‘PD kundër mbrojtjes së Ballukut’/ REL jehonë protestës së opozitës: Policia sulmoi Berishën dhe protestuesit…
Molotovë dhe fishekzjarrë janë hedhur drejt institucioneve shtetërore në Tiranë të Shqipërisë, gjatë protestës e re e thirrur nga subjekti opozitar, Partia Demokratike. Policia shqiptare hodhi ujë dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit.
PD-ja e Sali Berishës kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike
Tensionet politike në Shqipëri janë përshkallëzuar pasi në dhjetor të vitit të kaluar Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ngriti aktakuzë ndaj Belinda Ballukut që në atë kohë mbate postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe atë të zëvendëskryeministres.
Protestuesit të dielën hodhën molotovë edhe drejt selisë së Kryeministrisë, Ministrisë së Infrastrukturës, Bashkisë së Tiranës dhe selisë së Partisë Socialiste në pushtet. Gaz lotsjellës u hodh edhe pranë Ambasadës italiane.
Protesta u thirr menjëherë pasi Kuvendi më 12 mars votoi kundër kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit për deputeten socialiste Belinda Balluku, e cila dyshohet për korrupsion. Këtë kërkesë SPAK e bëri me qëllim arrestimin e Ballukut.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, pas asaj seance, thirri mbështetësit në protestë më 22 mars, duke e cilësuar një ditë të madhe për demokracinë në Shqipëri, pasi 34 vjet më parë Partia Demokratike mori pushtetin pas rrëzimit të diktaturës komuniste.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë protestës u ndje keq pas hedhjes së gazit lotsjellës dhe u shoqërua nga protestuesit për në banesën e tij.
Që nga dhjetori, PD-ja ka mbajtur disa protesta që janë përshkuar me dhunë mes protestuesve dhe policisë.
Ndryshe, SPAK e akuzon Ballukun për ndërhyrje në tenderë publikë që kishin të bënin me projekte të mëdha infrastrukturore dhe për favorizim të kompanive të caktuara. Balluku i ka mohuar akuzat.
Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama, që vitin e kaluar fitoi mandatin e katërt me radhë qeverisës, ka shumicë në Parlament.
Rama është ankuar për tejkalim të kompetencave nga gjyqësori, veçmas për ndalimet para zhvillimit të gjykimeve.
Shqipëria synon të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian deri më 2030, por blloku ka kërkuar nga Tirana që të bëjë më shumë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit./ REL/




