Nga Boldnews.al
Gjykata e Lartë ka rrëzuar ankimin për sekuestrimin e disa pajisjeve kompjuterike të kompanisë “Gogel”, në pronësi të Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.
“Gogel” është në hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), nën dyshimet se ka krijuar një skemë pastrimi parash me shoqërinë e telefonisë celulare “One”.
Në tetor të vitit 2025, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit sekuestruan disa pajisje dhe materiale të tjera në zyrën e “Gogel” shpk, në kuadër të një hetimi që ka gjeneruar nga veprimet proceduriale kundër Erion Veliajt dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxe, këta të fundit të akuzuar tashmë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Prokuroria e Posaçme dyshon se “Gogel” e Arbër Veliajt dhe shoqëria “One” kanë krijuar një bashkëpunim abuziv. Sipas dyshimeve të SPAK-ut, “One” fitonte tendera pranë Bashkisë së Tiranës, të drejtuar nga Erion Veliaj dhe më pas, një pjesë të parave i kalonte për shërbime reklamuese tek kompania “Gogel” e vëllait të vogël, Arbër Veliaj.
Në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria e Posaçme ka ushtruar kontroll dhe ka kryer sekuestrime edhe tek disa kompani të tjera që janë të angazhuara në tregun e prodhimit dhe menaxhimit të reklamave, siç ka raportuar më herët “Boldnews.al”. Kompanitë e tjera të përfshira në këtë hetim janë “ASVL” shpk dhe “Kuadr.com”.
Çfarë dyshon SPAK-u
Në dosjen e lexuar nga “Boldnews.al”, Prokuroria e Posaçme thotë se, “në kuadër të hetimeve që po zhvillohen lidhur me raportet financiare ndërmjet shoqërisë telefonike “One” dhe shoqërisë “Gogel” të Arbër Veliajt, vëllait të kryebashkiakut të Tiranës, janë evidentuar disa lidhje tregtare që përfshijnë edhe kompanitë “ASVL” dhe “Kuadr.com”.

Sipas dosjes hetimore, dy kompanitë e promovimit “kanë përfituar fonde të konsiderueshme nga Bashkia e Tiranës nëpërmjet kontratave dhe sponsorizimeve për organizimin e eventeve kulturore dhe artistike”.
Nga verifikimet e kryera në sistemin e Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe në atë të të dhënave tatimore, rezulton se “këto subjekte, përveç marrëdhënieve me institucionet publike, kanë pasur ndërveprime të vazhdueshme financiare edhe me shoqërinë “Gogel” sh.p.k., e cila zotërohet nga shtetasi Arbër Luan Veliaj, vëllai i shtetasit Erion Veliaj, aktualisht i pandehur në kuadër të procedimit penal prej të cilit janë ndarë këto akte (procedimi penalnr. 27/2024)”.
Në Korrik të vitit 2025, Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, si edhe disa biznesmenë, të akuzuar se kanë krijuar një skemë korruptive për qarkullimin e parave të Bashkisë së Tiranës dhe përfitues fundor familjen e kreut të institucionit.
Gjatë hetimeve, prokurorët kanë ngritur dyshime se në një skemë të ngjashme ka rol edhe vëllai i Erion Veliajt, Arbëri, nëpërmjet kompanisë së tij të promovimit, “Gogel” shpk.
Hetimet për Veliajn e vogël janë veçuar dhe janë ende në vijim. Në Tetor të vitit të kaluar, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit u rikthyen në Bashkinë e kryeqytetit, ku sekuestruan disa dokumenta financiare, për të cilat prokurorët besojnë se mund të arrijnë tek përgjegjësia penale e Arbër Veliajt.

Në dokumentat e administruara, grupit hetimor i ra në sy se, gjatë periudhës 2020 – 2024, dy shoqëritë, “ASVL” dhe “Kuadr.com” kanë përfituar shuma të konsiderueshme nga fondet publike për organizimin e eventeve të ndryshme.
“Nga analiza paraprake e këtyre të dhënave rezulton segjatë këtyre katër viteve, Bashkia Tiranë ka shpenzuar mbi 240,000,000 lekë për kontrata dhe sponsorizime të lidhura me këto dy shoqëri”, thuhet në dosjen e lexuar nga “Boldneës.al”.
Shoqëria “ASLV” sh.p.k., me NIPT L31329009M, ushtron aktivitet në fushën e tregtimit të pajisjeve audiovizuale dhe shërbimeve të konsulencës teknike. Administrator i saj është shtetasi Altin Alizoti, ndërsa ortakë janë shtetasit Altin Alizoti, Bledar Cara dhe Florind Tenolli, secili me nga 33.33% tëkuotave.
Ndërsa, shoqëria Kuadr.com sh.p.k., me NIPT L72216039R, ka si objekt veprimtarie krijimin dhe menaxhimin e reklamave, shërbimeve grafike, prodhimeve audiovizuale dhe eventeve artistike. Administrator dhe pronar i vetëm është shtetasi Aleksandër Çifligu.
Sipas verifikimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme mbi librat e shitjeve dhe blerjeve të shoqërisë “Gogel” sh.p.k., (kompani në pronësi të tërthortë të shtetasit Arbër Veliaj), “është konstatuar një marrëdhënie tregtare e vazhdueshme ndërmjet saj dhe shoqërive “ASLV” sh.p.k.,dhe “Kuadr.com” sh.p.k., të cilat, siç u përmend, kanë përfituar vazhdimisht fonde publike nga Bashkia Tiranë”, thuhet në materialin hetimor.

Nga analiza e të dhënave të deklaruara në Portalin Qendror të Kontrollit dhe Menaxhimit (Fiskalizimi), rezulton se shoqëria “Arts Lab” sh.p.k., një shoqëri e lidhur me Ajola Xoxa, gjithashtu “ka regjistruar një sërë faturash shitjeje gjatë vitit 2024, ndër të cilat përfshihet edhe ajo ndaj subjektit tregtar “Kuadr.com” sh.p.k., me vlerë 698,285 lekë”, citohet në dosjen hetimore.
Mbi bazën e këtyre të dhënave, Prokuroria e Posaçme mori autorizimin e gjykatës për lejimin e kontrollit personal të administratorit të “ASLV”, Altin Alizoti dhe drejtuesit të “Kuadr.com”, Aleksandër Çifligu.
Gjithashtu, gjykata dha autorizimin për kontrollin e zyrave të dy shoqërive, “me qëllim zbulimin, administrimin dhe sekuestrimin e provave që kanë lidhje me veprën penale, duke përfshirë prova dokumentare dhe elektronike, të tilla si pajisje elektronike – aparat celular, pajisje kompjuterike laptop apo kompjuter personal, etj), si dhe çdo send tjetër që vlerësohet nga organi procedues se i shërben hetimit”.




