Pastërti e rrezikshme

Artan Fuga

Artan_FugaE shoh prej vitesh atë grua, thonë se ka pasur një histori dhe jetë të dhimbshme, e cila e ka dëmtuar dhe e bën të vuajë. Qëndron me fshesë në dorë, me kovë gëlqereje në dorë dhe me maninë e pastërtisë, gjithë ditën e Perëndisë fshin, e fshin, e fshin…

Mbledh gjethet e pemëve që bien në rrugë, pastron pluhurat e rrugës sikur t’i hiqte nga një mobilie e çmuar, heq çdo bisht cigareje, zbardh e zbardh pa pushim, duke luftuar me çdo qese që bie mbi rrugë, me çdo letër që era hedh andej pari.

Nuk e do pisllëkun, atë që e damkos të bardhën e pastër. Prandaj zihet dhe me njerëzit, kalimtarë që pa vëmendje hedhin mbeturina të vogla mbi trotuar, shan komshinjtë që nga lart lenë të bien qese, pluhura, letra.

Shan e shan dhe vuan e shkreta, e do jetën e pastër dhe e kërkon këtë në perfeksion. Nuk e di se mikrobet janë pjesë e jetës, se jeta sterile është e pamundur, dhe se njerëzit janë pak pisanjozë, prandaj janë njerëz se përndryshe do të ishin robotë.

Ajo e ka një hall, kërkon pastrimin nga kujtesa e saj e dhimbjeve të mëdha që ndofta e mundojnë akoma, por dhimbje të ndryshme kemi të gjithë moj e uruar. Por, ajo nuk i ka duruar dot, kërkon të fshijë kujtesën e saj, për të mbajtur të paprekur kujtimin e diçkaje të pastër në shpirtin e saj, sikurse pastron trotuarin nga çdo gjë që nuk është e bardhë.

Shan e shan e shan, ka se për çfarë ta dënojë racën njerëzore… E vlerësoj atë grua në mundimin e saj dhe e vëzhgoj se më dhimbset…

…

Ai qëndron bythë një shelgu dhe sulmon, pështyn, ulurin, këlthet, gërthet mbi cilindo që nuk mendon si ai. Kërkon edhe ai paranojaku një pastërti mendore, që në fakt e kupton si model ku të gjithë mendojnë si ai. Me fshesën e lapsit kopjativ që s’e heq nga buzët e shprishura nga xhelozia, smira, inati, ndjenja e inferioritetit, fshin gjithçka që nuk përputhet me mendimet e tija.

Ku e ku me zonjën e uruar që shin me gëlqere papastërtitë e trotuarit!

Por, ka edhe një gjë të përbashkët, nuk duron mendimet ndryshe, i duken pis, të papastra, u fut gëlqeren, zjarrin, pra i çon në gjyqin e inkuizicionit. Është i prerë për inkuizitor, vetëm dënon sepse nuk arsyeton dot, deklamon sepse nuk ka fuqi të kuptojë tjetrin, bërtet sepse nuk arsyeton dot.

Kërkon edhe ai një pastërti të frikshme, e kërkon gjithë botën si të lyer me gëlqere të bardhë, e dallueshmja e tremb, e ndryshmja i bën efektin e së kuqes mbi demin, dikur ka qenë damaz, tani është thjesht një cjap plak që këlthet dhe bebe-gerin dhe thirrjet e tij përhapen gjatë gjithë luginës të Lanës dhe përfundojnë te rrapi në Mashkullorë, atje ku lëkundin trupin pajetë dhe të varur, lëkundur nga era, të kapedan Çerçiz Topullit. Ai e ka vrarë dhe varur duke e spiunuar te turqit xhonturq. Është xhonturk dhe për këtë temë ka bërë edhe doktoraturën në stadiumin “Marakana” të Brazilit. Thotë se ka qenë mik edhe me pelen…

Shan, shan, shan çdo njeri që kalon andej pari. I duket se të tjerët që janë ndryshe e bëjnë pis me mendimet dhe opinionet e tyre ndryshe.

Larmia e sëmur. Këlthet, shan, bërtet, pështyn mbi çdo individ që mendon të kundërtën. Derdh gëlqere acide për të fshirë gjithçka mbi faqe gazete ose ekrani televiziv. Një natë e pashë duke fshirë me shaminë e hundëve ngjyer në pështymë, grafitit në rimorkio autobusësh. I ndiqte nga pas me vrap dhe përpiqej t’i pastronte…

Gjithçka e dëshiron dyst, pa relief, pa dallime, harron se papastërtitë janë jeta e gjallë e mendimit, kundër sterilitetit mendor, kundër sidës mendore, kundër murtajës dhe kolerës të miut gri. Nuk e njeh vaksinën sepse nuk e sheh si mjekim, por si mikrob. Me fshesën e vet elektronike shkarravit, shkarravit, me gëlqere të bardhë dhe djeg me acid çdokënd që kalon aty pari, ulur bythë shelgut a palmës sepse kasollja nuk e mbledh. Pështyn gëlqere për të pastruar gjithçka. Në fakt nuk arsyeton dot me tjetrin, prandaj e heq, e shtyn, e pështyn, derdh gëlqere acide me kova për ta hequr tjetrin. E njëjta sindromë pastërtie e rrezikshme, në rastin e parë e dhimbshme, në të dytin e përbuzshme. E sa të mirat janë mikrobet si vaksinë…

Share it :