e kanë kapur të pandehurin Pëllumb pas disa çastesh, disa metra larg stacionit të autobusit. Pasi e kanë kapur, Hanke Hoxha i ka kërkuar të pandehurit t’i kthente telefonin dhe shumën e lekëve por, i pandehuri i është përgjigjur se nuk i kishte marrë gjë. Në këto moment, aty pranë ka kaluar një patrullë  policie, punonjësit e së cilës kanë marrë djeni për ngjarjen nga e dëmtuara dhe për pasojë, kanë ushtruar kontroll fizik ndaj të pandehurit Pëllumb Patrioti. Nga kontrolli, të pandehurit Pëllumb nuk i janë gjetur sendet, të cilat Hanke Hoxha pretendonte se ky shtetas ia kishte vjedhur pak çaste më parë.

Precedenti

Kishte të paktën 11 vjet që nuk ndalohej nga policia për vjedhje, pas dënimit të marrë nga Gjykata e Tiranës, e cila e dënoi me 1 vit burg, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar. I pandehuri Pëllumb Patrioti, më datë 13.08.2003 ka qenë duke udhëtuar me autobuzin e linjes urbane Kinostudio-Kombinat dhe i është afruar afër të demtuarit Abdurrahman Sadushi. Në momentin kur autobuzi po ndalonte, i pandehuri i ka futur dorën të dëmtuarit në xhepin e pasëm të pantallonave dhe i ka marrë 7000 lekë. I demtuari e ka ndjerë ketë veprim dhe ka bërtitur. Më pas i pandehuri ka hedhur lekët duke u larguar me vrap dhe është kapur rastësisht nga një agjent policie.

Share it :