Peleshi sfidon ‘Kushtetuesen’, thërret mbledhjen e Këshillit të Mandateve pa pritur vendimin, PD kundërshton
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar pas njoftimit të Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në datën 15.04.2026. Sipas këtij njoftimi, në rendin e ditës përfshihet shqyrtimi i ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Sipas Partisë Demokratike, ky veprim vjen në një moment kur ende nuk është zbardhur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i njoftuar më 23 Shkurt 2026, duke ngritur shqetësime për respektimin e procedurave kushtetuese. Në reagimin e saj, opozita thekson se kjo qasje bie ndesh me praktikat e mëparshme të ndjekura nga vetë Kryetari i Kuvendit.
Në deklaratë rikujtohet gjithashtu rasti i kërkesës së SPAK për autorizimin e arrestimit të ish-Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilin, sipas PD-së, Niko Peleshi kishte shtyrë mbledhjen duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë kontekst, Partia Demokratike e konsideron situatën aktuale si të paprecedent dhe kërkon respektimin e plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
NJOFTIM PËR SHTYP
Grupi Parlamentar i PD
Tiranë, më 10.04.2026
“KRYETARI I KUVENDIT THËRRET MBLEDHJEN E KËSHILLIT TË RREGULLORES PA PRITUR VENDIMIN E GJYKATËS KUSHTETUESE”, REAGON GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE: AKT I PAPRECEDENT
Kryetari i Kuvendit ka njoftuar sot thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për në datë 15.04.2026, ora 12:00, me rend dite: “Shyrtimi i projektvendimit “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004, “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Ky njoftim bëhet në kushtet kur projektvendimi përkatës përfshinë dispozita që janë shfuqizuar njëzëri nga Gjykata Kushtetuese, duke injoruar autoritetin e kësaj të fundit dhe në shkelje të parimeve bazë të funksionimit të shtetit ligjor.
Secili qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe partnerët tanë ndërkombëtar kujtojnë se për 3 muaj, Kryetari i Kuvendit z. Niko Peleshi refuzoi të thërriste mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të ish-Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, me arsyetimin se po priste zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me një kërkesë të Kryeministrit që nuk kishte asnjë lidhje me çështjen që shqyrtonte Kuvendi i Shqipërisë.
Ndërkohë që në rastin konkret, edhe pse rendi i ditës është qartësisht i lidhur me zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të njoftuar në datën 23 Shkurt 2026, Kryetari i Kuvendit ka ftuar deputetët në mbledhje, pa pritur zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo praktikë bie ndesh me nenin 132 të Kushtetutës dhe provon edhe njëherë vullnetin e mazhorancës për të injoruar zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Duke e konsideruar këtë akt si të paprecedent, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, dënon me forcë provokimin e Kryetarit të Kuvendit z. Niko Peleshi dhe e konsideron njoftimin e bërë prej tij për të mbledhur Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ende pa u njoftuar vendimi i zbardhur i Gjykatës Kushtetuese, si një veprim antikushtetues, që cënon parimet bazë të shtetit ligjor dhe cenon besimin e publikut tek autoriteti i padiskutueshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.




