Anxhela Tato
Lokale, apartamente e dyqane në emër të Fatmir Muçajt, i skeduar në Zvicër për vjedhje dhe trafik droge
Muçaj nën hetimin e Prokurorisë prej 1 viti, pasuria e tij 19.995 m2 në Sauk, në Gjirin e Lalëzit, Marikaj si dhe 3 lokale në zonën e ish-Bllokut dhe në Yzberisht
Prona me vlerë 3 milionë euro nga pastrimi i parave të aktiviteteve kriminale në emër të Fatmir Muçajt, janë vënë nën sekuestro ditën e djeshme nga Policia e Tiranës pas urdhrit të prokurorisë. Truaj, lokale, apartamente janë pasuria e krijuar nga shtetasi Fatmir Muçaj, i skeduar në Zvicër për trafik droge dhe vjedhje. Nga burime të akuzës bëhet me dije se Muçaj ka qenë në hetim prej vitit të kaluara, ku nga përgjimi janë zbuluar transaksionet në shuma të larta financiare, duke krijuar idenë që mund të ishin si rezultat i pastrimit të produkteve të veprave penale. Fatmir Muçaj ka kaluar asete financiare të afërmve të tij në një periudhë të shkurtër kohore. Prokuroria ka zbuluar se Muçaj zotëronte 19.995 metra katrorë pronë, e cila kap vlerën e 3 milionë eurove. Ndërsa pritet që në pyetje të merren familjarë, nëse kanë qenë në dijeni të prejardhjes së lekëve të Muçajt. Gjithashtu ka dyshime se Muçaj mund të ketë pasur bashkëpunëtor në krijimin e këtyre pronave, si rrjedhoje e trafikut të drogës në Zvicër, vepër penale për të cilën ai është dënuar në vitin 1997.
Hetimet
Gjatë hetimit të këtij procedimi penal ka rezultuar se këto pasuri dyshohet se janë blerë me të ardhura me origjine kriminale të trafikut të narkotikëve, ku i përfshirë ishte shtetasi Fatmir Muçaj. Nga hetimi i shumave të mëdha të investuara në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, për të cilat nuk identifikohen burime të ligjshme të të ardhurave për të siguruar këto pasuri, transaksioneve të kryera midis shtetasit Fatmir Muçaj dhe familjarëve të tij tek pasuritë e paluajtshme, rezulton se të gjitha këto veprimeve pasurore janë kryer afërsisht në të njëjtën periudhë kohore mes tyre dhe me aktivitetin kriminal për të cilin dyshohet shtetasi Fatmir Muçaj. Bazuar në materialet e grumbulluara në kuadër të këtij procedimi penal nga strukturat e Policisë së Tiranës dhe të Prokurorisë, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë është vendosur masa e sekuestros për pronat e këtij shtetasi. Nga Strukturat e Pastrimit Parave në bashkëpunim me Prokurorinë, vazhdon puna dhe po kryhen hetime intensive për identifikimin e pasurive të tjera të këtij shtetasi dhe për persona të tjerë të implikuar në këtë procedim, po ashtu dhe për identifikimin e pasurive, me qëllim vendosjen e sekuestros në kuadër të këtij procedimi penal. Strukturat e Policisë, po punojnë intensivisht në kuadër të një sërë hetimesh të rëndësishme, me qëllim sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtari kriminale.
Policia
“Nga Seksioni kundër Pastrimit të Parave në Drejtorinë e Policinë së Qarkut Tiranë, ditën e djeshme u finalizua operacioni policor i koduar “Pensionisti”, në funksionim të procedimit të iniciuar në fillim të këtij viti për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal”, – thuhet në njoftimin e bluve. Në kuadër të këtij operacioni, të ndjekur me metoda proaktive, duke bashkëpunuar me Njësinë Task-Forcë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është bërë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë të datës 16 korrik për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme, të cilat kapin një vlerë mbi 3 milion euro, në pronësi të shtetasit Fatmir Muçaj, 34 vjeç, me banim në Tiranë. Sekuestrimi i këtyre aseteve u bë i mundur nga një hetim intensiv, profesional dhe i plotë, si dhe në sajë të një analize të hollësishme financiare të Strukturave të luftës kundër krimit financiar në Policinë e Tiranës në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore Task-Forcë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Shtetasi Fatmir Muçaj ka qenë nën hetim dhe i dënuar për “Trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike” dhe “Vjedhje me dhunë”, në vitin 1997 në Zvicër. Në total vlera e aseteve të sekuestruara është mbi 3 milionë euro. Sipërfaqe tokë prej 19.995 m2 e ndarë në disa parcela në disa zona kadastrale, si në Zonën e liqenit artificial, në Sauk, në Gjirin e Lalëzit, Marikaj si dhe tre lokale në zonën e ish-bllokut dhe në Yzberisht.
Sekuestrimet
– Në Sauk, sipërfaqe toke prej 1200 m2,
– Në Sauk, sipërfaqe toke prej 96 m2,
– Në Sauk sipërfaqe toke prej 355 m2.
– Në Sauk sipërfaqe toke prej 13 000 m2.
– Në Tiranë të Re apartament me sipërfaqe 130 m2, i kthyer në lokal
– Tek 21 dhjetori apartament me sipërfaqe 82 m2,
– Në Marikaj sipërfaqe toke prej 710 m2,
– Në Marikaj sipërfaqe toke prej 1800 m2 .
– Në Marikaj sipërfaqe toke prej 1231 m2
– Në Marikaj, sipërfaqe toke prej 260 m2.
– Tek Gjiri i Lalëzit, sipërfaqe toke prej 745 m2,
– Tek Gjiri i Lalëzit, sipërfaqe toke prej 1515 m2,
– Në Yzberisht, lokal me sipërfaqe 61 m2,
– Në Yzberisht lokal me sipërfaqe 79.8 m2
Bulqizë/ Përplasen automjetet, humbin jetën 2 djem
Shpejtësia tej normave të lejuara i ka kushtuar jetën 2 të rinjve nga Bulqiza, teksa makina me të cilën ata udhëtonin është përplasur me një tjetër mjet. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 13:00 në Fushë-Bulqizë. Aksidenti i rëndë është shënuar mesditën e djeshme në Fushë-Bulqizë ku automjeti që drejtohej nga 19-vjeçari Engjellush Kurti është përplasur me një tjetër makinë. Përplasja ka rezultuar fatale për drejtuesin e mjetit dhe shokun e tij 18-vjeçar, Ardit Murra, të cilin e shikoni në foto, teksa ata kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të plota të aksidentit.




